Postuar me: 7:17 17-06-2015

Intervista e Kryetarit të LSI-së për emisionin “Opinion” në TV KLAN (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_8169

Intervista e Kryetarit të LSI-së për emisionin “Opinion” në TV KLAN

 Intervista e Kryetarit të LSI-së Ilir Meta për emisionin “Opinion” në TV KLAN .

A po bën më shumë presion se PS-a, LSI-a në këto zgjedhje?

Unë e thashë tani, por ju s’keni qenë të vëmendshëm. Kjo nuk është një gjë e rastësishme. Këto janë shpikje të gjitha. Pse janë shpikje? Këto duan të krijon alibi për nesër. Këta me Partinë Socialiste nuk bëjnë garë. Pse nuk bëjnë garë? Sepse e dinë që Partia Socialiste është parit e parë e padiskutueshme dhe atëherë thonë të paktën të mbajmë vendin e dytë. Thonë kjo LRI-ja dhe kjo LSI-ja na çmendi me gjithë këta të rinj në të gjithë Shqipërinë. Po sikur këta të dalin të dytët? Çfarë do të themi ne? Do themi që populli s’na do fare? Që çfarë kemi than në parlament nuk ka ngjitur fare. Që gjithë këto reforma që ka bërë kjo qeveri nuk ka pasur kosto farë? Atëherë hajde të shpikim tani që kemi probleme me LSI-në sepse LSI do të na bëj këtë… ky është gjithë problemi i tyre. Asnjë problem nuk ka LSI-ja. Nuk kërkojmë ne. Kanë frikë ata mos dalim ne. Ne dalim forcë e fundit zotëri, ne dalim forcë e fundit zotur dhe nuk ka asnjë problem.

Z. Meta keni bërë një ndarje territoriale…

Nuk e kemi bërë ne e ka bërë PD-ja sepse i kemi thënë PD-së bëj ndarjen që do ti ta miratojmë ne. I kemi dhënë 5 variante dhe nuk pranoi asnjë. I kemi dhënë 5 variante dhe i kemi thënë zgjidhni. E ka bërë PD-ja këtë ndarje. Duke mos u bërë pjesë e bashkëpunimit Partia Demokratike e ka bërë këtë ndarje. I kemi thënë hajde ta bëjmë bashkë, pra 8 anëtarë ju, 8 anëtar ne. Bashkëkryetar ju, bashkëkryetar ne. Jo kanë thënë. Kanë thënë se ju keni një ndarje në mendjen tuaj dhe ju po bëni lojë. Ne kemi thënë jo ne nuk bëjmë lojë, jemi shumë serioz, kemi edhe partnerët ndërkombëtar që e kërkojnë këtë gjë, hajde ta bëjmë. Në fund fare kur ata kanë bojkotuar ne kemi çuar 5 variante. Kemi thënë vëllezër demokratë keni 5 variante, kë doni? Doni këtë me 30 me 60 me 80. Jo thanë ata, nuk duam asnjë nga të pestë se ne do të japim variantin tonë. Bënë konferencë të Partisë Demokratike për reformën administrative territoriale, na dërguan ftesë neve se kujtuam se nuk do të shkonim. Ne vajtëm atje, vajti z. Fino, kryetari i komisionit, vajti z. Vasili dhe thanë qëllimet e reformës ju keni alternativën tuaj, ju lutem na e jepni ta pranojmë. Ata nuk na dhanë gjë dhe ne nuk mund ti linim shqiptarët në mëshirën e 400 komunave dhe bashkive që nuk zgjidhnin asgjë. Pra këtë ndarje e bëri Partia Demokratike me kokëfortësinë e saj.

Bastionet kryesisht të veriut ku dominon PD-ja ndahet nj njësi ndërsa në jug 2. Cili është ndryshimi z. Meta që Lezha dhe Shëngjini janë nj bashkio ndërsa Divjaka dhe Lushnja janë një bashki.

Jo është çështje historike. Më thuaj mua çfarë ndarje na dha PD-ja që ia kërkuam dhe ju lutëm 6 muaj. Po gabimet e PD-së do bëjmë ne? Nuk abuzojmë ne, ne i kemi thënë PD-së të na japë variantin. I kemi thënë që ne kemi 5 variante, zgjidhni një nga të pestë. Jo thanë do të japin tonin. Iu lutëm të na jenin variantin. Por ne nuk do t’i linin shqiptarët në mëshirën e 400 kryetar komunash dhe bashkie që nuk zgjidhnin problemet e tyre.

Cili është objektivi i LSI-së?

Objektivi i LSI-së është standardi i zgjedhjeve, asnjë objektiv tjetër.

Standardi i zgjedhjeve është shumë i thjeshtë, mos çoni njerëz të bëjnë presion…

E thashë qëndrimin tim disa herë, nëse është e saktë siç e dhatë ju distancohem nga ajo gjë.

Po nëse zgjedhjet prishen?

