Postuar me: 7:05 16-06-2012

Ina Rama: Shqipëria vend origjine për trafikimin e femrave

Shperndaje
Etiketat

TIRANË- “Shqipëria vijon të mbetet vend origjine për trafikimin e femrave. Deklarata vjen nga Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit per koordinimin e luftës kundër trafikimit njerëzor.

Prokurorja e Përgjithshme u shpreh se me nënshkrimin e kësaj marreveshje është bërë një hap përpara për luftimin e trafikimit. Kjo sipas saj, jo vetëm në aspektin e goditjes së personave që kryejnë veprën penale por edhe në riintegrimin e viktimave në shoqëri.
Duke e konsideruar trafikimin e qenieve njerëzore si një nga fenomenet më shqetësuese të shoqërisë, Prokurorja e Përgjithshme vuri në dukje nevojën për përmirësimin e legjislacionit penal, përmirësimin e mëtejshëm të kushteve teknike në gjykata për evitimin e kontaktit pamor mes viktimes dhe dhunuesit të saj ( te pandehurit) si edhe të tërhiqet vëmendja e zyrtarëve të korruptuar që e favorizojnë këtë trafikim.

Marrëveshja për funksionimin e Mekanizmit Kombëtar të Referimit për viktimat e trafikimit, që u nënshkrua sot në Tiranë, përbën një hap të rëndësishëm në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore.

Palë nënshkruese në këtë marrëveshje janë Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe e Shanseve të Barabarta, Prokuroria e Përgjithshme, IOM dhe drejtues të qendrave të mbrojtjes së viktimave.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua nën kujdesin e Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracion (IOM).

Në fjalën e tij, zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka, theksoi se kjo marrëveshje është shprehje e qartë e vullnetit të mirë të palëve politike dhe shoqërisë civile për luftën kundër trafikut.

“Dokumenti që mbajmë në duar është frut i një periudhe të gjatë konsultimesh. Eksperienca e vyer e agjencive që firmosin sot këtë marrëveshje në drejtim të mbrojtjes dhe riintegrimit të viktimave në shoqëri ka qenë padyshim një aset në ndërtimin e një dokumenti që i përmbush padyshim të gjitha standardet në drejtim të respektimit të të drejtave të viktimës, duke synuar fuqizimin e saj me rivendosjen e dinjitetit njerëzor”, tha Peka.

Gjithashtu, ai shtoi se nëpërmjet përcaktimit të qartë të roleve të secilës prej palëve, si dhe të mekanizmave veprues dhe monitorues që janë ngritur për veprimin me efikasitet të saj, kjo marrëveshje synon të përmirësojë dhe të forcojë partneritetin e palëve nënshkruese në Shqipëri.

Finalizimi i kësaj marrëveshje përbën një hap shumë të rëndësishëm në kuadër të konsolidimit të instrumenteve dhe mekanizmave mbrojtës së viktimave të trafikimit në vend, si edhe është nje tregues i qartë i bashkëpunimit mes të gjitha hallkave në luftën kundër trafikimit të personave.

15.06.2012

 

Burimi: Balkanweb

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.