Postuar me: 9:01 26-05-2012

Fushata e stisur presidenciale

Shperndaje
Etiketat

SAMI NEZA Edhe pse ka mbetur vetëm një javë prej votimit të parë në Parlament për zgjedhjen e Presidentit, ende nuk është mbyllur përpjekja për ta zgjedhur Presidentin nëpërmjet rrugës informale, ekstraligjore, atë nëpërmjet një procesi politik paraprak të quajtur konsensual. Rrallëherë ka pasur kaq presion të madh ndaj maxhorancës për të devijuar nga situata ligjore që çojnë në zgjedhjen e Presidentit jashtë Parlamentit dhe kthimin e këtij të fundit në një noter formal të vendimit politik, prodhuar përmes tryezave politike dhe interesave nën nivelin e Presidentit, që zakonisht shfaqen në momente të tilla.  Ku e mbështetin nevojën për një proces politik e konsensual paraprak dhe pse ka interes për një proces të tillë nga palë të caktuara? – Nevoja për në proces politik konsensual që sjell zgjedhjen e Presidentit mbështetet nga artikuluesit e këtij procesi te Kushtetuta, e cila, sipas tyre, konsideron zgjedhjen e një Presidenti përmes një procesi konsensual. Në fakt, Kushtetuta në asnjë vend nuk e përmend këtë fjalë. I vetmi moment që i drejtohet subjektivisht profilit të Presidentit është ai që “Presidenti përfaqëson unitetin e popullit”, një reminishencë jo vetëm teknike e hartuesve të Kushtetutës së vitit 1998. Në një sistem pluralist nuk mund të flitet për unitet të popullit, por për demokraci të qytetarëve, megjithatë, duke e shijuar tërësisht pozitivisht një përcaktim të tillë, bëhet fjalë për mishërim të unitetit të popullit kur ai zgjidhet dhe jo përpara se të zgjidhet. Nuk ka asnjë masë që të masë këtë lloj përfaqësimi përveç zbatimit të detyrimeve ligjore prej vetë Presidentit, pra pasi dikush zgjidhet në këtë post. Nëse mendojmë se do të gjejmë një masë të tillë për një parapresident, do të dështojmë që në nisje. Dy njerëzit me më shumë mbështetje në popull sot janë Sali Berisha dhe Edi Rama, dhe secili prej tyre nuk e plotëson kushtin e mësipërm. – Ndërkaq, nevoja për një proces politik konsensual ka synim të atakojë besueshmërinë e maxhorancës për të prodhuar nëpërmjet propozimeve të saj një institucion të pavarur. Sipas partizanëve të procesit politik, çdo kandidaturë e dalë prej maxhorancës do të komprometonte pavarësinë e Presidencës dhe institucioneve që janë rrjedhim edhe i dekreteve të Presidentit, siç është Gjyqësori, Prokuroria, shërbimi diplomatik dhe shërbimi sekret. Edhe në politikë, ashtu si në fushën shkencore, për të vërtetuar një hipotezë nevojiten fakte, pra jo një hipotezë tjetër. Dy presidentët e prodhuar me Kushtetutën e vitit 1998 janë propozuar nga e djathta, e cila e ka sërish fjalën. Në të dyja rastet nuk kemi pasur presidentë të varur prej saj, por, në fakt, nuk kemi pasur as presidentë të pavarur tërësisht. I pari, Alfred Moisiu, nën presionin e qeverisë së majtë të asaj kohe, deformoi raportet e KQZ-së përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2003, ndërsa i dyti, Bamir Topi, e përdori vitet e fundit Presidencën për të riçelur rrugën e pushtetit politik pas largimit nga Presidenca, sjellje që qartësohet më shumë pas ngjarjeve të 21 janarit. I pari ka qenë kandidaturë e procesit politik, siç kërkohet sot, dhe i dyti ka qenë produkt i zbatimit pikë për pikë të nenit kushtetues, pra Parlamenti ka zgjedhur pa proces politik paraprak Presidentin. Kështu, procesi politik, po aq sa edhe mungesa e tij para votimit në Parlament, nuk