Postuar me: 10:38 02-10-2015

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në seancën plenare (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_4753

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në seancën plenare.

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në seancën plenare.

Të nderuar kolegë deputetë,

Ka rreth një muaj që po kthehemi në dëshmitarë të një operacioni mafioz politik, mediatik dhe financiar për të përfshirë medoemos Kryetarin e Kuvendit në çështjen CEZ-DIA, përmes një propagande mashtruese, e cila nuk mbështetet në asnjë fakt dhe në asnjë provë, përmes financimit mafioz të emisioneve dhe të gazetarëve, të cilët fabrikojnë të pavërteta dhe natyrisht edhe të kolegëve të caktuar deputetë, të cilët bëhen zëdhënës këtu apo në media.

Lidhur me këtë histori që na paska nisur nga një agjenci mjaft “serioze” si BIRN-i, dhe nga një studio ligjore që paska angazhuar qeveria aktuale dhe që sipas shpifësve rrit besueshmërinë lidhur me akuzat ndaj bashkëkryetarit të mazhorancës aktuale, mund t’ju them me bindje të plotë se gjithçka është fare e qartë. Çdo gjë ka qenë e studiuar mirë, por i gjithë operacioni është i mjerë, sepse bazohet vetëm mbi falsifikime.

Agjencia BIRN ka përmendur emrin tim, pasi sipas saj i referohet raportit të studios ligjore, e cila nuk është angazhuar nga qeveria aktuale, por është kontraktuar nga qeveria e mëparshme dhe kjo është e qartë përmes provave dhe fakteve të pakundërshtueshme sepse janë bërë publik dokumentat e firmosjes nga ish-drejtori i OSHEE, z. Sait Dollapi dhe avokati Tim Schreiber i studios ligjore Clifford Chance, e cila ka kryer edhe shërbime të tjera për qeverinë përpara qershorit të vitit 2013. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi, pasi përmes përfshirjes së emrit tim në mënyrë të manipuluar nga gazetarja e papërgjegjshme e BIRN, e cila natyrisht ka bërë edhe ajo shërbimet e porositura dhe do të ketë përmirësuar me këtë rast edhe standardin e jetës së saj, studio ligjore Clifford Chance ka bërë në mënyrë të qartë një sqarim zyrtar që është bërë publik, por që të gjithë atyre që janë vënë në mbështetje të këtij operacioni mafioz, politik, mediatik dhe financiar nuk u intereson e vërteta e deklaruar nga studio, e cila kofirmon pas asnjë ekuivok që në asnjë rast apo rrethanë nuk e ka përmendur emrin e z. Meta si të përfshirë apo përfitues i asnjë transferte financiare dhe për asnjë praktikë korruptive lidhur me çështjen e DIA-s.

Natyrisht është përmendur fakti që kanë qenë të përfshirë politikanë dhe është përmendur fakti që ka qenë një ish-kryeministër i proceduar më parë për korrupsion. Dhe ka dalë shumë qartë nga faktet dhe dokumentet, të cilat ju nuk dëshironi që t’i pranoni, pra flas për ata që janë vënë në mbështetje të operacionit mafioz, politik, mediatik dhe financiar, nga të cilat rezulton dhe provohet se ka qenë një ish-kryeministër i dënuar më parë me akuzën për korrupsion, i cili ka përfituar transferta nga DIA për llogari të kompanisë së tij private e regjistruar në QKR, me emrin e tij. Kjo është një e drejtë e tij dhe përgjegjësi e organeve që po hetojnë për të parë nëse është përfituar në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme. Në qoftë se ju doni me patjetër që ish-kryeministri të jem unë, më vjen shumë keq për të gjithë ju.

Njëkohësisht lidhur me këtë çështje, dua t’ju deklaroj se kompania DIA dhe çdo kompani tjetër e ngjashme me të, dhe nuk janë pak por 9 të tilla, dhe gjatë kësaj kohe është folur vetëm për DIA-n, e cila ka mbledhur vetëm 20 për qind të borxheve, ndërkohë që 80% të borxheve i kanë mbledhur këto kompani të tjera, shumica e të cilave janë krijuar pas dhe kanë ushtruar këtë veprimtari pas dy vendimeve shumë të rëndësishme. Një vendim i ERE-s për të favorizuar CEZ-in në dëm të KESH-it me një dëm të jashtëzakonshëm, katastrofik sipas denoncimit edhe të Drejtorit të KESH të kohës z. Zeqo, por edhe një vendim tjetër që t’i jepte mundësi kompanive të reja që do të krijoheshin për mbledhjen borxheve që të mos mblidhnin thjesht borxhet tek privatët, siç ishte parashikuar t’i mblidhte DIA, por të mblidhnin automatikisht detyrimet e Ujësjellësve, të Albpetrolit e të kompanive publike përmes një vendimi qeverie.

