Postuar me: 20:15 06-07-2015

“I vrava për t’u marrë makinën” (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip vravaForcat e Policisë së Shtetit prangosën dje të dyshuarin si vrasës së dy turistëve çekë, pasditen e 3 korrikut. Shtetasi Sokol Mjacaj, 20 vjeç, u kap gjatë tentativës për t’u larguar në një banesë dykatëshe, 200 metra larg shkollës 9-vjeçare në zonën e Grudës së Re, në Malësinë e Madhe. Forca të shumta policie, të FNSH-së dhe RENEA- s, të mbështetur nga 5 snajperë dhe një autoblindë rrethuan fshatin Grudë e Re në komunën Rrethina në Shkodër, ku policia mori informacion se fshihej Sokol Mjacaj. Të gjitha rrugët hyrëse e dalëse të fshatit si dhe rrugët e brendshme u patrulluan nga policia, ndërsa 20-vjeçari ishte fshehur fillimisht në ambientet e shkollës 9-vjeçare të fshatit.

Kur policia ngushtoi rrethimin dhe u bë gati për të ndërhyrë, një efektiv i saj qëlloi me armë zjarri padashje në ajër dhe plumbi bëri rikoshetë, duke e plagosur atë në këmbë. Kjo ka bërë që Sokol Mjacaj të kuptojë se është i rrethuar dhe të largohet për t’u fshehur diku tjetër afër shkollës. Efektivi i policisë Pëllumb Shpati u dërgua në spital, ku është jashtë rrezikut për jetën. Pak minuta më pas policia e ka kapur autorin, i cili ishte i paarmatosur dhe nuk bëri rezistencë.

Identifikimi i autorit

Ekspertët e policisë dhe të organit të hetimit kanë bërë vlerësimin e të gjithë provave të gjetura në vendin e ngjarjes në kufirin mes fshatrave Ura e Shtren jtë dhe Prekal të Postribës, ku u gjend i anuar në mes të rrugës fuoristrada ngjyrë gri “Nissan” me targë 4P8:9798 dhe brenda saj të vrarë me armë zjarri shtetasit çekë, Michael Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeç. Në automjet u gjet një armë automatik, ndërsa jashtë tij u gjet një krëhër me fishekë, 2 gëzhoja si dhe gjurmë gjaku me shenjën e dorës te pjesa e kroskotit të mjetit.

Policia arriti në konkluzionin se dy turistët çekë u vranë nga pas nga një person që ndodhej në makinë me ta. Pas vrasjes së drejtuesit, makina ka humbur drejtimin dhe është anuar në mes të rrugës. Autori ka mbetur brenda në mjet bashkë me dy viktimat dhe ka arritur të dalë me vështirësi nga xhami i makinës që ndodhej sipër. Gjatë përpjekjeve për t’u larguar ai ka lënë gjurmë në mjet dhe identifikimi i tyre i ka çuar policët te një emër i njohur për ta, 20-vjeçari Sokol Fran Mjacaj, që kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin e pjesëmarrjes në vrasjen e një 12-vjeçari në vitin 2010.

Dëshmia në Drejtorinë e Policisë Shkodër

20-vjeçari Sokol Mjacaj ka pranuar para hetuesve në ambientet e policisë së Shkodrës se është ai autori i vrasjes së dy turistëve çekë mbrëmjen e së premtes. Ai ka treguar se u fut në makinën e turistëve, pranë fshatin Lotaj, duke i kërcënuar ata me armën që mbante me vete. Sipas tij, pranë fshatit Prekal, çeku Michael Svatos tentoi t’i merrte armën dhe ky ka qenë momenti që ai e ka gjuajtur me armë në kokë ndaj të dyve, duke i lënë të vdekur. Mjacaj e ka parë çiftin e turistëve që po kalonin në fshatin e tij dhe ka vendosur që t’i ndjekë ata dhe t’u vjedhë makinën. Pasi është futur në makinën e tyre nën kërcënimin e armës ai është larguar nga fshati i tij në drejtim të fshatit Prekal.

Aty Michael ka tentuar t’i marrë 20-vjeçarit armën, por ky i fundit e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Automjeti humbi drejtimin dhe makina u përmbys, kështu që autori nuk mundi ta grabisë dhe u largua për t’i shpëtuar policisë. Policia ka arrestuar dhe një person tjetër që mendohet të ketë patur lidhje me 20-vjeçarin Sokol Mjacaj dhe që dyshohet se ka bërë transportimin e armës tip automatik me të cilën janë vrarë dy turistët. Mendohet se Sokol Mjacaj ka udhëtuar me dy çekët me një çantë në të cilën ka patur automatikun.

Kush është autori i vrasjes së turistëve çek

Sokol Fran Mjacaj ka lindur dhe jetuar në fshatin Lotaj të Komunës Shalë në Dukagjin. Ai ka mbetur jetim nga nëna në moshë të vogël. Nga bashkëfshatarë e të njohur të tij ai profilizohet si mjaft i shkathët, dinak dhe problematik në sjellje. Më 12 shtator 2010, Sokol Mjacaj, atëherë 15 vjeç, u përfshi në vrasjen me mjete të forta të 12-vjeçarit Agim Leraj, me qëllim grabitjen e një varëse ari që mbante viktima.

