Postuar me: 13:43 15-06-2012

G20, i gjithë takimi i përqendruar te menaxhimi i krizës së euros

Që prej fillimit të krizës financiare, Europa nuk ka qenë shumë e besueshme

Vendet e G20-s, ose 20 vendet më të industrializuara të botës, do të mblidhen së bashku për të folur kryesisht për krizën globale në Meksikë, në fillimin e javës së ardhshme. Në takimin e G20-s tema kryesore do të jetë kriza e borxheve në Eurozonë. BE-së i duhet jo vetëm të tregojë si do ta menaxhojë krizën, por edhe të tregojë si do të luftojë humbjen e besimit tek partnerët joeuropianë. Nga takimi priten shumë. Tregjet globale financiare presin të tensionuara të mësojnë nëse takimi i G20-s do t’ia dalë mbanë të japë përgjigje për krizën. Për pjesëmarrësit e nivelit të lartë nga BE-ja, kryesore është të tregojnë në takim vendosmëri dhe aftësi për të vepruar. Sepse sa më shumë që zgjat kriza, aq më shumë bota vë në dyshim vendosmërinë e Brukselit. Takim i G20-s ka të bëjë me krizën financiare, por edhe me imazhin e gjithë BE-së. Unioni ndodhet si institucion ekonomik dhe politik në provë në pokerin global të forcave për pushtet. Që prej fillimit të krizës financiare, Europa nuk ka qenë shumë e besueshme, mendon Almut Möller nga “Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme”. Në bisedat e zhvilluara gjatë takimeve të ministrave të Jashtëm të vendeve jo anëtare të BE-së, “tematizohet gjithnjë humbja e pushtetit të Europës”. Shpesh shtrohet pyetja nëse europianët janë në gjendje të mposhtin krizën. Kjo mungesë besimi e pengon BE-në në takimet ndërkombëtare të rëndësishme, thotë ekspertja. “Sepse mendimi i pjesëmarrësve është se ylli i Bashkimit Europian është duke u shuar pa u ndezur mirë”, kështu që BE e ka të vështirë të vërë në jetë idetë e tij në politikë. Një vështirësi tjetër është mungesa e vendosmërisë së BE-së. Vendet jashtë BE-së e kanë të vështirë të kuptojnë konfuzionin e interesave në vendimet e marra nga BE dhe të interesave shpesh kontradiktore të vendeve të veçanta. Shprehja e famshme e ish-ministrit të Jashtëm amerikan, Henry Kissinger, për Evropën, është vlerësuar gjithnjë si aktuale. Kissinger ankohej se nuk e dinte kë të merrte në telefon në Europë, sepse Europa flet me shumë zëra, dhe jo me një. Gjeopolitikisht, BE nuk ka ndikim si një njësi e vetme, kritikon profesor Ludger Kühnhardt nga “Qendra për studimin e integrimit europian” në Universitetin e Bonit. “Europa shfaqet në nivel ndërkombëtar për këtë çështje po ashtu si në shumë çështje të tjera shumë keq”. Kühnhardt mendon se nuk është mirë që në takimin e nivelit të lartë të G20-s, Europa përfaqësohet me përfaqësues të Bashkimit Europian dhe me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së. “Për çdo jo europian, sidomos për fuqitë e reja Indonezia, Amerika Latine dhe Afrika e Jugut, kjo sjell konfuzion. Kjo nuk ndihmon për t’i lënë pjesëmarrësve të G20-s përshtypjen e një kontinenti të bashkuar”. Kühnhardt thotë se pjesë të politikës dhe ekonomisë kërkojnë prej vitesh që BE të prezantohet në takimet e G20-s me një përfaqësi të përbashkët dhe jo me shtetet e veçanta anëtare. Ky diskutim është dëgjuar edhe nga kancelarja Angela Merkel. Me një apel “Për më shumë Europë” ajo tregon hapur shqetësimin e saj për rreziqet që paraqet kriza europiane. Momentin e bërjes së këtij apeli ajo e zgjodhi mirë. Ajo duhet të kërkojë temp më të lartë, sepse nuk është vetëm takimi i G20-s që pritet të mbahet, por edhe zgjedhjet në Greqi në fundjavë. Aty do të vendoset nëse Greqia do të largohet nga Eurozona. Në fund të qershorit zhvillohet takimi i radhës i BE-së, në të cilin do të merren vendimet kryesore për krizën ekonomike.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.