Një tjetër falsifikim që më vjen shumë keq që është bërë nga një njeri për të cilin unë kam shumë respekt në këtë sallë dhe që është referuar edhe në relacionin që ju keni sjellë, është se Ilir Meta paska shkuar në Pragë për të negociuar, sipas ish-Drejtorit të Cez, z. Hejsek, për këtë çështje.

Të merreni me spekulime të tilla kaq të mjera është turp për ju. Lexoji deklaratat edhe të Hejsek, pavarësisht se unë nuk kam ndonjë besim te ky zotëri, sepse kam qenë Ministër i Ekonomisë dhe zv/Kryeministër në kohën që Hejsek ka qenë Drejtor i CEZ-it, dhe vazhdimisht kemi pasur debate dhe probleme, pasi asnjëherë nuk i përmbaheshin përgjegjësive dhe detyrimeve të tyre dhe për shkak të mosfunksionimit të tyre Shqipëria ishte pa drita dhe përballej me probleme të jashtëzakonshme. Habitem se si titullarë të tjerë të qeverisë paskan kaq besim te ky zotëri, i cili ka bërë një deklaratë në Pragë, natyrisht për të justifikuar veten edhe në raport edhe me eprorët e tij për problemet e CEZ-it me e DIA-n, ku në mënyrë eksplicite ka bërë të qartë që këtë propozim për z. Ismailaj, ia ka bërë Ambasadori i Shqipërisë në atë kohë, i cili ka qenë në këtë detyrë kohë më përpara se Ilir Meta të bëhej Ministër i Jashtëm, duke i thënë zotërisë në fjalë se ky person ishte një njeri i besuar i Ministrit të Jashtëm dhe i Kryeministrit, Sali Berisha.

Kjo është shumë e qartë dhe juve kjo gjë ndoshta nuk ju pëlqen, por ky nuk është një problemi im. Unë nuk e besoj që z. Berisha ka qenë i implikuar në këto rekomandime dhe pse ambasadori ka qenë i emëruar prej tij, nuk ka qenë i emëruar prej meje, ka qenë edhe deputet i djathtë.

Juve ju pëlqen ajo pjesë që doni, ndërsa unë do t’i them publikut siç janë të vërtetat, dhe ju kërkoj të mos falsifikoni dhe manipuloni faktet. Mos u bëni pjesë e një operacioni mafioz politik, mediatik dhe financiar, sepse është një operacion që paguhet për të gënjyer dhe për të mashtruar.

Unë deklaroj me përgjegjësi maksimale para jush dhe të gjithë shqiptarëve se jo vetëm as më ka shkuar në mendje të shkoj në Pragë për të negociuar për një kompani të tillë apo për çdo lloj kompanie, por sepse kam qenë në Pragë për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë Socialiste Evropiane. Ka qenë edhe z. Balla atje, por nuk i kishim marrëdhëniet shumë të mira atëherë për arsye të koalicionit në të cilën unë ndodhesha. Natyrisht që kam bërë edhe takim me zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Çekisë. Nuk kam qenë në Pragë për të diskutuar me CEZ-in për çështje që nuk kishin lidhje me funksionin dhe me kapacitetin tim si Ministër i Jashtëm apo si zv.Kryeministër.

Është e ditur botërisht edhe nga vetë ju, se shumë prej jush e kanë pritur në zyrat e tyre Kastriot Ismailajn me gjithë partneren e tij amerikane, afrikano-jugore e kështu me radhë edhe përpara vitit 2009.

Është e ditur botërisht që z. Ismailaj ka pasur lidhjet e tij me CEZ-in, por kjo është çështje e tij. A i ka pasur përmes ambasadorit a më përpara , kjo nuk më takon mua ta sqaroj, por të hetohet dhe sqarohet.

Ajo çka është e qartë si kristali, është që Ilir Meta asnjëherë nuk ka ndërmjetësuar për një marrëveshje të tillë dhe s’ka pasur asnjë interes për të bërë këtë gjë.

Një fakt që ju të gjithë i ikni është fakti që kjo marrëveshje është nënshkruar më 1 shtator të vitit 2010, kur Ilir Meta ka qenë në Nju Jork si Ministër i Jashtëm dhe lobonte për çështjen e Kosovës. Ajo është firmosur nga Ministri i Ekonomisë në atë kohë, që me letra ishte i LSI-së, por praktikisht LSI-ja kishte kërkuar prej 6 muaj që ta largonte nga ajo detyrë, sepse ai përfaqësonte interesat e tij dhe porositë i merrte nga njerëz të tjerë në veprimet që kryente.