është ai që siguron profilin e presidentit që kënaq të gjithë dhe gjithë kohën. Kjo nuk do të thotë se propozimi i maxhorancës për Presidentin është një garanci e palëkundur për profilin e pavarur të Presidentit, po pse duhet të jetë më shumë garanci për një profil të tillë propozimi i ardhur apo i mbrujtur nga opozita. Duke goditur aftësinë dhe legjitimitetin e maxhorancës aktuale për të prodhuar institucione, në fakt goditet sistemi që mbështetet pikërisht tek aftësia dhe më tej legjitimitetit i maxhorancave për të prodhuar institucione. Kjo paradigmë është ngritur mbi një histori të gjatë përvojash, përmes të cilave është vërtetuar tashmë se vullnetet e shumicës japin produkte më të qëndrueshme dhe më me kredibilitet se ato të pakicës. Edhe ligji për këtë arsye oksidental u jep më shumë të drejta maxhorancave. Ta zëmë pse një President i furnizuar me pushtetin e pakicës do të kishte profil që siguron më shumë unitetin e popullit se një President i furnizuar me pushtetin e shumicës. Kush prodhon më shumë pavarësi: një President i dobët, apo një President i fortë, brenda përkufizimeve të mësipërme? – Procesin politik e kërkon opozita për shkak se debatet politike gjithnjë e favorizojnë atë. Duke qenë e qartë se nëse ligji zbatohet, Presidenti nuk mund të marrë udhë prej propozimesh informate, ajo ka edhe gurin, edhe arrën në xhep. Opozita kërkon një proces politik për Presidentin duke spekuluar me funksionimin e demokracisë dhe pavarësisë së institucioneve, e elektoralizon dhe e ideologjizon procesin në masë të madhe, sa çfarëdo zgjidhje të marrin “presidencialet”, duket se është e fituar në këtë debat. Nëse ka një emër Presidenti nga procesi, ajo është e fituar se ka iniciuar procesin dhe nëse nuk del ky emër prej këtij procesi, ajo del e fituar se maxhoranca refuzon procesin. Përgjatë gjithë këtij debati nuk është dëgjuar një eksponent i opozitës të flasë për votimin në Parlament, pasi ky moment do ta kthente atë në një terren të zbatimit të ligjit, çfarë nuk i intereson, pasi fashiten qëllimet e fushatës së stisur “presidenciale”. Por nuk është e vështirë të zbulosh falsitetin e nevojës së një procesi paraprak konsensual. Autorët e procesit deri tani nuk kanë nxjerrë një emër me të cilin të identifikohet nevoja e procesit ekstraparlamentar. Ata kanë nxjerrë vetëm kushte. Ndërsa partizanët e tjerë të procesit, që kësaj here janë edhe ngjitur me maxhorancën, nuk kanë kushte, por kanë emër, Fatos Nanon. Emri i këtyre të fundit nuk plotëson kushtet e atyre të parëve. Pra procesi përgjatë një procedure verifikimi nga vetë partizanët e tij është një ekuacion që nuk merr zgjidhje. Procesi politik ekstraparlamentar nuk sjell një President që pretendohet. Ky proces ka rrjedhime të tjera në kurriz të Presidentit të ri. Por, një proces politik brenda kornizës ligjore të zgjedhjes së Presidentit e brenda Parlamentit do të ishte normal. Në pesë raunde dhe javët mes këtyre raundeve ka mundësi që gara të filtrojë profile të ngjashme me Presidentin e duhur. Profile të cilat mund të plotësojnë disa prej kushteve të shpalosura prej opozitës dhe disa prej deklaratave të maxhorancës. Në fund të fundit, ai do të jetë një President i dalë prej Parlamentit për shkak të detyrës që Parlamenti ka, dhe jo si rrjedhim i pazareve të politikanëve që nesër do t’u kërkojnë t’ua di për nder punësimin.

Burimi: Panoram

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.