Absolutisht nuk kanë pse të prishen zgjedhjet. Këtu kanë ndodhur gjëra shumë të rënda dhe zgjedhjet nuk janë prishur. Në qoftë se dikush e ndien që është i humbur, dhe kërkon këtë si alibi, le ta bëj. Duan ti lënë në baltë kandidatët e tyre që kanë lënë dhe mandatet e deputetëve, është përgjegjësi e tyre me elektoratin e tyre. Duan të lënë në baltë anëtarët e këshillit që po kandidojnë nga Partia Demokratike nga opozita, le t’i lënë në baltë, është problemi i tyre. Por ata asnjëherë nuk kanë thënë që për ne standardet janë më të rëndësishme se rezultati.

Po z. Basha sot ka denoncuar që standardet duhet të jenë të parat. Ka denoncuar që po shkelen standardet.

Po lërë çfarë standardet me z. Basha…këto që ka thënë doktori i mora seriozisht dhe dhashë përgjigjen. Tani z. Basha e dinë edhe kolegët e vetë demokrat, thënë që ky të gënjen për qejf. Si të gënjen për qejf? Pyete për orën thanë, po nuk ta thanë gabim sek a kënaqësinë kur gënjen.

Ju ka gënjyer z. Basha për ndonjë gjë?

Po gënjeu sot përsëri kuksianë. Sot u tha kuksianëve se “Hasan Meta” për Hasn Halilin. Ka kënaqësinë se kur gënjen.

Ku ka gënjyer z. Basha ju për ndonjë gjë?

Gënjeu sot përsëri kuksianët.

Si i gënjeu?

Se u tha kuksianeve që Hasan Meta, për Hasan Halilin kryetarin e bashkisë

Që e kishte të vetin dhe ia morët?

Jo nuk ia morën ne, ai iku se nuk është si Lulzim Basha. Nuk gënjen, përkundrazi. Nuk pranoi të gënjente për ujësjellësin që të merrte pjesë në një ceremoni mashtruese ku Sali Berisha ishte kryeministër, ku Flamur Noka ishte Ministër i Brendshëm dhe bënte presione dhe gjithë e Partia Demokratike që të inauguronin një ujësjellës disa miliona euro që nuk kishte ujë dhe të cilin ai e kishte kontestuar se ky projekt nuk sjell ujë, por janë vetëm për fushatë elektorale. Dhe ka ikur kur LSI-ja ishte në opozitë dhe kur PD-ja ishte në pushtet dhe synonte të merrte mandatin tjetër. Kjo ishte nga ato gënjeshtrat që bënin Luli…

Aq dinjitoze ishte ikja sa Blushi e mori si shembull të hasanizimit të politikës shqiptare

Është e drejta e tij nuk ka asnjë problem.

Si shembull të degradimit moral të politikës…

Ajo është e drejta e tij nuk jemi këtu për tu marrë me atë histori. Atë fjalën e kanë qytetarët e Kukësit.

Gënjeu Lulzim Basha?

Pyete për orët se ndonjëherë nga halli dhe mund të thotë ndonjë gjë. Por ora është tani 11.02 po pyete atë dhe thotë është 11:50.

Juve ju ka gënjyer?

Thash pra këtë të Kukësit si e gënjeu dhe para një muaji.

Pse nuk i thatë kur dolët në fushatë?

Vetëm gënjeshtra ka. E mendoja ndryshe. Mendova që është çun i mirë, i edukuar në Holandë, por ky e paska pasur ves të madh këtë punë.

Përse jeni fokusuar kaq shumë te Lezha dhe a është dinjitoze, që në 2007 keni shkuar keni Kërkuar votat së bashku me Ramën, në 2011 keni shkuar keni kërkuar votën me Berishën, në 2015 ktheheni përsëri me Ramën të kërkoni votat për lezhjanët. Kaq pa orientim politik do jenë lezhjanët që të votojnë njëherë këtej e njëherë andej?

Këto që përmendët ju tregojnë se ne kemi një kandidat qytetar e ashtu është. Ai është nivel i lartë. Është në këto bashki përballë adriatikut që janë më të zhvilluara dhe më të mëdha. Niveli i tij intelektual, shoqëror, etj. Ishte për nivele ndërkombëtare. Kandidati jonë është nivel shumë i lartë. Ju kandidatit tjetër as emrit nuk ia dini dhe as nuk do t’ia mësoni ndonjëherë. Atë e njeh gjithë Shqipëria dhe e njeh e gjithë Lezha dhe të jeni të sigurt ju që do të jetë një fitore bindëse.

Përse do ta votojnë për një mandat të tretë?

Sepse ai tjetri kandidon për një mandat të katërt sepse ka bërë katër mandate në një komunë aty që s’ka as ujësjellës. As rrugë që ka vetëm probleme tokash e njëmijë probleme të tjera dhe demokratët e dinë shumë mirë si është caktuar ai nga Lulzim Basha në çfarë mënyre dhe në çfarë forme. Mjafton të shikosh shumë investime që janë bërë në 18 muaj që ka pasur një mbështetje shumë më të madhe nga ana e qeverisë për të kuptuar si do të jetë e gjithë Lezha dhe si do të jenë të gjithë komunat që do t’i bashkohen shumë shpejt brenda dy vitesh.

Një nga problemet e tjera ku keni qene i fokusuar dhe ka pasur mjaft debate është Shkodra. Përse u përfshitë në Shkodër kur nuk jeni përfshirë në bashki të tjera të mëdha dhe ku nuk keni kandidatin tuaj?

