Postuar me: 8:36 12-09-2015

Intervista e kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhënë për televizionin “News 24” (Burimi: LSI, www.lsi.al)

Petrit-Vasili-LSI_copy_copy-415x260

Intervista e kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhënë për televizionin “News 24”

Intervista e kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Petrit Vasili dhënë për televizionin “News 24”.

Petrit Vasili: Sulmi ndaj Ilir Metës, shërbim ndaj krimit të organizuar.

Vasili: Raporti i Bashës me Berishën si i Brutit me Çezarin.

E nisim bashkë bisedën me çështjen e dekriminalizimin aq të diskutueshme, aq të debatueshme, madje nisja e seancës plenare të këtij sesioni parlamentar e shty edhe për 2 apo 3 javë të tjera. Cili është komenti juaj?

Për të qenë korrekt me opinionin lidhur me shtyrjen dhe për të qëndruar korrekt pyetjes tuaj, nuk ka pasur asnjë shtyrje, ka pasur një mirëkuptim të plotë për ta përfshirë në programin e Parlamentit këtë nismë të opozitës. Njëkohësisht më tutje ai i nënshtrohet procedurave parlamentare ku një nga piket e rregullores thotë që ligji i ri i depozituar, duhet të qëndrojë dy javë i depozituar në Kuvend përpara se ai të përfshihet në kalendar. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme pavarësisht nga ato që ju dëgjoni dhe që shpesh opozita ka dëshirë të krijojë ngjarje atje ku nuk ka ngjarje. Thelbi i problemit qëndron tek qëndrimi ndaj çështjes. Besoj se ka një qëndrim të qartë dhe të artikuluar mirë, përsa i takon në mënyrë të veçantë LSI-së të cilën unë kam nderin ta përfaqësoj. Ne kemi qenë edhe bashkëfirmues edhe të rezolutës së dhjetorit të vitit që shkoi, ku vullneti ka qenë i plotë dhe i palëkundur për të ecur përpara. Sigurisht nisma, edhe rezoluta prodhoi edhe një komision të posaçëm, i cili ka pasur një synim të rëndësishëm për të ndërtuar një proces konsensual, pra edhe mazhoranca edhe opozita të japin kontributin e tyre. Por përveç konsensusit, problemi kërkon një zgjidhje. Pra, i duhet dhënë një zgjidhje e qartë edhe e besueshme për opinionin publik dhe sigurisht ne jemi shumë të vendosur që nisma të eci përpara dhe në rast se ky konsensus do të jetë një sfidë e pamundur, shpesh opozita ka demonstruar edhe një mungesë dëshire apo taktikën e saj kryesisht bllokues, e ka penguar këto fenomene, atëherë sigurisht ka për ne një prioritet madhor, do të jetë çdo draft i cili duhet të jetë në tavolinat tona të punës dhe do të ketë mbështetjen e ekspertëve amerikan dhe evropian të cilët e asistojnë fuqimisht këtë proces. Sigurisht do ta ketë mbështetjen e plotë tonën dhe pa asnjë hezitim, sepse duhet të jemi të bindur që në mënyrë të veçantë, mbështetja e kësaj ekspertize, nënkuptoj ekspertët amerikan dhe atyre evropian, është një ekspertizë e paanshme që vjen nga eksperienca shumë të përparuara të demokracisë, ndaj demokracisë më të mirë të përfaqësimit. Kështu që në këtë pikëpamje ne do ta mbështesim me një pikësynim madhor që kjo çështje të ketë përgjigjet e duhura ligjore dhe ky kapitull të mos jetë më një kapitull i axhendave politike por të jetë një kapitull i mbyllur dhe futjen e një normaliteti të ri politik i cili flet për gjëra madhore e nuk i kthehet dhe i rikthehet këtij problemi i cili nuk na lë të bëjmë përpara.

Do të thotë se jeni dakord me draftin që është paraqitur?

