Postuar me: 10:07 12-06-2012

Francë, socialistët fitojnë edhe në zgjedhjet parlamentare

Shperndaje
Etiketat

Partia e Presidentit Hollande bashkë me aleatët merr shumicën absolute

Rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë tregojnë se socialistët e Presidentit, Fransua Hollande, kanë siguruar shumicën e nevojshme për të çuar përpara reformat ekonomike. Rezultatet zyrtare nga Ministria e Brendshme tregojnë se socialistët dhe aleatja e tyre, Partia e Gjelbër, kanë fituar afro 46 për qind të votave, ndërsa partia e ish-presidentit Nikolas Sarkozy ka siguruar 34 për qind të tyre. Kështu pas më shumë se një muaji pas zgjedhjes së socialistit François Hollande për President të vendit, forcat e krahut të majtë në Francë fitojnë bindshëm edhe në zgjedhjet parlamentare. Siç bëhet e ditur pas raundit të parë që u zhvillua të dielën Partia Socialiste e Presidentit të ri francez, Francois Hollande mund të arrijë së bashku me të Gjelbërit një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare në Paris. “Mendoj se francezët kanë dashur t’i japin sinjalin e besimit Fransua Hollande dhe ndryshimeve që tashmë kanë nisur të ndodhin me qeverinë e tij. Dhe, kjo është ajo në të cilën kemi insistuar. Ne kemi nevojë për një shumicë, për të vazhduar në çështjen e punësimit, rritjes ekonomike dhe drejtësisë”, ka thënë liderja e Partisë Socialiste, Martine Obri. Konservatorët e djathtë të ish-presidentit Nicolas Sarkozy, pa koalicion mundën në të gjithë vendin të arrijnë një rezultat gati të ngjashëm si socialistët. Por mungesa e partnerëve të një koalicioni të përshtatshëm bën që ata të jenë të vetëdijshëm për pozicionin e tyre në opozitë. Zgjedhjet e së dielës kanë treguar rritje të mbështetjes edhe për ekstremistët e djathtë, përkatësisht për Frontin Kombëtar të Marine Le Pen, e cila ka kërkuar që Franca të braktisë euron dhe të luftojë kundër “islamizimit të vendit”. Le Pen duket se është shumë afër zgjedhjes për në Asamblenë Kombëtare nga momenti që ka arritur të marrë 48,21% të votave në Hènin.-Beaumont, në veri të Francës. Përbërja përfundimtare e Asamblesë së re Kombëtare me 557 anëtarë gjithsej do të konfirmohet pas raundit të dytë të zgjedhjeve më 17 qershor. Në të gjitha ato zona elektorale ku asnjë nga kandidatët nuk ka arritur shumicën absolute do të ketë edhe një herë votime. Por shqetësuese ka qenë pjesëmarrja e ulët në votime, shumë herë më e ulët se në zgjedhjet presidenciale të muajit të kaluar. Rreth 43 për qind e francezëve nuk morën pjesë fare në votime. Raundi i dytë i votimeve është parashikuar për të dielën e ardhshme, në të njëjtën ditë kur do të mbahen zgjedhjet edhe në Greqi.

Fitorja  – Pas më shumë se një muaji pas zgjedhjes së socialistit François Hollande për President të vendit, forcat e krahut të majtë në Francë fitojnë bindshëm edhe në zgjedhjet parlamentare

Pjesëmarrja – Rreth 43 për qind e francezëve nuk morën pjesë fare në votime. Raundi i dytë i votimeve është parashikuar për të dielën e ardhshme, në të njëjtën ditë kur do të mbahen zgjedhjet edhe në Greqi

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.