Postuar me: 14:23 30-06-2015

I riu huton gjyqtaren: Jam nga Lazarati (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip huton gjyqtaren“Arrest në burg” ka qenë masa e dhënë nga Gjykata e Krimeve të rënda për tre prej të arrestuarve në Lazarat, mbi të cilët rëndojnë akuzat “vrasje e punonjësve të policisë së shtetit në bashkëpunim”, “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “prodhim e mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”. Me pak minuta vonesë nga sa ishte parashikuar nisi seanca për dhënien e masave të sigurisë. I pari para trupit gjykues ka dalë 19-vjeçari Klodian Selimi. I veshur me një bluzë të zezë “Luois Vuitton” 19-vjeçari nga Lazarati u shfaq mjaft i hutuar para trupit gjykues. Para gjykatës Selimi dha gjeneralitetet e tij, ku tregoi se megjithëse është 19 vjeç, vijon të jetë në vitin e parë të shkollës së mesme. Me hutimin e tij, 19-vjeçari e vuri në vështirësi gjyqtaren Flora Haradinaj, teksa duke u pyetur për shtetësinë e tij, ai nuk dinte të përgjigjej. “Jam nga Lazarati”, kjo ishte përgjigjja e tij pas disa sekondash heshtjeje.

Pas marrjes së gjeneraliteteve, prokurorët e çështjes kërkuan që seanca të vijonte me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. 19- vjeçari Klodian Selimi akuzohet se në bashkëpunim me shokët e tij Dervish Gaba, Elvis Boci dhe Xhuliano Malo, të drejtuar nga vëllezërit Arbion e Alban Aliko, qëlluan mbi policinë, duke lënë të vrarë efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha më 24 qershor, por mësohet se këtë akuzë ai e ka mohuar para gjykatës. Selimi mësohet të ketë dhënë informacione për armët e përdorura nga grupi i zjarrit në Lazarat, një pjesë e tyre e sekuestruar në një kanal në zonën që lidh fshatin me malin e Sopotit. Pavarësisht bashkëpunimit me drejtësinë, ai do të qëndrojnë në burg pa afat. Të njëjtën masë sigurie gjykata ka dhënë edhe për 20-vjeçarin Dervish Gaba dhe 19-vjeçarin Elvis Boci. Pas përfundimit të seancës së këtij të fundit, avokati i tij u shpreh se gjykata gabon me masën e arrestit, pasi klienti i tij nuk ka lidhje me grupin e zjarrit.

“Gjykata vendosi arrest me burg, megjithëse ndaj tij nuk kishte dyshim të arsyeshëm të bazuar në prova. Elvis Boci nuk ka lidhje me akuzat, qëndrimi i tij është mohues, ka qenë në banesën e tij me nënën, edhe në kohën e ngjarjes”, tha avokati i Elvis Bocit. Më tej ai shtoi se klienti i tij ishte dhunuar nga policia dhe për këtë ai do të kërkoi një ekspertim mjeko-ligjor. Ndërkaq bëhet e ditur se sot do të dalin para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko. Në një deklaratë të parë për mediet të dielën, para nisjes së procesit të mbetur pezull të marrjes në pyetje të vëllezërve, avokati Neshat Fana tha se ka pasur kontakte me familjen Aliko dhe se prej tyre ka mësuar pretendimet e vëllezërve për këtë ngjarje. Gjatë së dielës, Arbion Aliko 20 vjeç dhe vëllai i tij 18-vjeçar Alban Aliko, duhej të pyeteshin nga hetuesit për versionin e tyre në lidhje me sulmin e armatosur ndaj policisë mëngjesin e 24 qershorit, si dhe për aktivitetin e tyre kriminal përpara kësaj ngjarje për të cilat kërkoheshin. Por, sipas avokatit Fana, gjendja e tyre tejet e rënduar psikologjike e ka bërë të pamundur këtë proces dhe se dëshmitë e tyre do të merren në një moment të dytë.

30.06.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.