Gjatë seancave gjyqësore të zhvilluara lidhur me vrasjen e 12-vjeçarit Leraj, ku të akuzuar kanë qenë dy vëllezërit Besnik e Edmond Kodra ka rezultuar se ka qenë Mjacaj ai që e ka tërhequr viktimën duke i thënë të shkonin diku bashkë. Viktima Leraj ka shkuar duke ia pohuar këtë gjë edhe familjarëve të tij kur u largua nga banesa.

Reagimi

Pas kapjes së autorit të dyshuar për vrasjen e dy turistëve çekë në Prekal të Shkodrës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, vlerësoi punën e forcave të policisë dhe banorët e zonës, për bashkëpunimin e treguar. “Gjej rastin të falënderoj pa masë banorët e zonës që na erdhën në ndihmë në kapjen e tij. Gjej rastin të falënderoj efektivët e policisë, të cilët kanë qenë në aksin 48 orë pa pushuar. Është një ngjarje shumë e rëndë që gjej rastin të përcjell ngushëllimet te familjarët e turistëve çekë”, ¬deklaroi Çako.

Në një deklaratë të mbajtur pranë komisariatit të Korçës, Haki Çako siguroi turistët që vizitojnë Shqipërinë që të ndihen të sigurt, pasi policia do të rrisë shërbimet sidomos në zonat turistike. Sipas drejtorit Çako, hetimet po vijojnë për kapjen e bashkëpunëtorëve të 20¬-vjeçarit Mjacaj. Finalizimin me sukses të operacionit policor e ka përgëzuar Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përmes një statusi në faqen e tij në “Facebook”. “Faleminderit Policisë dhe banorëve të Dukagjinit për arrestimin në kohë rekord të njeriut që ndoshta duhet të ishte ende në burg për krimet e mëparshme, e jo të vriste përsëri”, shkruan Tahiri.

Sokol Mjacaj, profil vrasësi që në fëmijëri

Autori i vrasjes së dy turistëve çek më 3 korrik rezulton të jetë i njohur për uniformat blu, pasi ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë. Sokol Mjacaj ka lindur më 14 shkurt të viti 1995 në fshatin Lotaj. Kur ishte vetëm 15 vjeç ai ka qenë bashkëpunëtor në vrasjen e një fëmije gjatë një grabitje të dhunshme. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2010 në fshatin Bregu i Lumit të Komunës Shalë në Dukagjin të rrethit Shkodër. Një i mitur banor i kësaj zone, Agim Leraj 12 vjeç, pasi u godit për vdekje, u hodh në lumin e fshatit nga tre shokët e tij.

Viktima banues në fshatit Pjoll të komunës Shalë në Dukagjin kishte dalë nga shtëpia, duke i thënë familjarëve se do të nxirrte bagëtitë për kullotë në fshatin Lotaj së bashku me shokun e tij Sokol Mjacaj. Gjatë rrugës viktima është takuar dhe me dy shokë të tjerë shtetasit Edmond Kodra 17 vjeç dhe Besnik Kodra 26 vjeç. 12-vjeçari Agim Leraj ka nisur një debat të çastit me tre shokët ku këto të fundit kanë tentuar t’i heqin një varëse ari që mbante në dorë, debati mes tyre ka degjeneruar në përleshje fizike. Viktima, 12-vjeçari Agim Leraj është goditur me grushte dhe më pas tre shokët e kanë marrë dhe kanë futur në lumin Kir deri sa e kanë mbytur. Autorët e ngjarjes kanë lajmëruar shtëpinë e viktimës duke i thënë se djali tyre ishte mbytur aksidentalisht në lumin e fshatit. Por, pas konstatimit të shenjave të dhunës në trupin e fëmijës familjarët kanë lajmëruar policinë e cila brenda pak orësh ka arrestuar autorët. Dy vëllezërit Kodra nuk e kanë pranuar asnjëherë autorësinë e vrasjes së 12-vjeçarit Agim Leraj nga fshati Pjoll i Shalës, ndërsa ka qenë dëshmia e Sokol Mjacajt ajo që i ka vënë ato para fakteve.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë Besnik Kodra është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij Edmond Kodraj me 11 vite burg dhe Sokol Mjacaj me 10 vite burg për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim. Sipas tyre, Sokol Mjacaj gjatë seancave gjyqësore ka ndryshuar mbi 7 herë dëshminë në lidhje me ngjarjen e rëndë. Gjatë rishqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit në Shkodër, në tetor 2012, vëllezërit Besnik dhe Edmond Kodra përkatësisht 28 dhe 20 vjeç si 17-vjeçari Sokol Mjacaj janë përfshirë në një konflikt fizik mes tyre dhe ku kanë ndërhyrë policët që i shoqëronin. Vëllezërit Kodra e kanë akuzuar të miturin Sokol Mjacaj për dëshmi të rreme.