Dhe është ky person që ju gjithmonë e përdorni vazhdimisht kundër meje, ngaqë është edhe shumë i besueshëm në luftën e tij kundër korrupsionit dhe për transparencën. Ai ka miqësi me zotërinë në fjalë prej të paktën 18 vitesh, kur të dy kanë punuar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, dhe këtë e aprovon edhe z. Angjeli sepse ai ka qenë ministër në atë kohë.

Unë nuk dua të marr nëpër gojë asnjë nga ju dhe nuk e kam bërë këtë asnjëherë dhe nuk më pëlqen thashethemi dhe përgojimi. Ju thashë edhe një herë më parë se kam një muaj që ju lutem të mos nxitoni. Nuk dua të marr nëpër gojë as ish-kryeministrin, sepse ai ka të drejtën e tij si një person privat të punojë në mënyrë të ndershme. Nëse punon në mënyrë të pandershme ka organe ligjzbatuese, të cilat venë përpara përgjegjësi cilindo që shkel ligjin. Por edhe ju mos u angazhoni kaq shumë për të më marrë mua nëpër gojë vend e pavend, sepse nuk është në dinjitetin tuaj.

Keni bërë namin se qenka një dëshmitar E.M., por dëshmitarëve nuk u thuhet emri dhe ky na qenka e i LSI-së dhe e paska vënë Ilir Meta. Lidhur me dëshmitarin E.M., çështjen e të cilit e keni bërë kaq të madhe, duke e nxjerrë edhe te RD-ja, duke pretenduar se është i LSI-së, ka qenë i FRESSH-it, e ku di unë se çfarë. Unë t’ju them që ky dëshmitar ka qenë 3-4 muaj në LSI, është konfliktuar me një të ri aty për motive të dobëta dhe është përjashtuar nga LSI dhe nuk ka asnjë lidhje me këtë forcë politike prej 10 vitesh. Ka bërë punën e tij, aktivitetin e tij, por kjo është çështje e tij. Ka edhe ai problemet e veta me drejtësinë, ka probleme edhe një afërme e tij me drejtësinë për këtë çështje, pasi kanë përfituar sipas akuzës së prokurorisë në mënyrë të paligjshme, etj.

Si mund të besoni ju njerëz të tillë, që kanë probleme me drejtësinë, që pranojnë që kanë kryer veprime të paligjshme, thjesht se jua do interesi politik. Jo vetëm kaq, por ky person jo vetëm që ka 10 vjet që nuk ka asnjë lidhje me LSI-në, por kishte edhe vëllanë nga viti 2009 deri në vitin 2013 me inicialet E.M. këshilltar të Kryeministrit. Natyrisht që ky fakt nuk mjafton, sepse unë nuk jam i papërgjegjshëm, që të them meqë ka pasur vëllanë në Kryeministri atëherë kjo ka qenë një porosi e Kryeministrit të asaj kohe që ky të përcaktohej drejtor. Ato janë punët e tyre dhe unë nuk e bëj këtë gjë. Këtu dalloj unë nga ju. Unë nuk merrem me spekulime.

Lidhur me përgjegjësitë e mia në pesë muaj si Ministër i Ekonomisë dhe Energjisë, Ilir Meta ka pasur vetëm një institucion në varësi institucionale për këtë çështje: KESH-in, drejtorin e KESH-it që ka qenë z. Ëngjëll Zeqo. Dhe shikoni të gjitha veprimet e drejtorit të KESH-it të bëra me porosinë time si ministër. Ai merrte porosi nga unë, sepse ERE nuk ishte në varësinë time si ministër. ERE normalisht duhet të ishte dhe duhet të jetë e pavarur. Të gjithë anëtarët e bordit të ERE-s, ishin vendosur që përpara vitit 2009. Dhe drejtori i KESH-it e ka kundërshtuar në mbledhjen e parë vendimin, e ka kundërshtar pasi është ribërë mbledhja pas kërkesës së tij për t’u rigjykuar çështja nga ERE. E ka paditur vendimin e ERE që dëmtonte interesat e KESH-it në Gjykatën e Shkallës së Parë, e ka paditur edhe në Gjykatën e Shkallës së Dytë. Këto janë fakte tepër kokëforta dhe njëkohësisht është një fakt shumë kokëfortë që më pas përsëri kemi një ulje të çmimit në interes të CEZ-it dhe në dëm të KESH-it në një periudhë të mëvonshme, që i hapi rrugën edhe krijimit të shumë kompanive të tjera, të cilat mblidhnin ose kanë mbledhur 80% të borxheve nga 20% që ka mbledhur kompania DIA.

