Postuar me: 7:07 16-06-2012

Grupi D, Anglia fitore perballë Suedisë dinjitoze

Shperndaje
Etiketat

TIRANE-Një Angli rrokamboleske është shfaqur në ndeshjen e dytë në grup, përballë një Suedi me të vërtetë dinjitoze dhe që ua bëri jetën të vështirë ishullorëve. Plot pesë gola të shënuar, përmbysje spektakolare dhe ankth deri në vërshëllimën e fundit të kryesorit Skomina. Stadiumi olimpik i Kievit ka përjetuar ndoshta ndeshjen më emocionuese, për nga mënyra si u luajt dhe si rrodhën ngjarjet. Fund i lumtur për Anglinë, që vijon rrugën drejt cerekfinaleve, ndërsa Suedia e Zllatan Ibrahimovicit duhet të bëjë gati valixhet për t’u kthyer në shtëpi. Vikingët, edhe pse kanë luajtur mjaft bukur, me shpirt të lartë gare, nuk ia kanë dalë dot në fund të 90-minutave, duke regjistruar humbjen e dytë në dy ndeshjet e fazës së grupeve në “Euro 2012”. Pra, nuk kanë asnjë pikë, cka i skualifikon ata që tani për fazat e mëtejshme të këtij kompeticioni. Kjo, pasi Anglia dhe Franca mbajnë kreun e grupit me nga katër pikë secila, ndërsa Ukraina ka tri pikë. Të tria këto skuadra do ta vazhdojnë betejën mes tyre për të përcaktuar pas ndeshjeve të treta në grup dy skuadrat që kalojnë në cerekfinale. Anglia do të luajë me Ukrainën, ndërsa Franca ndaj Suedisë.

Po si nisi dhe u zhvillua ndeshja mes Anglisë dhe Suedisë. Me pak ndryshime në formacionet respektive, krahasuar me ndeshjet paraardhëse, me Keroll pjesë e sulmit të Anglisë, si “new entry”, të dyja palët janë treguar shumë të kujdesshme në prapavijë në pjesën e parë. Duket qartë se misioni parësor është të mos pësojnë, për të shpresuar më tej tek gjetja e golit me anë të kundërsulmit, filozofi loje që aplikohet nga të dyja skuadrat. Karakteristikë e lojës së Anglisë dhe të Suedisë është pasimi i gjatë, por edhe dalja nga krahët, me lojtarë të shpejtë dhe që arrijnë të fusin krosime të rrezikshme në zonat kundërshtare. “Tre Luanët” besojnë shumë edhe te goditjet standarde, sepse kapiteni Zherard i shndërron ato në asiste për sulmuesit, sidomos për ata që janë të aftë në lojën në ajër. Dhe përmes kësaj mënyre arrin të zhbllokojë rezultatin, teksa Keroll shënon me kokë në portën e Isaksonit, në minutën e 23-të. Ky është një moment deciziv për të besuarit e Roi Hodgsonit, sepse i cliron psikologjikisht dhe i rrit moralisht për ta vijuar sfidën me ritmin e duhur. Por reagon fort Suedia, që mundohet të bëjë diferencën në mesfushë, ku për cudi shihet rregullisht Ibrahimovic, i cili merr topin dhe infiltron pasime pas krahëve të mbrojtjes angleze për Elmander dhe Kallstrom. Të dy lojtarët në fjalë kanë rastet e tyre për të barazuar në pjesën e parë, por gabojnë përballë portierit Hart të ishullorëve. Këta të fundit, edhe pse detyrohen të ngjeshen mirë në prapavijë, edhe pse përballen me një presion gjithnjë në rritje të vikingëve, arrijnë ta mbyllin me epërsinë e një goli pjesën e parë. E dyta ka një pamje tjetër. Anglezët janë disi më të tërhequr, e presin Suedinë në gjysmëfushën e vet, me synimin e qartë për ta goditur me kundërsulm. Pasimi i gjatë i Milner, Park dhe i Zherard për te Keroll dhe Uellbek është “menuja” që ofron Hodgson. Kjo, edhe për shkak se mesfusha është tashmë pronë e suedezëve, që më të freskët fizikisht arrijnë ta mbyllin kundërshtarin në zonën e vet. Derisa del në dritë edhe goli i barazimit, në minutën e 49-të, kur Melberg, i ardhur nga mbrojtja e tij, godet me kokë dhe e detyron Xhonson të Anglisë të shkaktojë autogol. Suedia merr zemër nga barazimi dhe arrin ta thellojë më shumë presingun në gjysmëfushën angleze, ku mbrojtja e Roi Hodgson vihet në alarm, shpërqendrohet dhe për disa mninuta nuk arrin ta marrë veten. Janë momente alarmi në portën e Hart, i cili detyrohet ta nxjerrë për herë të dytë topin nga rrjeta e vet. Goditjes me kokë të Melberg, i lënë pa u markuar nga mbrojtja angleze, nuk ka cfarë t’i bëjë portieri i Mancester Sitit. Suedia në ekstazë, teksa ka përmbysur disavantazhin e pjesës së parë, ndërsa Anglia e sheh veten në një udhëkryq. Loja e saj është e paqartë, repartet janë të zhbilancuara dhe sulmi mbetet “spektator” në fushë. Duhet ndërhyrja e trajnerit Hodgson, që kjo situatë të ndryshojë. Hedhja në fushë e Teo Uollkot është vendimtare. Lojtari i Arsenalit arrin të barazojë shifrat në 2-2, në minutën e 64-t, por nuk mjaftohet me kaq. Tepër i shpejtë, ai infiltrohet lehtësisht në mbrojtjen statike të Suedisë, prej nga asiston dy shokët e tjerë të sulmit, Keroll dhe Uellbek. Në njërin nga pasimet e arta që jep i futuri në pjesën e dytë si zëvendësues, por që ndryshoi tërësisht lojën e anglezëve, madje në një moment të errët për ta, Uellbek “shpik” një gol kryevepër, me thembër, duke i dërguar të tijtë në epërsinë 3-2. Dicka e bukur, e jashtëzakonshme, falë një Anglia rrokamboleske, falë shpirtit të saj të madh, sepse nuk u dorëzua deri në fund. Një sukses i djersitur shumë, por i merituar, që erdhi ndaj Suedisë së Ibrahimovicit, e cila në këtë ndeshje të dytë në grup dëshmoi se meriton shumë më tepër se vendi i fundit, pa asnjë pikë, tashmë e detyruar të kthehet në shtëpi..

15.06.2012

 

Burimi: Balkanweb

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.