Gjykata e Apelit në Shkodër ka ndryshuar masën e dënimit për tre të dënuarit për masakrimin me mjete të forta të 12- vjeçarit Agim Leraj. Pasi gjykata e Apelit ka pranuar pjesërisht kërkesën e mbrojtjes për rihapjen e hetimit gjyqësor në ngarkim të të pandehurve Besnik dhe Edmond Kodra si dhe Sokol Mjacajt, ajo ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër për Edmond Kodrën, pra dënimin e tij me 11 vite burg, ndryshimin e vendimit të shkallës së parë për vëllanë e tij Besnik Kodra nga burgim i përjetshëm në 25 vite burg si dhe ndryshimin e vendimit për të pandehurin Sokol Mjacaj nga 10 vite burg me 4 vite burg për veprat penale të moskallëzimit të krimit dhe sigurimit të kushteve për kryerjen e vrasjes. Në dhënien e vendimit për Sokol Majcajn ka ndikuar fakti se ai ka bashkëpunuar me drejtësinë dhe në kohën e krimit ka qenë i mitur. Sipas policisë, Sokol Mjacaj ka përfunduar shlyerjen e dënimit vetëm një muaj më parë dhe është liruar nga burgu duke iu rikthyer një krimi edhe më të rëndë siç ishte vrasja e dy turistëve çekë.

Kush ishin turistët që humbën jetën në Shqipëri

Familjet e dy turistëve të vrarë në fshatin Prekal të Dukagjinit janë në pritje të dorëzimit të trupave të tyre nga mjekësia ligjore në Tiranë, ndërsa tragjedia e rëndë i ka tronditur thellë ata. Familjarët po e përjetojnë me dhimbje të madhe humbjen e më të dashurve. Tragjedia bëhet akoma edhe më prekëse nga lajmi se 36-vjeçarja ka lënë pas një vajzë 17 vjeçe. Për mediet vendase ka folur edhe babai i 36-vjeçares, i cili jeton me mbesën e tij 17 vjeç. Lajmin për vdekjen e nënës ajo e ka mësuar përmes Facebook-ut. Babai i Anna Kosinov-ës, turistes së vrarë me plumb në kokë ka thënë për mediet çeke se është i shokuar, ndërsa ka rrëfyer bisedën e fundit me të.

“Kjo është një tragjedi e madhe dhe një shok për të gjithë ne. Unë nuk mund ta besoj. Vajza shkoi me të dashurin e saj me pushime në mes të javës së kaluar. Ai kishte bërë një udhëtim të ngjashëm vitin e kaluar, kishte mbetur i mahnitur dhe donte të çonte atje dhe vajzën time”, ka rrëfyer ai. Ndërsa për të dashurin e të bijës ai tregon se është nga Pilsen dhe ka punuar me zjarrfikësit. Ndërsa vajza e tij ka punuar në një kohë të gjatë si administratore në një kompani në Pragë dhe më pas si këshilltare për kompaninë e kreditit.

Ndërkaq prindërit e 27-vjeçarit Michael që jetojnë në një shtëpi të vogël në një fshat të Çekisë u kanë thënë medieve që trokitën në derën e tyre se nuk mund ta flasin për këtë tragjedi për familjen e tyre. Nëna e tij tregoi vetëm se komunikoi me mesazhe me djalin e saj, dhe nuk ja dëgjoi dot zërin për herë të fundit. Ndërkaq kolegët e punonjësit të zjarrfikëses në Çeki e kanë përjetuar mjaft dhimbshëm lajmin e humbjes së kolegut. “Ishte zjarrfikës me trup dhe shpirt, dhe gjithmonë ofrohej për të ndihmuar të tjerët”, thonë kolegët e tij. Michael dhe Anna kishin rreth dy vite që ishin lidhur me njëri-tjetrin. Ata pëlqenin shumë udhëtimet dhe aventurat. Gjatë kësaj kohe ata kanë bërë udhëtime në Egjipt dhe në shumë vende të tjera në Evropë. Michael ishte i pasionuar edhe pas motorrave dhe garave “rally”.

Artistët shqiptarë kundër krimit

Për vrasjen e çiftit çek, të cilët u vranë gjatë pushimeve në veriun e Shqipërisë, rokeri shqiptar, Elton Deda, ka reaguar ashpër. Ai është shprehur se për shkak të njerëzve që bëjnë krime të tilla, ndjen turp për kombësinë që ke. Gjithashtu moderatori Blendi Fevziu nëpërmjet një statusi të bërë në Facebook, ka shprehur revoltën e tij kundër institucioneve përgjegjëse për ngjarje të tilla.

Në statusin e tij ai shprehet se, sapo ka dëgjuar emrin e vrasësit të turistëve çek është kujtuar për vrasjen e 12-vjeçarit, e kryer 5 vite më parë nga po i njëjti person. Këtij solidariteti i janë bashkëngjitur edhe mjaft artistë. Emra të shumtë si Julian Deda, Arkimed Lushaj, Ema Andrea, Rosela Gjylbegu etj., kanë shkruar apo janë bashkuar ngushëllimeve, por edhe ndjesisë së “turpit” që diçka e tillë u ka ndodhur turistëve në vendin tonë.

 

06.07.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.