Postuar me: 8:53 09-06-2012

Ina Rama në SHBA: Në 4 vjet ngritëm akuza për 4 ministra në detyrë, 1 deputet dhe 1 zv.ministër

Shperndaje
Etiketat

Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama, mori pjesë në Takimin e dytë të Bienales së Aleancës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, i cili zhvilloi punimet nga data 5 – 8 qershor në Uashington të organizuar nga Banka Botërore. Në këtë Bienale, ku merrnin pjesë drejtues dhe personalitete të shquara të drejtësisë  të mbi 130 vendeve, u diskutua mbi luftën korrupsionit në rang global, të rejat dhe kufijtë e rinj të kësaj lufte si dhe mbi rëndësinë e kooperimit dhe rritjes së bashkëpunimit midis instutucioneve të vendeve të ndryshme që operojnë në luftën kundër korrupsionit.

Në një nga sesionet plenare të kësaj Bienaleje,  Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama, mbajti fjalën e saj  ku bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave dhe efekshmërinë e ligjit antimafia. Duke theksuar se lufta kundër korrupsionit duhet parë si një bashkëpunim midis strukturave të zbatimit të ligjit që merren me goditjen e këtyre fenomeneve, Znj. Ina Rama bëri një pasqyrë të çështjeve me të cilat ndeshet drejtësia në Shqipëri, ngritjen e Njësive Task Forcë që kanë shtuar efikasitetin e luftës kundër korrupsionit si dhe arritjet dhe objektivat e punës së prokurorisë shqiptare, e cila në këto katër vjet ka ngritur akuzë në Gjykatën e Lartë  kundër 4 ministrave ne detyrë, një deputeti dhe një zv/ministër.

Më tej, duke theksuar rezultatet e Prokurorisë Shqiptare në ndjekjen e pastrimit të parave, me tregues pozitivë si sasiorë edhe cilësorë, Prokurori i Përgjithshëm nënvizoi se ndërsa prej disa vitesh nuk kish patur asnjë dënim për këtë vepër penale, gjatë vitit 2011 janë dërguar për gjykim 7 procedime penale me 16 të pandehur dhe janë dhënë dy vendime fajësie për dy persona.  Po në këtë kuadër, me miratimin e ligjit Antimafia, është bërë e mundur të sekuestrohen me vendim gjykate nëntë pasuri në llogari bankare, truall, pasuri të paluajtshme etj., të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme monetare.

Në vijim të vizitës së saj në SHBA. Prokurori i Përgjithshëm, Znj. Ina Rama pati një takim në Departamentin e Drejtësisë, me Drejtorin e Përgjithshëm të UPDAT, Z. Carl Alexander. Gjatë takimit, bidesa u fokusua në funksionimin e Njësive të përbashkëta të Task Force. Duke dhënë një panoramë të punës dhe të rezultateve pozitive të 7 Njësive të Përbashkëta në luftën kundër krimit financiar dhe korrupsionit në administratë, Znj. Ina Rama vërejti se që nga krijimi i tyre dhe si rezultat i bashkëveprimit ndërinstitucionat të aktorëve firmëtarë të Memorandumit të Bashkëpunimit, janë  rritur rastet e hetimit financiar si dhe personat e dënuar për këto vepra penale, duke përfshirë edhe zyrtarë të nivelit të mesëm, të zgjedhurve vendore, prokurorë dhe gjyqtarë. Me këtë rast Znj. Ina Rama falenderoi Z. Alexander për ndihmën e çmuar që UPDAT ka dhënë në mbështetje të ngritjes, funksionimit dhe trajnimit të stafit të Task Force. Nga ana e tij. Z. Carl Alexander duke përmendur arritjet në këtë fushë, vlerësoi punën e Prokurorisë Shqiptare dhe theksoi mbështetjen e mëtejshme të UPDAT në fuqizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit.

Prokrurori i Përgjithshëm Znj. Ina Rama, pati gjithashtu një takim edhe në Departamentin e Shtetit, ku u takua me Z. David Burger, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Jugqëndrore dhe me Z. Ralf Gregorian, Këshilltar i Lartë në zyrën për Cështjet e Evropës Jugqëndrore.  Në takim merrnin pjesë gjithashtu edhe Ambasadori i vendit tonë në Uashington, Z. Gilbert Galanxhi, si dhe eksperti për vendin tonë në Departamentin e Shtetit, Znj. Sarah Hutchison.

Gjatë këtij takimi, pasi u prekën çështje të punës së Prokurorisë Shqiptare dhe të drejtësisë në vendin tonë, biseda u fokusua në çështjen e 21 janarit dhe hetimit mbi këtë ngjarje. Nga ana e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit u kërkua informacion mbi fazën në të cilën ndodhet çështja, si dhe problematikat gjatë hetimit të saj. Pas prezantimit të të punës së kryer mbi këtë çështje nga Prokurori i Përgjthshëm, Znj. Ina Rama, ku me këtë rast u falënderua mbështetja e SHBA dhe institucioneve të saj në hetimin e kësaj ngjarjeje, zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit inkurajuan Prokurorinë Shqiptare në punën e saj duke shprehur mbështetjen për institucionin e akuzës, e parë kjo edhe si mbështetje për shtetin e së drejtës.

Burimi:Lajmi  i fundit

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.