Më pyeti në fakt dhe dikush ore si shpjegohet që u bë kaq kohë dhe s’ke vajtur në Skrapar. Po i thashë që unë atë premtim që bëra në 2013-n për qytetarët e Skraparit për hapjen e 200 vendeve të punës e bëra që në vitin e parë. Kështu që ata kanë nevojë për premtimet, nuk kanë nevojë thjesht për fushatë.

Pse ne jeni përqendruar në disa zona?

Sepse mendojmë që ka disa problematika më të mprehta që duhen vlerësuar.

Cilat janë disa nga problematikët? Shkodra është bashkia që ka marrë numrin më të madh të investimeve?

Ka probleme të mëdha të varfërisë. Është nga qarqet që e ka më problematike, Shkodra, Kukësi.

Ka të bëjë me mirëqenien e qytetarëve apo lidhet me një sfidë personalen tuajën me Tom Doshin që ka deklaruar votën e tij pro Voltana Ademit?

Nuk ekziston asnjë sfidë e imja ndaj asnjë lloj emri të përveçëm, lidhja ime me Shkodrën është e hershme, unë jam Kryeministri dhe e them fare pa modesti, që në një kohë të shkurtër ka bërë më shumë se kushdo tjetër për Shkodrën. Kam bërë rrugën Lezhë-Shkodër, vepra e parë e madhe e buxhetit të shtetit me vlerë 4 miliardë lekë. Rrugën e Velipojës që në vitin 2000, rrugën e Muriqanit, spitalin e ri të Shkodrës e shumë e shumë investime të tjera dhe e kam vuajtur gjithmonë edhe në atë kohë mungesën e bashkëpunimit me kryetarët e bashkisë së Shkodrës, që nuk vinin sepse nuk donin, por nuk i linte PD-ja të bashkëpunonin. Edhe një herë që erdhi Omir Rusi, që kisha shumë respekt për të, iu qep gjithë PD-ja pse takohesh me këtë pse takohesh me atë.

Po përse nuk e morët Shkodrën me kandidatin tuaj?

Me qetësi, kështu që lidhja ime me Shkodrën është një lidhje e hershme. Lidhja ime me Shkodrën do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit.

Kjo nuk varet nga ju sepse po fitoi znj. Ademi mund të mos ketë fare komunikim me ju?

Po tani ti kujton se ajo këndoi Rama-Meta ka mbaruar dhe mua më ngeli hatri me të? E detyruan ata të partisë. Në fakt, Rama-Meta nuk kanë filluar akoma.

Kushedi çfarë do na shohin sytë më shumë ?

Nuk e kisha në këtë kuptim, por gjëra më të bukura do të shohim në të ardhmen, të jeni të sigurt dhe më i qetë.

Pse jeni futur kaq fort me Shkodrën?

Pse çfarë kam bërë unë në Shkodër? Në vorë po, sepse e kam shumë kollaj, iki për në Lalës për shembull dhe ndaloj në Vorë, iki për në Lezhë ndaloj në Vorë, iki për në Vlorë ndaloj në Vorë, çfarë faji kam unë? Njeriu kur ka një merak pse të mos ndaloj? Nuk është se po iki në Ersekë përditë dhe të thuash ore çarë po bën ti që shkon atje. Mua më lidh puna dhe kam një merak, ti pyes këta njerëz çfarë halli keni, çfarë problemi keni, si ti zgjidhim këto halle. 12 vjet drejtues të PD-së, deputetë të PD-së shkonin dhe kishin vetëm një adresë në Vorë, “Agro Blend” dhe për atë bëhet e gjithë lufta. As shkonin në ndonjë fshat, as shkonin të zgjidhnin ndonjë kanal vaditës, as shkonin të zgjidhnin ndonjë qendër shëndetësore, as shkonin të zgjidhnin ndonjë problem shkolle dhe asnjë problem tjetër.

U bëra një pyetje dje z. Patozi dhe z. Luan Rama: beteja për Vorën është betejë për të punësuar nga një njeri për familje apo është betejë sepse Vora sot është kryqëzimi i të gjithë rrugëve të kalimit të biznesit? Bizneset e autostradës Tiranë-Durrës, bizneset e aeroportit, bizneset e zonave rreth e rrotull mbeten të gjitha në dorën e Kryetarit të Bashkisë së Vorës..

Nuk ka lidhje fare me kryetarin, kryetari ka në dorë që t’u shërbejë bizneseve dhe ka në dorë që të bëjë atë politikë që punëson të gjithë komunitetin. Dhe natyrisht që unë këtë premtim e kam të vështirë ta bëj në Kolonjë, që të them do të punësoj të gjithë qytetarët e Kolonjës, do të hapim vende të reja pune, patjetër. Pse? Sepse Vora ka këtë avantazh që thatë ju, por ky avantazh nuk u shfytëzua për 12 vjet, u shfrytëzua për interesa personale dhe ata menduan që mjafton në ditën e ë fundit të çosh thesin e miellit me zarfin dhe marrin votat. Ne nuk kemi këtë koncept, nuk kemi këtë filozofi, ne dalim hapur me një program me disa premtime. Nuk i pëlqen popullit të Vorës kjo gjë? Nuk ka asnjë probleme për ne, ne do të bëjmë detyrën tonë. Ne do të respektojmë vullnetin e popullit të Vorës. Çfarë të keqe ka këtu?