Ne nuk paragjykojmë se çfarë duhet bërë. Duhet modifikuar Kushtetuta, duhet propozuar një ligj, etj, etj. Ne kemi bindje të plotë që kësaj çështje i duhet dhënë një përgjigje. Së bashku kemi ndërtuar një komision konsensual, pra të posaçëm, i cili ka numër dhe udhëhiqet edhe nga opozita për më shumë, e cila megjithëse paraqiti një projektligj, i mungon tërësisht vullneti për ta bërë këtë çështje, sepse megjithëse e drejton vetë është mbledhur vetëm dy herë, megjithëse e drejton vetë, harton një draft të cilin e bie në sallën e parlamentit dhe nuk e paraqit në komisionin që po vet e drejton. Ka merak për një protagonizëm artificial dhe të sforcuar. Dhe me këtë nisëm ne nuk jemi njohur sepse është një nismë e depozituar, sapo e depozituar në parlament, megjithatë nuk kemi paragjykime për asnjë lloj nisme, për asnjë lloj ndryshimi për asnjë lloj gjëje. Problemi është që nismat duhet të burojnë, nuk duhet të jenë të njëanshme, duhet të jenë konsensuale sepse edhe votimi i tyre kërkon konsensus. Opozita e vetme nuk i arrin kurrë këto objektiva me vota, dhe ndaj ne i kemi bërë shërbim këtij konsensusi, edhe në rezolutën e dhjetorit edhe në pjesëmarrjen tonë në komisionin e posaçëm.

Pra jeni ende në fillim, ka ende një draft…

Ne i kemi shërbyer idesë për të pasur një mirëkuptim mazhorancë-opozita. Ndërkohë mazhoranca po punon, po ecën përpara lidhur me këtë çështje dhe thashë edhe një herë tjetër, do t’i bëjmë shërbim konsensusit me sa të jetë e mundur. Në rast se ky konsensus do të mungojë, për sa i takon LSI-së, të jemi të qartë se cili aktor politik përfaqëson vullnetin dhe konceptet e veta dhe bindjet e veta politike, një draft i cili do të dakortësohet me ekspertizën amerikane dhe evropiane e cila ka qenë prezent në proces dhe shumë aktive, do ta ketë mbështetjen tonë të plotë dhe të padiskutueshme.

Z. Vasili, që në nisjen e sesionit të ri parlamentar, opozita është kthyer me idenë e dorëheqjeve, qoftë për Ministrin e Brendshëm Tahiri për të disatën herë, po kështu edhe për Kryetarin e Kuvendin z. Meta, njëherësh edhe kryetari i LSI-së. Duke lënë jashtë z. Tahiri dhe për të folur dhe për tu fokusuar tek forca juaj politike, Lëvizja Socialiste për Integrim. Cili është komenti juaj në atë çka kërkon opozita lidhur me z. Meta? Ne kemi parë edhe deklaratat edhe reagimet që kanë ardhur nga selia e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e fundit ishte ajo e dy ditëve më parë…