Kastriot Ismailaj nuk më ka kërkuar asnjë favor dhe nuk i kam bërë asnjë favor. Kjo gjë duhet të jetë fare e qartë për ju dhe për cilindo tjetër. Së dyti, në qoftë se më gjeni një letër si ato letrat e ish-ministrave tuaj që justifikon në kërkesën e vet ERE-s për problemet që kishte CEZ-i, që automatikisht pastaj do të çonte në një vendim që do të dëmtonte interesat e KESH-it, nuk keni nevojë fare të më kërkoni dorëheqjen, sepse dorëheqjen e jap vet unë.

Kur nuk keni prova dhe fakte, mos u konsumoni kaq shumë duke stërpërdorur Tom Doshin dhe Dritan Priftin për herë të tretë për të shpifur kundër Ilir Metës. Mos u bëni pjesë e këtij operacioni mafioz, politik, mediatik dhe financiar.

Më kërkoni dorëheqjen mua, se u ka thënë kryetari i partisë, ia pafajshmi Lulzim Basha. Po përse duhet të jap unë dorëheqjen? Se ka mashtruar gazetarja e BIRN-it? Sepse kompania që mbron interesat e OSSHE-së ka bërë të qartë se nuk e ka përmendur në asnjë rast emrin e Ilir Metës? Përse duhet ta jap unë dorëheqjen nuk e kuptoj, mbi çfarë baze, mbi çfarë fakti, mbi çfarë prove? Mbi dëshirën tuaj?

Thatë ke dhënë dorëheqjen atëherë, jepe prapë tani. U mësuat keq me dorëheqjet e mia. Po e kam dhënë atëherë edhe pse z. Berisha më ka thënë mos e jep dorëheqjen se çështja është montazh, por unë i kam thënë: jo do të jap dorëheqjen për disa arsye. Por arsyeja kryesore për të cilën kam dhënë dorëheqjen është se kisha konflikt interesi me cështjen, duke qenë Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, që të hetohesha nga Prokuroria për një çështje që akuzohesha, që kishte lidhje me atë ministri dhe ku do të hetoheshin ato dokumente. Keni ndonjë pretendim për veprimet e mia apo mosveprimet e mia si Kryetari i Kuvendit, që të jap dorëheqjen?

Pse, sa herë që gjeni ju ndonjë mashtrues, ndonjë ngatërrestar, ndonjë mafioz, që të bëjë deklarata do të jap unë dorëheqje? Po kush më kërkon dorëheqje mua? Lulzim Basha. Unë e dhashë shembullin tim. dhashë dorëheqje para katër vitesh, ndërsa Lulzim Basha i ka ikur gjykatës, i ka ikur procesit, duke shpikur raporte mjekësore nga më absurdet, duke sajuar vizita jashtë shtetit dhe duke e mbyllur çështjen në afat edhe për çështje procedurale. Ndërsa unë i kam shkuar gjykimit deri në fund, në mënyrë të plotë.

Prandaj nuk e marr si personale. E kuptoj që ndoshta është një shqetësim për ta zbardhur sa më shumë këtë çështje. Ndoshta është edhe faji im që nuk kam folur më përpara pak më hapur, por kam menduar që do të ndërgjegjësoheshit.

Unë jam për një hetim ndërkombëtar, jam edhe për një hetim amerikan, dhe e dini pse kam thënë hetim amerikan? Sepse kam dëgjuar të gjithë këta mafiozët që thonë se shkrimi është bërë me porosi të Ambasadës Amerikane, se këtë gjë na e tha filani nga Ambasada Amerikane. Dhe unë jam nga ata, që ballafaqohet me shqiptarët, me amerikanët dhe me evropianët pa asnjë shqetësim, sepse jam i bindur tek drejtësia, jam i bindur tek e vërteta dhe jam i bindur tek transparenca.

Por unë nuk do të bie asnjëherë në pozitën tuaj që të merrem me fjalë dhe përgojime, të merrem me mashtrime dhe të merrem me falsifikime. Dhe këtë mos merrnin si dobësi, kjo ka të bëjë me karakterin tim, ka të bëjë me personalitetin tim, sepse unë nuk e ndërtoj punën time duke u përpjekur për të diskretituar të tjerët, por e ndërtoj me personalitet, e ndërtoj me dinjitet dhe kjo është arsyeja edhe që dikush mërzitet pse votohet partia që unë drejtoj.

02.10.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.