Z. Meta përse i kërkuat ndryshe nga 4 vjet më parë, kur kërkuat një bashki të madhe siç ishte Elbasani, përse kësaj herë me z. Rama kryesisht u fokusuat tek bashkitë e vogla?

Së pari, unë nuk mendoj se këto janë bashki të vogla, të gjitha janë bashki të rëndësishme që nga ajo e Pustecit që është shumë e rëndësishme sepse përfaqëson një komunitet të veçantë që është një pasuri e jona, siç është komuniteti maqedonas edhe çdo bashki tjetër në Shqipëri tani është shumë e rëndësishme. Dhe kjo është falë kësaj reforme historike, madhore që ne kemi bërë.

Që në fakt, sipas të dhënave të mia keni qenë ju që keni insistuar që të bëhet me 61 bashki nga versioni prej 30 e ca bashki që ka pasur në fillim mazhoranca…

Ne këtë reformë e kemi dhuratë nga PD-ja, ajo me mungesën e saj të pjesëmarrjes ka bërë një faj të madh. Të mungosh në një reformë historike kur pala tjetër të jep mundësinë e të thotë eja ta bëjmë si të duash ti, ky është faj i madh.

Çfarë kërkon LSI-ja në GJirokastër, z. Meta? Përse e kërkuar këtë bashki?

Nuk është se e kërkuam ne apo kërkoi PS-ja. Ne kemi pasur një konsensus perfekt për kandidatët. Dhe sot nuk është se LSI-ja ka 15 kandidatë, por LSI-ja ka 61 kandidatë. Kjo do të thotë që ne kemi 61 kandidatë në të gjithë Shqipërinë. Që nga Tropoja me Elez Biberajn e deri në Sarandë me Floriana Kokën, janë të gjithë të LSI-së ata, nuk i shikojmë ne se kush i propozoi.

Çështja është se ku do t’i investojë paratë LSI-ja, pra këto që do të shkojnë për të marrë votat, kjo është çështja?

Duhet të tregohemi më serioz z. Fevziu. Duhet të jemi më serioz me qytetarët dhe me fenomenin. Fenomeni është tejet shqetësues. Ju jeni duke e kthyer në histori gallate. Po të ishit ju kaq insistues si media duhet të kishit shkuar atje në Vorë dhe të administronit provat dhe ta bënim shembull për të gjithë vendin. Edhe Sali Berishës dhe asaj që thoshte “si si futëm një plumb në lule të ballit” t’i thoni që t’i denoncojnë në prokurori të gjitha faktet dhe provat.

Përse koalicioni juaj vendosi Erion Veliajn në Tiranë. Sipas të dhënave ai nuk figuronte më popullori në Tiranë. 

Çështja e Tiranës as nuk kam men duar ndonjëherë se do të ishte një çështje për të cilën duhet të përcaktohej LSI. Në kuptimin që nuk do të ishim ne ata që do të kushtëzonim kandidaturat. Ky ishte një proces i brendshëm i Partisë Socialiste. Ajo është partia kryesore e koalicionit tonë. Tirana është bashkia më e madhe. Erion Veliaj mendoj se ishte një ministër shumë i suksesshëm. Në ministrinë që drejtonte bëri punë shumë të mira dhe mjaft reforma dhe këtë do ta vlerësojnë edhe qytetarët me votën e tyre.

Ju do të pranonit çdo kandidat të Partisë Socialiste?

Të gjitha kandidaturat që u përfolën edhe nga media ishin kandidatura shumë të pranueshme.

A është thyer akulli mes jush dhe z. Veliaj për sulmet që ka pasur ai ndaj jush në vitin 2011?

Unë i bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së që të votojnë për Erion Veliajn. Ai është drejtimi i duhur. Demireli, i cili ishte një politikan shumë simpatik thoshte: dje ishte dje dhe sot është sot.

Cili është drejtimi i duhur z. Meta?

Drejtimi i duhur është ai që do ta çojë Shqipërinë në rrugën e duhur.

Cili është raporti që ju keni sot me z. Halim Kosova?

Unë doktor Halimin e kam mik por për të kandiduar nuk më ka pyetur. Ka pasur edhe njerëz të tjerë në PD që janë përfolur si kandidatë të mundshëm dhe më kanë pyetur. U kam thënë që diferenca është shumë e madhe dhe nuk ia vlen që të lini mandatin e deputetit. Ore, ti kujton se dalin e më shajnë se u thotë ky që të dalin dhe mendon se nuk më duan ata mua. Kam raporte të tjera unë me demokratët.

Vetëm nëse keni ndonjë biznes?

I vetmi biznes i imi është politika dhe pasuria ime është vetëm kjo: Po-ja është po dhe Jo-ja është jo.

Thatë që z Kosova nuk ju pyeti, nuk ju ka treguar?