Unë kam reaguar dy ditë më parë, reagimi i fundit. Megjithatë përpiqem ta ri përmbledh edhe një herë. Së pari unë jam shumë i lumtur që ma jepni sërish këtë mundësi për të komunikuar edhe një herë me opinionin publik dhe i referohem gjithmonë atij dhe askërkund tjetër në gjithçka që ne po sqarojmë. Kjo çështje është për mua thjesht dhe vetëm një intrigë banale e karakterit mediatik për një çështje që nuk ka të bëjë dhe nuk ka asnjë lidhje me z. Meta. E kemi shpjeguar qartë, po e shpjegoj edhe një herë tjetër. Edhe dokumentacionin që është paraqitur apo pretendohet nga opozita se ajo disponon, është një dokumentacion të cilin të gjithë keni, edhe ju e keni edhe ne e kemi, të tërë e kanë. Është një dokumentacion i cili flet qartë dhe nënvizon personat që evidentohen aty i cili është ambasadori shqiptar në Pragë i emëruar nga z. Berisha, i besuar nga z. Berisha. Përmendet z. Berisha vetë. Përmendet edhe kryetari i ERE-s, z. Nepravishta etj, personazhe të cilët kanë pasur autoritetin e plotë të pakufizuar të marrin vendime, të bëjnë ç’mendojnë ata për çështjen ku në këtë muhabet, në këtë aferë, në këtë gjë, nuk hynë, nuk ka lidhje, nuk ka target, s’ka pasur asnjë pozicion Ilir Meta. Është krejtësisht jashtë kësaj historie dhe çdo lidhje ka vetëm një merak të madh për të përfshirë emra dhe për të gjetur mundësi për të përfshirë personazhe ndërkohë që qëllimet janë krejt të tjerë. Së pari, kërkesa për dorëheqjen z. Meta, po e marrim si kërkesë politike, është një kërkesë që vjen nga Kryetari i Partisë Demokratike. Sa i takon çështjes së dorëheqjes, standardi politik i z. Meta për dorëheqje dhe standardi i politikanëve të tjerë është krejt i ndryshëm. Standardi që vendosi Ilir Meta në politikë me shembullin e tij besoj se është standardi më i lartë që ekziston në politikën shqiptare ku është i vetmi politikan cili në një çështje të caktuar për të cilën kishte një konflikt interesi gjatë hetimit dhe gjykimit kur ishte ministër i Ekonomisë dha dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme. Iu nënshtrua gjykimit integral nga fillimi deri në fund duke iu futur çështjes në themel. Në fund të historisë rezultati i këtij hetimi është në sytë tuaj. Z. Meta ishte një njeri i cili rezultoi pa asnjë problem lidhur me ketë problem dhe ishte krejtësisht i pastër. Tani për të qëndruar tek pika e parë. Kush e kërkon dorëheqjen e z. Meta?! Dorëheqjen e z. Meta e kërkon z. Lulzim Basha. Unë besoj është kërkesa më e paturp që unë kam dëgjuar ndonjëherë dhe imponimi i një standardi moral në këmbim të një amoraliteti të jashtëzakonshëm që besoj se Lulzim Basha e pasqyron si askush tjetër në politikën shqiptare. Ne nuk kemi në 25 vjet asnjë njeri të politikës shqiptare që në mënyrë të drejtpërdrejtë të jetë kallëzuar, të ketë një çështje penale ku ai akuzohet me një aferë prej 230 milionë dollarë, një çështje e pagjykuar, të cilën siç e dini në mënyrë më butaforike, në mënyrën më qesharake dhe unë besoj se media nuk duhej të lodhej duke përmendur këtë edhe 100 vjet të tëra në raportin mjekësorë dhe në 360 ditë të vitit. 320 ditë fluturime në ajër i mbylli me procedurë. Ky standard mizerabël politik i përfaqësuar në këtë mënyrë të paturp nga Lulzim Basha i kërkohet një njeriu si Ilir Meta, që besoj se ka vendosur standardin më të lartë në politikë duke dhënë dorëheqjen në çast, duke u vënë në dispozicion të drejtësisë, duke çuar çështjen deri në fund dhe me shumë krenari ka të drejtë të thotë që çështja shkoi deri në fund duke dalë i pastër për veten e tij, për standardin e partisë së tij dhe për standardin shqiptar.

Sa e dëmtojnë figurën e z. Meta akuzat e njëpasnjëshme dhe vetë akuzat për dorëheqje. A e dëmtojnë imazhin e tij si politikan edhe në kuadrin e ndërkombëtarëve?

