Postuar me: 10:41 13-06-2012

Gjykata u rikthen të majtëve nëntë anëtarë të Këshillit të Qarkut të Fierit

Shperndaje
Etiketat

Vlorë

Apeli rrëzon ndryshimet e bëra nga të djathtët në këshillat e bashkive e komunave

Deri tani, gjykata u ka kthyer të majtëve 9 nga 14 anëtarët e “shkarkuar” të këshillit të qarkut

Gjykata e Apelit të Vlorës i ka rikthyer dje së majtës me anë të vendimit të formës së prerë edhe tre këshilltarë të tjerë të Qarkut të Fierit. Dje, në këtë gjykatë, është zhvilluar seanca e fundit e procesit gjyqësor, që kishte si objekt shqyrtimi ndryshimet e kryera në Këshillin e Bashkisë së Fierit. Gjykata i ka cilësuar ndryshimet e këshilltarëve që e përfaqësojnë këtë njësi vendore në qark, të kryera nga të djathtët më 19 shtator të vitit të kaluar, si të paligjshme. Kështu, të majtëve në Qarkun e Fierit, të kryesuar nga Vangjel Ndreka, ju janë bashkangjitur edhe nëntë këshilltarë në total, të cilët u ndryshuan nga të djathtët gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar. Tashmë kanë përfunduar proceset gjyqësore të zhvilluara në Apel për ndryshimet e kryera në këshillat e bashkive të Fierit dhe Patosit, me nga tre këshilltarë secila, si dhe për nga një këshilltar të komunave Grabian, Dërmënas dhe Krutje. Ndërkaq, janë ende në proces ndryshimet e kryera në këshillat e Bashkisë së Divjakës për dy këshilltarë dhe të tre komunave me nga një këshilltar secila. Më datë 21 shtator të vitit të kaluar, kandidati i PS-së, Vangjel Ndreka u zgjodh si kryetar i Këshillit të Qarkut të Fierit, me 56 vota, kundrejt 40 që arriti të sigurojë rivali i tij, kandidati i PD-së Artur Shehu. Pas kësaj mbledhjeje të këshillit të qarkut, të djathtët ndryshuan përfaqësitë e disa bashkive dhe komunave. Ata ndryshuan përfaqësuesit e këtyre njësive vendore në këshillin e qarkut, por pa i mandatuar në këtë organ. Ndryshimet u kryen me vendime të marra në këshillat e njësive vendore, edhe për anëtarët e këshillit të qarkut. Të majtët i denoncuan në gjykatë si të paligjshme këto ndryshime dhe që prej nëntë muajve është zhvilluar një maratonë procesesh gjyqësore. Deri tanimë, nga 14 anëtarë të qarkut të ndryshuar nga të djathtët, për 9 prej tyre Gjykata e Apelit të Vlorës ka dhënë vendime të formës së prerë dhe i ka quajtur të paligjshme ndryshimet e kryera nga të djathtët. Megjithatë, me votat e këtyre këshilltarëve të paligjshëm, e djathta zhvilloi një mbledhje të këshillit të qarkut më 16 nëntor 2011 dhe zgjodhi një kryetar të ri, Artur Shehun, i cili mban ende vulën e kryetarit të Këshillit të Qarkut dhe paguhet për këtë detyrë.

13.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.