Postuar me: 9:13 11-06-2012

Greqia lufton për kredi për të shpëtuar nga kolapsi energjetik

Shperndaje
Etiketat

Kompanitë greke, borxhe deri në 350 milionë euro. Rëndohet situata 

Kompanitë e sektorit të energjisë në Greqi po kërkojnë kredi bankare me urgjencë për të paguar furnitorët e vet me synimin për të shmangur ndërprerjet masive të furnizimit me energji elektrike dhe gaz gjatë sezonit turistik, njofton agjencia “Reuters” duke cituar burime nga kjo industri.

Një rreth vicioz i rënies së kërkesës për energji, borxhesh të këqija e faturash të papaguara, si dhe rregullore të dëmshme për kompanitë, kanë krijuar një vrimë me përmasa 350 milionë euro në financat e sistemit energjetik të Greqisë. Greqia varet nga importi i gazit dhe një pjese të energjisë elektrike për të mbuluar konsumin e vet.

Kriza energjetike i shtohet krizës së përgjithshme ekonomike që ka përfshirë këtë vend prej vitesh, si dhe pasigurive që lidhen me zgjedhjet e 17 qershorit, ku mund të vendoset e ardhmja e Greqisë në eurozonë. Ajo rrezikon të shkaktojë ndërprerje me furnizim gjatë sezonit turistik, kur Greqia shënon edhe konsumin më të lartë vjetor.

Duke u përballur me rrezikun e ndërprerjeve, autoritetet dhe kompanitë e energjisë po kërkojnë kredi emergjence derisa të gjejnë zgjidhje më afatgjata. Shpërndarësi i gazit DEPA po flet me bankat vendëse për të siguruar paratë që i duhen për të paguar importuesit, rreth 120 milionë euro brenda këtij muaji.

Greqia e importon të gjithë gazin që konsumon nga jashtë. Rreth 80 për qind vjen nga Rusia. Sipas burimeve të “Reuters”, DEPA ka afat të paguajë deri më 22 qershor detyrimin që ka krijuar ndaj Gazprom. Por kredia mund t’i japë DEPA-s jo më shumë se disa javë kohë.

Në zemër të problemeve të sistemit të energjisë në Greqi është një vrimë prej 350 milionë eurosh humbje që janë pësuar nga operatori i rrjetit LAGHE. Deficiti është krijuar nga subvencionimet e stërmëdha që u paguhen prodhuesve të energjisë së pastër, projekte shumëmiliardëshe të realizuara më parë dhe që sot po rezulton se kanë kosto të papërballueshme.

Ndërkohë, dy shpërndarës privatë të elektricitetit në Greqi falimentuan së fundmi dhe nuk i shlyen detyrimet. Shumë konsumatorë në Greqi nuk po i paguajnë faturat e dritave, pasi qeveria shtoi në këto fatura edhe një taksë të jashtëzakonshme pronësie. LAGHE ka kërkuar gjithashtu kredi për të mbuluar deficitin.

Ndërkohë, kompania prodhuese e energjisë PPC, gjendet gjithashtu në vështirësi dhe në bisedime me bankat për të rifinancuar një borxh të mëparshëm që skadon në fund të këtij muaji. PCC mbulon me prodhimin e vet 70 për qind të kërkesës për energji të Greqisë, përgjithësisht me anë të termocentraleve të qymyrit dhe energjisë hidrike. Megjithëse është në pozicion më komod, kriza e ka ulur rezervën e saj financiare në vetëm 230 milionë euro, nga 525 milionë që i nevojiten për të rifinancuar borxhet që ka ndaj bankave.

Papunësia ka arritur në nivel rekord dhe 300 mijë konsumatorë kanë aplikuar për të përfituar ndihmë ekonomike në shlyerjen e faturave të dritave. Vjedhja e energjisë elektrike është rritur në stratosferë ndërsa ka numër të madh rastesh kur vidhen telat e bakrit. Në disa raste, vjedhësit kanë vdekur, pasi janë përpjekur të kryejnë lidhje të parregullta në rrjet.

Së fundmi “Standard & Poors” e uli vlerësimin e kreditit për PPC në CC, ky edhe dy shkallë e ndajnë nga shpallja e falimentit. “Ne besojmë se kompania ka shteruar burimet e veta të likuiditetit dhe aftësinë e vet për të respektuar detyrimet financiare gjatë vitit 2012, për shkaqe që nuk varen prej saj”, tha agjencia.

Ndërkohë, çdo financim i mundshëm nga bankat për LAGHE pritet të sjellë reagim negativ nga trojka e donatorëve e përbërë nga Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Europiane. Trojka ka kërkuar liberalizimin e çmimit të gazit e të energjisë elektrike. Por grekët besojmë se trojka do të mbyllë njërin sy për këtë rast, sepse situata është emergjente.

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.