Së dyti çështja lidhet dhe me një problem tjetër. Po e marrim në mënyrë konkrete nuk po merremi me fjalë. Sulmi ka një target të caktuar dhe çështja lidhet me një ankth të jashtëzakonshëm që 21 qershori ka krijuar. Absolutisht rezultati i LSI është në sytë tuaj, shifrat i keni ju, sikurse i kam dhe unë, ku dihet që LSI për fare pak gjë është gati forcë e dytë politike në vend dhe sigurisht ky kuptohet është një hall, një ankth, një brengë e madhe për PD dhe për Lulzim Basha sepse kuptojnë fare mirë se cili është tendenca drejt së cilës shkojmë edhe për shkak të mendjeshkurtësisë së tyre, por ky është problemi i tyre. Por besoj se problemi më i madh dhe këtu do të ishte vendi të ndaleshim në këtë situatë kaq të rënduar. Ne flasim fort dhe për dekriminalizimin dhe është mirë që flitet. Ka një tendencë të fortë të krimit të organizuar që të penetrojë dhe të bëjë të kapë politikën. Rasti i z. Meta është një sfidë e humbur. Pra krimi i organizuar në pamundësi për ta kapur, e godet dhe zëdhënëse e tij bëhet në këtë rast opozita e këtij vendi me në krye Lulzim Bashën. Kjo sigurisht e vë Partinë Demokratike në një situatë shumë të shëmtuar. Megjithatë, edhe çështja CEZ, e cila as është filluar dhe as nuk është mbyllur nga Ilir Meta, se s’ka lidhje as pse ta fillojë dhe as pse ta mbyllë. Ka atje një mal me dokumentacion. Një pjesë e mirë e tij u bë publik dje në parlamentin shqiptar duke dëgjuar një trajtim të plotë që iu bë në parlamentin shqiptar dhe për sa i takon Ilir Metës dhe LSI ka një pozicion të caktuar edhe për çështjen. Ky duhet të njihet mirë nga qytetarët. Iu referuan se cilat kanë qenë veprimet e Ministrave të Ekonomisë, të cilët kanë qenë përfaqësues të LSI dhe u theksua, jo nga LSI, por nga përfaqësues edhe të Partisë Socialiste e të Partisë Demokratike, që qoftë Ministrat e Ekonomisë, duke filluar nga z. Nasip Naço, z. Edmond Haxhinasto, etj, qoftë nga drejtori i KESH-it, z. Ëngjëll Zeqo, kanë pasur një qëndrim tërësisht koherent, në përputhje të plotë dhe të interesave të KESH-it dhe të parave të shqiptare. Madje, drejtori i KESH-it, publiku duhet ta dëgjojë dhe ridëgjojë këtë gjë, ka arritur të hedhë në gjyq ERE në dy shkalë gjykimi të njëpasnjëshme, duke i kërkuar të hidhej poshtë vendimi për uljen e energjisë, i cili favorizonte interesat e këtyre të qeverisë së kohës dhe i binte në dëm KESH-it. Po të njëjtin gjë ka bërë ministri Naço, i cili është shprehur me shkrim zyrtarisht përkundrejt opinionit të Ministrit të Financave në atë kohë z. Bode. Dhe këto janë vetëm një pjesë e komunikimeve pa fund ku ka pasur një qëndrim diametralisht të kundërt për këtë çështje, për çështjen CEZ midis përfaqësuesve të LSI-së në pozicionet që i lidhnin ata me çështjen dhe qeverisë së kohës.

