Postuar me: 6:55 11-06-2012

Flet Zaganjori: Tërheqja, s’më telefonoi asnjë politikan

Shperndaje
Etiketat

Kandidati i maxhorancës për President sqaron arsyet e largimit nga gara.

“Asnjë diplomat apo politikan s’më detyroi të tërhiqem”

Zaganjori: Keqkuptim nga maxhoranca? Kërkoj ndjesë.

Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, kandidati konsensual i partive të maxhorancës për President, Xhezair Zaganjori, u jep për-gjigje të gjitha aludimeve rreth tërheqjes së tij nga gara. Në momentet që e kontaktuam në telefon, zoti Zaganjori ishte duke u marrë me fizkulturë dhe pranë familjes. Ai është ndjerë keq nga sulmet personale që opozita i bëri gjatë ditëve që ishte kandidat i propozuar nga maxhoranca, akuza që lidheshin me anën profesionale të tij dhe të ushtrimit të detyrës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Këto akuza kanë ndikuar, sipas tij, në vendimin për t’u tërhequr nga gara, ndërsa sqaron se nuk ka pasur asnjë telefonatë nga asnjë diplomat i huaj për ta bërë këtë apo ndonjë politikan. Ai kërkon të vazhdojë jetën e qetë pranë familjes dhe ushtrimit të profesionit të tij si jurist.
Mirëmbrëma zoti Zaganjori, ju i keni shmangur deklaratat publike, por ka interes të dimë se përse ju u tërhoqët nga gara?
Më falni, se mezi po marr frymë se sapo bëra pak fizkulturë. Në fakt, në media është shkruar se unë nuk kam dhënë informacion për vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk mund të flas dhe s’mund të akuzohem pse nuk jap informacion për këtë punë, për vendimet e Gjykatës, se si kanë vendosur dhe votuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese për çështje të caktuara. Ka një rregull për këtë, ato zbardhen dhe bëhen publike në kohën e duhur. Kjo është ABC-ja e etikës profesionale të një gjyqtari.
Cila ka qenë arsyeja e tërheqjes suaj?
Në fakt u bënë disa gjëra bashkë. Unë u ndesha me shumë akuza nga opozita, të cilat nuk kishin lidhje me procesin, por me mua personalisht. Në këto kushte, unë nuk mund të isha në qendër të sulmeve politike si individ dhe si profesionist. Në këto rrethana, unë mendova se duhet t’i hap rrugë procesit.
Ju në fakt, në një deklaratë që në nisje të procesit, keni thënë se do të jeni kandidat deri në raundin e tretë. Kjo ka qenë e paramenduar, apo lidhej me mungesën e konsensusit? Prisnit që të arrihej konsensus deri në raundin e tretë rreth emrit tuaj?
Kjo lidhej kryesisht me konsensusin. Nëse gjërat do të rridhnin ndryshe, akuzat do të ishin thjesht për procesin dhe jo për mua, unë do të vazhdoja. Por, konsensusi nuk u arrit dhe unë u vendosa në qendër të akuzave, u vunë dyshime serioze ndaj figurës sime për vendimmarrjen si të njëanshme, të cilat janë të pasakta dhe të padrejta, prandaj dhe u tërhoqa. Unë nuk mund të ndryshoja opinionet e politikanëve, nuk ishte në dorën time.
Si e priti politika tërheqjen?
Nuk e di, politika ka punën e vet, unë e vlerësoj shumë kandidimin tim nga maxhoranca. Nëse ka ndonjë keqkuptim, unë i kërkoj ndjesë, sepse unë e vlerësoj sinqeritetin dhe dashamirësinë e tyre për propozimin që më bënë.
Ju keni pasur telefonata nga ndonjë ambasador apo politikan që t’ju ketë kërkuar tërheqje nga gara për President?
Nuk e kuptoj pse bëhen këto komente. Nuk më ka telefonuar dhe s’më ka detyruar askush. Unë nuk kam pasur fare kontakte me asnjë ambasador. Ishte një tërheqje për shkaqe personale.
Mund ta sqarojmë këtë pikë që mbetet gjithsesi me shumë hije për opinionin publik?
Jo, jo, nuk kam çfarë të sqaroj. Me vjen keq, me gjithë respektin që kam për gazetën tuaj, por tani jam me familjen dhe jam i përkushtuar ndaj saj. Nuk kam çfarë sqaroj asgjë. Ju faleminderit.

ARISTIR LUMEZI

Burimi : Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.