Nuk më pyeti dhe ka të drejtën e vet të mos më pyesë. Por pyetja jote ishte se ç’mendim kam unë për këtë kandidim? Për mua, po të më kishte pyetur, unë do t’i kisha thënë që po rrezikon shumë për shkak të situatës, raporteve elektorale e kështu me radhë. Megjithatë më duhet të them që ai është treguar deri më tani kandidati më civil nga kandidatët e Partisë Demokratike, i vetmi që ka kërkuar kafe me kryeministrin, i vetmi që është shprehur i hapur për të bashkëpunuar me kryeministrin për qytetarët e Tiranës. Në një vend demokratik ka vetëm mjete demokratike. Mjet demokratik do të thotë ta shkarkosh qeverinë me mocion mosbesimi. Ai nuk ka aq deputetë sa për të firmosur mocionin, e jo më për ta votuar. Për Dr. Halimin kam respektin maksimal për të, e kam mik, kemi drekuar e darkuar bashkë, do të rrimë sërish bashkë pavarësisht se cili do të jetë rezultati, por vota është për Erion Veliaj.

A mendoni se z. Kosova mund të ishte një kryetar bashkie shumë i mirë për Tiranën?

Mund të ishte një President shumë i mirë por Berisha nuk e pranoi.

Çfarë rezultati prisni në Tiranë, z. Meta?

Nuk dua të bëj orakullin, sepse nuk është kjo detyra ime. Ata nuk e kanë mbështetur Dr. Halimin për ta fituar këtë garë. Z. Kosova është një njeri pozitiv, është një njeri që ka bërë punë të mira e kështu me radhë, pra mund ta shfrytëzojnë. Por, çfarë bëjnë këta? I heqin dhe votuesit në Tiranë.

Z. Meta përse ky koalicion kaq i stërmadh i mazhorancës?

Sepse gjithëpërfshirja është filozofi e kësaj mazhorance. Do të bëj një pyetje. Pse gënjeu Fatmir Mediu për Durrësin? E kanë parë të gjithë shqiptarët kur Fatmir Mediu ka dalë që Lulzim Basha na ka premtuar për Agron Duka. Ai ka thënë që Lulzim Basha na ka gënjyer pasi na premtoi për Agron Dukën dhe nëse nuk vendoset Agron Duka atëherë Lulzim Basha ia ka shitur Vangjush Dakos dhe Edi Ramës, e kështu me radhë.

Ku e dini që nuk gënjen z. Mediu?

Duhet të dalë z. Basha, jo unë. Kjo është e vërteta, ku Fatmir Mediu tha që “na ka gënjyer Lulzim Basha”. Si e kërkojnë ata fajin kur ka gënjyer edhe aleatin më besnik.

Z. Meta, mazhorancën parlamentare nga 83 deputetësh e keni çuar në 93 deputetë duke marrë deputetë që janë votuar për të qenë në opozitë?

Deputetët janë deputetë në momentin që zgjidhen. Cili është problemi ynë me PD-në? Ne nuk kemi standarde të dyfishta. Kur z. Islami dhe z. Kadeli kaluan për të mbështetur PD-në thanë që këta bënë një akt patriotik dhe heroik. Është e drejta e deputetëve. Është çështje besimi. Politika është çështje besimi.

Ju i keni kërkuar z. Berisha, që z. Basha të bëhej kryeministri i vendit!

Berisha nuk të gënjente. Ai thoshte po dhe ishte po dhe jo ishte jo. Me Berishën ke dëshirë të luftosh por ke dëshirë edhe të bashkëpunosh. Me këtë as luftë as bashkëpunim.

Në të dhënat që kam unë, dhe sms që vijnë, z. Meta më thonë qenë Bulqizë LSI ka zënë të gjitha postet e mundshme që administron qyteti dhe si mund të votohet kur të gjitha i kontrollon LSI-ja?

Çfarë posterash bëhet fjalë? E çfarë lidhje kanë postet..

Më thotë që po të kthemi, në Bulqizë, deputeti i LSI-së, vëllai i tij është drejtor i shërbimeve të transportit për të gjithë republikës…

Edhe çfarë do të thotë kjo? Këto janë muhabetet kot. Unë thashë se çfarë postesh kishte zënë për tabelat që vendosen që ndikojnë tek zgjedhjet. Këto i vlerësojnë qytetarët me votë. Në qoftë se këto janë gjëra të vërteta, dhe janë gjëra të gabuara,i gjykojnë qytetarët me votë. Unë kujtova se mos kishte zënë posterat atje dhe nuk kishte fotografi të kandidatit të PD-së dhe thash të marrë masat që sot në qaftë se është kjo gjë, që të prodhojmë postera për këtë të PD-së dhe t’i vëmë atje gjysmë për gjysmë.

Për postera dhe flamuj është e pamundur se çdo shtyllë të Shqipërisë e zë një flamur i LSI-së.

Nuk jam dakord me këtë. Ty të shqetëson ngjyra e kuqe. Është problemi i ngjyrës, ke problemin e ngjyrës.

Ose LSI është aq e pasur…sa kushton fushata juaj elektorale?

