Postuar me: 13:04 07-06-2012

Gati ndryshimi: Pensionet, skemë e re për rritjen e përfitimit

Shperndaje
Etiketat

Ministri i Financave dhe ekspertët e ISSH: Pension më të lartë për ata që paguajnë më shumë, sigurim me detyrim te privati.

Bode: Gati ndryshimet, kush paguan, do marrë më shumë.

Dy do të jenë ndryshimet kryesore që pritet të ketë skema e re e pensioneve që Shqipëria po harton nën asistencën e Bankës Botërore.
Detajet i bëri të ditura dje ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili u shpreh se tashmë kjo skemë është gati dhe se pritet që së bashku me opozitën t’i jepet zgjidhje. Bode vlerësoi se do të bëhet gjithçka që skema të kthehet në një skemë atraktive për qytetarët, duke i nxitur ata të bëhen pjesë e saj çka do të ndikojnë në rritjen e kontributeve.
Merr sa paguan
Skema e re e pensioneve, sipas ministrit të Financave, do të rregullojë disbalancat që ekzistojnë mes kontribuuesve dhe përfitimeve që ata marrin pas daljes në pension. Sot një pension maksimal është sa dyfishi i pensionit minimal, ndërsa pagesa e kontributeve është sa pesëfishi. Pra, një person me pagë të lartë paguan kontribute pesë herë më shumë se një person me pagë të ulët, por merr një përfitim kur mbush moshën vetëm dy herë më të madh. “Ky sistem i ri që është formuluar, tashmë synon zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare të një sërë çështjesh të tilla si vendosja e elementeve shtytëse të rritjes së pjesëmarrjes dhe pagesës së kontributeve mbi pagat reale, duke eliminuar faktorët që kanë çuar në shkëputjen e madhësisë së kontributit dhe madhësisë së pensionit, sidomos në rastet e kontribuuesve me pagën mbi mesatare”, tha Bode.
Sistemi me tri kolona
Skema e re e pensioneve, ashtu sikurse pritej, do të ketë tri kolona. Aktualisht ajo funksionon me dy të tilla. Ministri Ridvan Bode u shpreh se masa të tilla ndikojnë në rritjen e përfitimit për qytetarët pasi e kalojnë skemën nga asistenciale në pensionale. “Skema synon plotësimin e sistemit të sigurimeve shoqërore me të gjitha kolonat, me qëllim garantimin për të gjithë popullsinë të elementeve të sigurimit shoqëror të harmonizuar, por edhe duke rritur ndërgjegjësimin e individit për përfitimin në moshën e tretë”, tha Bode në fjalën e tij. Por çfarë është një skemë me tri kolona? Sot skema aktuale funksionon me dy kolona. Kemi sigurimin e detyrueshëm në një përqindje të caktuar të pagës, e cila paguhet pranë ISSH-së dhe, nga ana tjetër, kemi edhe pensionet vullnetare pranë subjekteve të licencuara. Një sistem trikolonësh përfshin një sigurim të detyrueshëm pranë ISSH-së në një masë të caktuar të pagës që garanton një minimum përfitimi, një sigurim të detyrueshëm në një subjekt të licencuar nga shteti, si dhe një sigurim vullnetar në formën e një “depozite” për ata që duan që përfitimet t’i kenë të larta kur të vijë mosha e pensionit. Në gjithë fjalën e tij dje ministri i Financave nuk përmendi asgjë që kishte të bënte me rritjen e moshës së daljes në pension, një variant që u diskutua mjaft dhe që gjeti kundërshtim të fortë në publik.

Sistemi me tri kolona
Kolona e parë:
 Sigurimi i detyruar i të gjithë të punësuarve në një përqindje të caktuar të pagës, për të pasur një minimum të ardhurash kur ata të dalin në pension.

Kolona e dytë: Sigurim i detyrueshëm sipas nivelit të të ardhurave të të punësuarve, por që bëhet te privati sipas zgjedhjes individuale të qytetarit.

Kolona e tretë: Sigurim vullnetar në një subjekt privat të licencuar nga autoritetet për ata që duan të kenë përfitime të larta në kohën e pensionit. Kjo funksionon në formën e një “depozite”.