Ju patët mirësinë të cilësoni daljen time të dy ditëve më parë. Kam nënvizuar një gjë shumë të rëndësishme sa i takon pjesës së moralit e pastaj do shkojmë dhe te pjesa politike. Është e qartë se lidershipi i ri i PD përveç krizës morale ka dhe një amoralitet i cili lidhet me njeriun. Çdo njeri ka të tijën. Kjo vjen me armiqësinë brenda, me betejën e brendshme, me mosnjohjen etj. etj. Të gjithë e kuptojmë fare mirë që kjo çështje fillim mbarim ka të bëjë që piramida e çështjes është ish-kryeministri e Berisha dhe më tej gjithë bashkëpunëtorët e afërm, duke filluar nga kryetarët e ERE-s të njëpasnjëshëm, që nga z. Nepravishta etj., apo ambasadori, e plot të tjerë zyrtarë të lartë, Ministri i Financave. Kjo goditje që i bëhet z. Berisha sigurisht është pjesë e një lufte shumë të brendshme. Kam përdorur një metaforë të cilën po e rimarr në studion tuaj, politika është edhe e re dhe e vjetër. Që Bruti i ngul shpatën disa herë pa u lodhur Çezarit, e kemi parë disa herë në Romën e lashtë. Politika e ditëve të sotme është një rikthim në metaforën e kohëve të vjetra, por në kohën e internetit. Kjo është nëpërmjet jo me shpatën e dikurshme të Brutit, por nëpërmjet internetit, një agjencie lajmesh, etj. Kjo është një thikë që ai fut babait të tij plak edhe të lodhur dhe gjithë ata përqark për t’u çliruar, sepse mendon se mbi këtë vepër të brendshme politike çlirohet dhe ka mundësi të bëjë përpara. Ndonëse dihet për ata që e njohin mirë historinë, nuk e mendoj që z. Basha të ketë injorancë të frikshme. Besoj kaq gjë e lexon, mund ta lexojë se cili ka qenë fati i Brutit. Ka pasur një fat shumë të zi Bruti dhe të gjithë ata që bënë komplotin, megjithëse kjo është e gjitha një çështje e PD. Për t’i kthyer problemit, cili është pozicioni parimor. Pozicioni ynë parimor është ky: I tërë dokumentacioni është aty. Kushdo që ka tagër, kurdo në çdo kohë ta zgjedhë, hetim të brendshëm apo ndërkombëtar. Ta hetojnë kryq e themel dhe çdo gjë që u krijon dyshime apo problematike, ne kemi qenë gjithmonë të gatshëm të mbështesim çdo lloj procesi.

Këtë e ka bërë qoftë Kryetari i LSI-së, që është edhe Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe të gjithë të tjerët. Këtij standardi as i kemi ikur, as s’i jemi fshehur. Nuk i kemi ikur as me raporte mjekësore, nuk i kemi ikur as me fluturime pa fund në avion, nuk do ta bëjmë as në të ardhmen. Dhe ky do të jetë ai standard që ne kemi vendosur në politikë, na ka dalluar nga të tjerët. Të tërë kryeministrat janë akuzuar rëndë pa përjashtim, në shumë pozicione të tyre dhe kurrkush nuk e ka ushtruar këtë standard nga të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, të gjithë të akuzuar me përjashtim të Ilir Metës.

E thashë edhe një herë tjetër, çdo shqiptar do të ndjehej shumë i keqardhur dhe çdo shqiptar nuk mund ta kuptojë dot që një njeri, i cili nuk ka sqaruar akoma disa gjërat, pasi dora e Lulzim Bashës është akoma në xhepin e të gjithë neve. Janë 230 milionë dollarë që nuk kanë marrë akoma përgjigje. Kemi thënë që ishte i sëmurë, nuk vajti dot atje, por nuk i vumë kapakun se ku shkuan 230 milionë dollarë. Vjen sot dhe ka kurajën t’i kërkojë dorëheqjen një personaliteti politik siç është Ilir Meta, i cili është në dispozicion të drejtësisë gjithmonë, edhe për gjënë më të largët kur e ka lypur nevoja. Por dorëheqje fiktive për intriga mediatike, të sponsorizuara fort mirë dhe në mënyrë të majme, në mënyrë që sakëlldija e 21 qershorit t’u dalë, sepse nuk u del dot, dhe nga ana tjetër t’i japim kënaqësi krimit të organizuar që ne po godasim një njeri shumë të rëndësishëm të politikës, se ju nuk po e kapni dot, por ne po e krijojmë një problem të tillë, kjo kohë ka mbaruar dhe nuk kemi për t’i bërë kurrë shërbim kësaj gjëje. Shërbimet ia bëjmë me standardin e ndershmërisë. Çfarë duan? Ta hetojnë? Ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi hetimit, Ilir Meta apo Petrit Vasili apo edhe njeriun më i fundit i LSI-së. Dhe në rast se ka gabuar, ka prekur qoftë edhe një lek nga paratë e shtetit, të dënohen. Ne nuk do të mbrojmë askënd, që përfaqëson LSI-në dhe që gabon apo shkel rregullat e shtetit. Ky është një standard të cilin ne nuk do ta cenojmë dhe me këtë frymë i jemi futur edhe politikës edhe standardeve të pastërtisë, por edhe standardeve të dekriminalizimit të shoqërisë.