Nuk ka asnjë lidhje. Absolutisht nuk kushton fare dhe ne nuk kemi shpërndarë asnjë flamur. Nuk kemi shpërndarë asnjë poster. I bëjnë njerëzit dhe vetë flamujt. Ja marrin rastin e Vorës. Kandidati jonë, ai është sipërmarrës me të tjerë ka bërë…

Këto para deklarohen…

Të gjitha do të deklarohen. Nëse ka shqetësim PD, se ai nuk shpërndan zarfa. Sa shpërndan ai 5 zarfa, ai bën 1 mijë flamuj atje. Kaq bëjnë. Do Partia Demokratike t’i prodhojmë flamujt, t’i bëjmë thirrje disa njerëzve sepse ne kemi anëtar të LSI që kanë fabrika që prodhojnë flamuj, që kanë fabrika që prodhojnë bluza e kështu me radhë, të bëjmë donacion Parisë Demokratike dhe po qe se nuk kanë ata…

Si keni fabrika?

Nuk kemi ne. I kanë anëtarët tanë. Siç ka kandidatja jonë në Shkodër. Ka dhe anëtar që janë të papunë dhe janë me ndihmë ekonomike, ka edhe nga ata që kanë fabrika. E ndalon ti dot të bëjë bluza për LSI-në? Ajo që mund të bëjmë ne është që të bëjmë bluza dhe për PD. Po të duan ata u bëjmë bluza. T’i themi të bëjnë ca bluza, të bëjnë ca flamuj, dhe spatin të rinj për t’i vënë flamujt, do i themi këtyre të rinjve për hatër të demokracisë meqë po ankohet PD t’i vënë dhe flamujt e PD-së.

Sa ka kushtuar fushata elektorale e LSI-së? Partia Demokratike dje deklaroi që Erjon Veliaj ka shpenzuar sipas spoteve 1 milion e 144 mijë euro

Nuk e di fare çfarë thotë PD-ja. Kam një pyetej për ju, ose për Partinë Demokratike meqë flet për shpenzime, t’i japi fund këtyre hipokrizive. T’i tregojë anëtarëve të vet se ka pasur buxhet gati 1 miliard lekë edhe sot e ka buxhetin 700-800 milion lekë në vit. E ka tre katër herë më të madh se LSI-ja. E ka pasur 1 miliard e ca, se çfarë i ka bënë ato lekë. Të bëj transparencë me anëtarët e tyre, me simpatizantët e tyre, se vetëm nga buxheti i shtetit, se akoma, pyete pronarin e këtij televizioni dhe shumë të tjerëve, nuk ka paguar në media faturat që ka që nga 2013 e nga 2011 kur ishte në pushtet. Të bëj këtë Partia Demokratike.

S’paska lekë Partia Demokratike që s’paguan atëherë…

Jo ka marrë lekë nga buxheti i shtetit, ku i ka çuar lekët që merr nga buxheti i shtetit. Ka marrë nga 1 miliard lekë, dhe tani merr nga 700 milion lekë. Ku i çon këto?

Sa është fatura juaj a mund të ma thoni?

Fatura ime nuk e di shko pyet atë që merret me financat atje, por të jesh i sigurt që është fare minimale. Fatura kryesore është puna e sportit. Ne një spot kishim, e kishim programuar, kishim bërë një media plan. Nxorëm spotin tjetër, ndamë kohën. Kaq, asgjë tjetër.

Është mirë që çdo anëtari i juaj ta shohë këtë sport për të kuptuar se çfarë nuk duete të bëjë?

Patjetër, jo çdo anëtar i joni që do ta bëjë por çdo qytetar i Shqipërisë dhe të mësojë PD që politika nuk bëhet me shpifje dhe veset e tua t’ia faturosh tjetrit, por nëse je e shqetësuar për standarde të bëjmë të njëjtën gjë, dhe për çdo gjë t’i çojë në prokurori.

Në rrjetet sociale kishte batuta që thoshin ky spot ….”hajduti bërtet kapeni hajdutin”

Nuk shqetësohem fare unë për batuta që shpërndahen në nivele të tilla fare ordinere. Ky është një spot shumë i kulturuar. Të tre personat që dalin në sport janë kandidatë për këshilltarë të LSI në Tiranë, edhe Erisa Xhixhon, edhe  Endrit Braimllarin, edhe Florida që është këtu. Kanë dhënë një mesazh shumë të sinqertë dhe sensibilizues, disa denoncime janë bërë, shpresojmë që të bëhen denoncime të tjera dhe kushdo që të jetë, të jetë i PD, i LSI, i PS të denoncohet, të dënohet,  të veprojë drejtësia. Ne jemi Për shtetin ligjor. Ky është shqetësimi ynë,. Ne nuk kemi asnjë shqetësim tjetër. Pastaj për gjërat e tjera unë nuk dua të merrem sepse populli ka dhe thënie të tjera.

Që janë më thuaj se me thënie jemi?

Po thoni që qentë le të lehin dhe karvani shkon përpara

Kush janë qentë në këtë rast?

Janë ata që shpifin, ata janë sepse ata që duan standardet, nuk bllokojnë policinë që të marrë provat për dhënien e zarfeve dhe për blerjen votave të qytetarëve shqiptarë

Po jua ka deklaruar në parlament. Z Patozi. Ka pasur denoncime dhe në parlament për këtë spot?