Rritja e pensioneve
Pensioni minimal qyteti

Është: 11 117 (baza) + 2150 (subvencione) = 13 267
Bëhet: (shtohet 3.5%)
11 506 (baza) + 2150 (subvencione)= 13 656
Shtesa 389 lekë/muaj

Pensioni maksimal qyteti
Është: 22 234 (bazë) + 500 (subvencione) = 22734
Bëhet: (shtohet 3.5%)
23 012(bazë) + 500( subvencione) = 23 512
Shtesa 778 lekë/muaj

Pensioni fshati
Është: 7468 (bazë) + 890 (subvencion)= 8358
Bëhet: (shtohet 5%)
7841(bazë) + 890 (subvencion = 8731
Shtesa 373 lekë/muaj

Sa rriten përfitimet në korrik. Në 2013 fshati barazohet me qytetin
Qeveria vijon të deklarojë se do të ketë rritje të pensioneve për fshatin dhe qytetin në nivelet respektive prej 5 përqindësh dhe 4 përqindësh për vitin 2012. Por, duket se kjo nuk do të jetë e mundur në një kohë kur mosrealizimi i të ardhurave është i dukshëm dhe ulja e shpenzimeve po bëhet gjithmonë e më shumë e nevojshme. Në këto kushte pritet që rritja e pensioneve të fshatit dhe qytetit të bëhet respektivisht me 5 për qind dhe 3.5 për qind. Aktualisht një pension minimal në qytet është 11 117 lekë dhe duke i shtuar edhe përfitime të tjera të skemës që përfshijnë subvencione të ndryshme, përftimi në fund arrin në 13 267 lekë/muaj. Pas shtesës prej 3.5 përqindësh pritet që pensioni minimal i qytetit të bëhet 13 656 mijë lekë/muaj. Nga ana tjetër, rritja me 5 për qind për fshatin e çon pensionin nga 7468 lekë që është aktualisht, në 7841 lekë në muaj, pa përfshirë këtu subvencionet që përfshin qeveria. Në vitin 2013 pritet që të bëhet edhe barazimi i pensionit të fshatit me atë të qytetit, çka nënkupton një rritje mjaft të lartë. “Rritja më e madhe edhe e diferencuar e pensioneve të fshatit bëhet në zbatim të strategjisë së zhvillimit të skemës së sigurimeve shoqërore, me qëllim barazimin  e tyre me pensionet e qytetit në vitin 2013”, tha dje ministri i Punës, Spiro Ksera. Kjo rritje e theksuar që do të barazojë pensionet për fshatin dhe qytetin do të bëhet pikërisht në një vit elektoral, siç është 2013-ta, dhe ashtu siç ka ndodhur gjithmonë në fillim të muajit maj.

Braho: Edhe emigrantët do të përfitojnë pensione

Nëndrejtori Hado: Informatizimi i sistemit do shpejtojë marrjen e përfitimit

Konferenca me rastin e 20-vjetorit të krijimit të ISSH

Dixhitalizimi i sistemit të sigurimeve shoqërore, ofrimi i një shërbimi sa më transparent dhe të shpejtë për qytetarët, administrimi më eficient i skemës, janë paraqitur ditën e djeshme nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore si sfidat kryesore.
Në fjalën e saj me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, drejtoresha e këtij institucioni, Vjollca Braho, vlerësoi rolin që ka luajtur dhe luan ISSH. Duke bërë një paraqitje të objektivave, Braho u shpreh se ka një rëndësi të madhe dixhitalizimi i sistemit, duke dhënë kështu një panoramë të qartë të situatës. Kjo, sipas saj, do të ndikojë në atë që ISSH e quan “pension i merituar”, pra, kush ka kontribuar, do të përfitojë. Një pastrim total i sistemit do të jetë një avantazh për këtë pjesë, duke garantuar shërbim dhe eficiencë për qytetarët kontribuues. Një tjetër pikë e rëndësishme që Braho ka theksuar ka qenë garantimi i përfitimit që skema bën për emigrantët që jetojnë jashtë Shqipërisë. “ISSH, në bashkëpunim me patronate në Itali, INAS, ACLI, e ACAI, të cilat kanë degët e saj në të gjithë Italinë, që së fundi kanë punësuar edhe shumë bashkatdhetarë tanët. Gjithashtu është në kontakt të vazhdueshëm me vende të tjera ku ka emigrantë shqiptarë me qëllim që t’u krijojë atyre mundësi që të informohen për procedurat e plotësimit të periudhave të sigurimit të kaluara të pambuluara me kontribute për sigurimet shoqërore, si dhe për t’u përfshirë në kushte përftimi nga legjislacioni i sigurimeve shoqërore në momentin e lindjes së të drejtave për çdo lloj përfitimi”, tha Braho. Po kështu edhe nëndrejtori i Përgjithshëm i ISSH-së, Astrit Hado, në fjalën e tij gjatë aktivitetit, theksoi rëndësinë e strategjisë së informatizimit të të gjithë sistemit. Kjo, sipas Hados, aktualisht është në fazë implementimi dhe do t’i shërbejë mbi të gjitha rritjes së transparencës, shkurtimin e kohës për llogaritjet e përfitimit për individët, shmangien e burokracive, pagimin online të detyrimeve, shmangie e informalitetit e një sërë aspektesh të tjera pozitive.

NERTILA MAHO

Burimi:Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.