Besoj të njëjtën përgjigje keni edhe për atë që është publikuar sot nga Lapsi.al. Nuk e di a keni pasur mundësi ta lexoni, një raport i brendshëm apo jozyrtar i OSBE-së, ku flitet edhe për liderët e politikës shqiptare, edhe z. Rama, z. Meta dhe për z. Berisha, me një përmbledhje të asaj që përflitet për skandalet le të themi të tyre…         

Unë të them të drejtën kam pasur një standard shumë të rëndësishëm për veten, që ka qenë standardi i seriozitetit. Edhe në punë, në profesionin tim, por edhe në politikë. Karagjozllëqeve të këtij niveli sigurisht nuk kam çfarë t’u them tjetër, veçse që provoj keqardhje dhe besoj që nuk ndihmojnë askënd, por dëmtojnë të gjithë. Dëmtojnë opinionin dhe ata që i prodhojnë…

Por ndërkohë opinioni publik po bombardohet nga lajme të tilla… Sondazhet tregojnë që opinioni publik i beson lajmeve të tilla…

Dëmtojnë shumë edhe ata që prodhojnë karagjozllëqe të tilla, sepse opinioni publik ndihet më mirë kur dëgjon të vërteta qofshin edhe më të hidhura dhe opinioni publik, ku bëjmë pjesë edhe unë bashkë me ju, sepse ju nuk jeni njerëz të medias gjithë ditës, jeni edhe qytetarë të thjeshtë, edhe unë nuk jam politikan gjithë ditës. Pra, nuk ndihemi mirë nëse jemi nën presionin e karagjozllëqeve, mashtrimeve, gënjeshtrave të fabrikuara të sponsorizuara, dhe hallin se jetojmë në një shoqëri të pavërtetë. Besoj që sot shqiptarët dhe ndërkombëtarët, duhet t’i bëjmë shërbim të vërtetave, të mira apo të hidhura, besoj ky është edhe nja nga elementët thelbësorë që edukojnë një moral të mirë, sepse në të kundërt pastaj do të ishim të pabesueshëm të gjithë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë kur do të flisnim. Nuk do të besonim më askënd.

Z. Vasili, si do t’i cilësonit ju marrëdhëniet Rama-Meta?

Unë besoj dhe kam insistuar vazhdimisht, madje edhe pyetjes suaj do t’i përgjigjem me të njëjtin qëndrim. Por nuk janë thjesht marrëdhënie Rama-Meta, ky është një term që përdoret për gjuhën tuaj si e konceptoni si gazetarë, unë shikojë marrëdhëniet midis dy forcave politike. Këto marrëdhënie janë bashkëpunuese…

A janë të shëndosha këto marrëdhënie?