Nuk kam ndërmend të merrem me një njeri kaq të dëshpëruar që mendoja se mund të ishte në një gjendje më të kontrolluar. Një njeri që ka humbur çdo lloj ekuilibri, një njeri që është përgjegjësi kryesor për zhvendosjen e demokrateve nga Tirana në Vorë.

Pse ka humbur ekuilibrin se nuk vjen ë zyrën tuaj t’ju kërkojë ndonjë favor si deputet i PD-së ?

Së pari njëherë nuk ka ndonjë deputet të PD që vjen kërkon favore te unë.

Po e thatë që kanë ardhur dhe t’ju pyesin a të kandidojnë?

Të marrësh një mendim…Ky nuk është fare në listë as për të kandiduar as për një gjë tjetër prandaj do të marrë protagonizëm dhe për të marrë protagonizëm hajde të merremi me Ilir Metën. Ndërkohë që ky është përgjegjësi  për atë situatë në Vorë, ka organizuar zhvendosjen e 600 vetave dhe të familjarëve të vet . Faktet i keni parë dhe dje ju këtu. I kanë parë dhe qytetarët shqiptarë dhe ka vajtur atje për të bllokuar policinë që të marrë kamerat ku provohet që qytetarët kanë marrë zarfin me lekë për të blerë votat. Ky është morali dhe standardi i tij. Votën do ta shikojmë në 21 qershor. Unë nuk shqetësohem për këtë gjë.

Kjo është akoma më e rëndë që të pyesësh kundërshtarin të kandidosh apo jo?

Ky nuk është fare në listë, as për të kandiduar dhe asgjë për gjë tjetër. Thjesht do të marrë protagonizëm. Dhe gjëja më lehtë për protagonizëm është hajde të merremi me Ilir Metën. Ndërkohë që ky është përgjegjës për atë situatë në Vorë. Ka organizuar zhvendosjen e 600 vetave, edhe të familjarëve të vet. Faktet i keni parë dje ju këtu, i kanë parë edhe qytetarët shqiptarë. Ka bllokuar atje policinë që të marrë kamerat, ku provohet që qytetarët kanë marrë zarfin me lekë për të blerë vota. Ky është morali dhe standardi i tij. Votën do ta shikojmë më 21 qershor. Unë nuk shqetësohem për këtë.

A po shfrytëzon pushtetin LSI për tu pasuruar?

Ky është një mashtrim dhe një dëshpërim i madh i atyre të cilët kanë humbur besueshmërinë tek njerëzit. Votat nuk merren as me pasurinë dhe as me korruptime. Është çështje besimi. Pasuria e Ilir Metës është ajo që thonë gjithë shqiptarët që votojnë për LSI-në: “Po-ja është po dhe Jo-ja është jo. Ata kanë problemin e ‘orës’, le ta zgjidhin. Së dyti, ka dhe probleme korrupsioni. U hap çështja për drejtorin e barnave të Tiranës, LSI-ja pa vajtur çështja në gjykatë e përjashtoi nga çdo strukturë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ata Xhelal Mziun që është dënuar për korrupsion nga gjykata, e rikandiduan prapë. Duke shkelur edhe udhëzimin e PD-së që thotë që nuk do të kandidojnë ata që janë kryetarë partie. Ai edhe kryetar, edhe kandidat dhe pastaj ndaj edhe leksione për dekriminalizimin.

Z. Meta, po përdor Lëvizja Socialiste për Integrim administratën ose ndërmarrjet shtetërore për të punësuar militantë, duke larguar njerëz të tjerë?

Të gjitha këto janë përralla. Kur paska qenë sipas PD-së një administratë kaq profesionale pse duhet të ishin këto vlerësime që janë nga i gjithë Bashkimi Evropian.

A i joshni ju njerëzit duke i premtuar punë?

Ne nuk joshim asnjë njeri. Me joshje e provoi PD në vitin 2013, kur hoqi të gjithë ata që mendonte se ishin të LSI-së nga puna dhe mori të gjitha ata që mendonte se do i jepnin votat dhe në fund fare ju e patë se ku përfundoi Partia Demokratike, duke përdorur pushtetin, duke përdorur heqjen nga puna për arsye politike, duke përdorur heqjen e anëtarit të KQZ-së dhe marrjen e kontrollit në KQZ në mënyrë krejtësisht të dhunshme dhe arbitrare dhe e patë ku përfundoi. Forca e LSI-së është rinia. Prandaj të thashë që votat tona janë bio. Forca e LSI-së janë nga 18 deri në 35 vjeç të cilët janë mbi 70% të votuesve të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Shpresoj të mos marrin modele si ai drejtori i barnave.

Ata kanë model Erisa Xhixhon, kanë model Kejdi Mehmetajn, kanë model Klajda Gjoshën. Këto janë modelet tona.

A është e vërtetë që keni bërë premtim në Vorë që brenda dy vitesh do t’i punësoni të gjithë banorët?

Që të jemi të sinqertë. Nuk kam thënë që do t’i punësojmë, sepse kjo do të thotë që do t’i fusim në punë me pahir. Kam thënë që ne, brenda dy vitesh, ndryshe nga kryetari aktual i bashkisë që ka 12 vjet që mendon se me zarfe dhe me miell në fund fare do të zgjidhë problemet e popullit, çdo banori të Vorës do t’i japim një ose dy mundësi pune në përputhje me shkollën ose formimin profesional që ka ose që mund t’i ofrohet. Mundësi për të punuar do t’i japim çdo banori të Vorës. Kjo është e vërteta.