Janë bashkëpunuese e konstruktive, njëkohësisht ka edhe një test që e kam thënë edhe disa herë, që është testi politik i punës së përbashkët në Parlament, punës së përbashkët në qeverinë qendrore, punët e përbashkët në qeverinë lokale. Ju e shikoni që ka bashkëpunim dhe konstruktivitet dhe ky ka prodhuar edhe ecjen përpara të nismave ligjore, të reformave dhe të elementeve të tjera, duke filluar që nga zgjedhjet që ne sapo i lamë pas dhe deri në sallën e Parlamentit, ku ju jo më larg se dje keni pasur një mundësi verifikimi të këtyre marrëdhënieve, ku votimi ishte i potë dhe pa të çarë.

Megjithëse nuk kanë munguar artikujt në shtyp edhe për komentet e seancës…

Nuk i kam lexuar por më mirëkuptoni, sepse nuk e di se çfarë komentesh mund të bëhen në rast se ka 74 deputetë të LSI-së e PS-së, 23 deputetë të PD-së dhe të 74 votat e kësaj mazhorance votojnë nismën përkatëse dhe 23 opozitarë votojnë në kahun tjetër. Secili ka të drejtë të komentojë si të dojë, mund të thotë edhe në momentin që shtypi butonin nuk qëndroi drejt apo gjëra të tilla.

Ky sesion nis në fakt me një premtim të përsëritur të mazhorancës për reformën në drejtësi. Kryeministri Rama edhe si shefi i ekzekutivit i ka mëshuar më shumë fakti, që kjo reformë do të bëhet me çdo kusht brenda këtij sesioni parlamentar. Opozita nga ana e saj ka kërkuar që të ketë sa më shumë të drejtë për të bashkëvendosur në këtë reformë. Ju si kreu i grupit parlamentar të LSI-së, gjithashtu e keni theksuar çështjen e konsensusit në këtë reformë, duke theksuar edhe faktin që kjo reformë duhet bërë dhe është e rëndësishme. Ka disa nuanca të ndryshme, me këtë frymë konflikti a mendoni se do të shkojmë dot drejt një konsensusi?

Ka dy-tre momente të rëndësishme. Elementi thelbësor parimor është një reformë që duhet kryer. Së dyti, është një reformë e cila nga mosbërja e saj shoqëria shqiptare ndihet gjithmonë e më e sëmurë. Pra domosdoshmëria është imperative.

Së treti, ne edhe si LSI në mënyrë të veçantë, i kemi bërë shërbim në mënyrë që të kemi një reformë sa më konsensuale, sa më të qëndrueshme për t’i rezistuar kohës. Por njëkohësisht nuk mund të hyjmë në krizën pa fund të një reforme që mbetet në udhëkryq. Sepse është detyrimi më i madh për qytetarët, por edhe detyrim besimi në raport me ndërkombëtarët, ku ne japim dhe marrim. Kemi një shkëmbim të ndërsejlltë politik dhe ekonomik, e cila na çliron nga shumë energji të tjera pozitive që na duhen në komunikimin jashtë Shqipërisë.

Së fundmi, ju e dini që kjo reformë asistohet fuqimisht nga një ekspertizë shumë e kualifikuar amerikane dhe e BE-së. Dhe ju e dini që për të zhbllokuar situatën, Ambasadori Amerikan, Donald Lu dhe Ambasadorja e BE-së, Vlahutin ishin vetë pjesëmarrës. Deri në momentin kur do të formësohet një draft i caktuar, me tërësinë e ndryshimeve që do të propozohen, të cilat në fund të analizës do të kenë një mbështetje të plotë të ekspertëve amerikanë dhe europianë, pra kur ata të thonë “po” për standardin demokratik që synohet të arrihet, për besimin që i rikthehet drejtësisë në sytë e qytetarëve, “ky është drafti i duhur”, atëherë sigurisht këtij drafti do t’i themi “po” edhe ne. Mirë do të ishte që të kishim një konsensus, por në rast se kemi këtë opinion bindës të kësaj ekspertize që vjen nga SHBA-të dhe BE-ja, që kanë angazhuar grupet e tyre të ekspertëve, sigurisht pa asnjë hezitim do ta votojmë këtë reformë.

12.09.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.