Më shkruajnë z. Meta, që si shpjegohet që për të gjetur një vend pune duhet të bëhesh vetëm me LSI-në?

Ky është një spekulim i atyre që qëndrojnë larg njerëzve, i atyre që 12 vjet e kishin Vorën, ishin të zgjedhur deputetë, ministra, kryeministra, kryetarë Parlamenti dhe shkonin vetëm tek zyrat e biznesit të kryetarit të tyre. Nuk ndalonin për të parë se ç’halle kanë njerëzit këtu.

Si ka mundësi që keni premtuar kaq shumë, ndërkohë që, në zonat ku ju keni më shumë pushtet, varfëria është më e madhe?

Atje ku bëra një premtim për katër vjet, e zgjidha për një vit. Kam premtuar 500 vende pune në Kukës dhe do t’i hapim, kuksianët e kanë të qartë këtë gjë. Që tek vënia në punë e aeroportit të ri, edhe disa kompani kanë vajtur në Kukës. Prandaj ne e bëmë reformën e re territoriale që pushteti lokal të marrë një atribut dhe përgjegjësi të rëndësishme që ka të bëjë me punësimin, me zhvillimin. Sepse deri më tani, kryetari i Bashkisë së Lezhës, edhe të donte të nxiste një investim, të ngrinte një fabrikë në Lezhë, nuk mundte, sepse Lezha ishte aq e tkurrur sepse duhet të negocionte me kryetarët e komunave, të cilët në të shumtën e rasteve kishin vetëm hallin si të vidhnin tokat e banorëve. Gjëja më e rëndësishme është që do të hyjë në fuqi me votën e popullit shqiptar, me një pjesëmarrje si asnjëherë tjetër në zgjedhjet vendore, një reformë historike administrative. Dhe unë i bëj thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë, që në këto zgjedhje, për këtë reformë që në Shqipëri do të ketë një rrugë të gjatë prej disa dekadash, të marrin pjesë dhe të japin kontributin e tyre, sepse kjo do t’i ndihmojë ata për më shumë shërbime dhe punësim. Sepse qeveria do të ketë 61 bashkëpunëtorë, qofshin ata edhe opozitare, të cilët do të kenë një sens tjetër përgjegjësie dhe llogaridhënieje dhe të gjitha energjitë do të shkojnë në një drejtim. Kjo është meritë e kësaj mazhorance e për këtë arsye do të votohet në mënyrë peblishitare në 21 qershor.

Sa është pasuria juaj dhe si shpjegohet që edhe pse nuk jeni marrë me biznes figuroni një nga 10 njerëzit më të pasur i Parlamentit?

Së pari, nuk e di se sa i sati jam i pasur i Parlamentit. Pasuria ime është e deklaruar. Por, për këtë çështje kam një përgjigje, që e vetmja pasuri që ka Ilir Meta është që Po-ja është po, Jo-ja është jo.

Si gjykoni faktin që jeni kaq euforik për rezultatin e 21 qershorit?

Së pari, nuk jam euforik për rezultatin. Unë kam dëshirën time për rezultatin. Preokupimi im janë standardet. LSI-a është e qetë dhe ka për të qenë gjithmonë e qetë. Të tjerë janë të paqetë sepse ndjejnë rritjen e LSI-së. Çfarë t’u bëjmë ne. Mesazhi im për të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së është që të jenë modeli dhe shembulli i vajtjes me qetësi, me kulturë dhe me dashuri drejt qendrave të votimit. Mesazhi im për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe numëruesit, t’i numërojnë si sytë e ballit çdo votë të qytetarëve shqiptarë për të çdo forcë politike dhe për çdo kandidat. Të distancohen nga çdo lloj provokimi dhe tensioni sepse ka forca dhe grupime të caktuara për të dëmtuar imazhin e këtyre zgjedhjeve. Ky është mesazhi im. Zgjedhjet janë më të rëndësishme. Unë me 22 qershor jam kryetar Parlamenti.  Edi Rama më 22 qershor është kryeministër dhe më 22 qershor Shqipëria do të ketë 61 kryetarë të rinj bashkish ku besoj që shumë prej tyre do të jenë zonja që është revolucion e bërë nga kjo mazhorancë  dhe 50 për qind të kuvendeve vendore do të jenë përsëri zonja. Jam i bindur që shumë shpejt Shqipëria do të jetë vendi i parë në rajon sa i takon barazisë gjinore. Këtë do ta mbajnë mend të gjithë shqiptarët. Ky është vullneti ynë. Ky është kontributi më i madh që jepet për një politikë me integritet dhe për atë që quhet dekriminalizim.

Këto do t’i gjykojnë shqiptarët më 21 qershor…

Unë do t’i nënshtrohem gjykimit të qytetarëve shqiptarë. Ata nuk gabojnë. Ata janë gjithmonë në vendin e duhur, në kohën e duhur dhe në drejtimin e duhur.

17.06.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.