Postuar me: 9:09 16-06-2015

Intoleranca ushqimore, “bombë” në sistemin tonë imunitar (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip IntolerancaShpeshherë e ngrëna na dhuron një kënaqësi të niveleve të larta, por, ndonjëherë, për arsye të llojit ushqimor dhe sasisë së tij mund të na shkaktojë edhe dëm në organizëm. Janë të shumta rastet kur pas të ngrënit nuk ndihemi mirë dhe këtë ndjesi ne kemi prirjen ta anashkalojmë. Por, sa të dëmshme mund të jenë për organizmin këto shqetësime, në dukje, të kalueshme lehtësisht? Sa të kujdesshëm duhet të jemi në përzgjedhjen e ushqimeve? Çfarë është intoleranca ushqimore? Këto dhe të dhëna të tjera, që lidhen me të ushqyerin, na i sjell në këtë intervistë nutricistja Albana Daka.

Doktoreshë, çfarë dëmi mund të shkaktojë intoleranca ushqimore në organizëm?

Literatura e mjekësisë së nutricionit referon për patologjitë e shumta të lidhura me intolerancën ushqimore. Patologjitë më të zakonshme me shkak intolerancën ushqimore lidhen me problemet e aparatit tretës si: meteorizmi, mostretja, ulcera duodenale, koliti ulçeroz, diarreja, sëmundja Crohn, sindromi i zorrës së irrituar, gastriti etj. Do të përmendja edhe sëmundjet e lëkurës si: ekzema, psoriazisi, aknet e fytyrës kryesisht, dermanit, gjithashtu, edhe çrregullimet metabolike nga të cilat veçojmë: diabetin, kolesterolin e lartë, amenorrhean dhe dismenorrhean. Nuk mund të lihen jashtë vëmendjes sëmundjet alergjike si: riniti alergjik, bronkiti, astma bronkiale dhe dhimbjet e kokës si migrena dhe neuralgjia.

Për të kaluar edhe te krizat neurovegjetative, sëmundjet mendore, epilepsia dhe disa forma të skizofrenisë. Gjithashtu, do të shtonim arthritisin, arthrosisin, mialgjinë, hipertensionin, sëmundjet e zemrës, takikardinë, spazmën e gjymtyrëve të poshtme. Vazhdojmë me insuficiencën renale, cistin kronik, urinimin e pavullnetshëm, infeksionet vaginale, sterilitetin, hypo dhe hyperthyroidismën. E përmbyll duke mos lënë jashtë vëmendjes lodhjen kronike, lëvizjen e humorit, krizën e panikut, stresin e vazhdueshëm etj. Thënë me fjalë të thjeshta, intoleranca ushqimore është një “bombë” në sistemin tonë imunitar, një helmim i vazhdueshëm i organizmit tonë.

Cilat janë shenjat falë të cilave kuptohet të qenët intolerant ndaj ushqimit?

Të gjitha shenjat që përmendëm pak më sipër kanë lidhje me intolerancën ushqimore. Më të shpeshtat janë problemet e aparatit tretës, por nuk duhen shpërfillur as simptomat e tjera.

Si mund ta kuptojmë se ndaj çfarë ushqimi jemi intolerantë?

Pavarësisht mendimit të përgjithshëm se intolerancë krijojmë vetëm ndaj ushqimeve që konsumojmë më shpesh, mënyra e vetme për të qenë krejtësisht të sigurt është kryerja e testit të intolerancës ushqimore (Cytotestit). Testi citotoksik është metoda më e besueshme diagnostike e intolerancës ushqimore. Më këtë test ne mund të kontrollojmë të gjitha ushqimet themelore të dietës sonë të përditshme si: drithërat, mishi, peshku, produktet e qumështit, vezët, vajrat, frutat, perimet, ushqimet pikante, pijet, etj.

Sa zgjat terapia apo kujdesi për intolerancën? Për sa kohë nuk mund të ushqehemi me ushqimet ndaj të cilave jemi intolerantë?

Periudha e shmangies nga dieta e këtyre ushqimeve varet nga shkalla e reagimit të çdo ushqimi, siç është përcaktuar nga testi (niveli i intolerancës ushqimore varion nga grada 0 deri në 4) Për shembull, në një nivel intolerance, grada 2, udhëzimi për këtë ushqim është: “Krejtësisht i ndaluar për 2 muaj, më pas lejohet 1 herë në javë nga muaji i 3-të” dhe më pas konsumohet si zakonisht, por pa abuzuar mbi sasitë e tyre.

Në të shumtën e rasteve thuhet gjatë se terapisë personat humbin në peshë. Pse ndodh rënia në peshë?

Shumë shpesh ne i nënshtrohemi një diete me pak kalori, por në të shumtën e rasteve pa rezultat, pasi nuk biem në peshë. Një faktor që duhet fajësuar është intoleranca ushqimore. Ushqime të tilla si: sallata, peshku, karota, pula etj., janë konsideruar si “të lehta” dhe ato janë zakonisht pjesë kryesore e dietave të ndryshme. Megjithatë, në qoftë se ne nuk mund t’i tolerojmë këto ushqime, ato nuk metabolizohen në mënyrë korrekte dhe kështu “bllokojnë” organizmin tonë. Çdo person ka nevojë për një sasi të caktuar kalorish në ditë, për balancimin e nevojave të tij energjetike (pa humbur ose pa marrë peshë). Për shembull, një njeri me metabolizëm normal dhe një punë të përditshme (të tillë si punë zyre) ka nevojë për rreth 3000 kcal në ditë. Por, nëse ky njeri ka intolerancë ndaj disa ushqimeve, sa herë që ai do t’i konsumojë ato, trupi i tij do të reagojë, pasi ato janë toksike për të. Mbrojtja më e thjeshtë e trupit në raste të tilla është që të ngadalësojë metabolizmin, duke u përpjekur, në këtë mënyrë, të ngadalësojë hyrjen e këtyre elementeve toksike në gjak. Atëherë, ky njeri me metabolizëm të ngadaltë, ka nevojë për më pak kalori në ditë. Këshilla “klasike” e dietologut është sugjerimi me dieta rreth 2000 kcal në ditë, në mënyrë që të ruhet një peshë e qëndrueshme dhe dieta me 1000-1500 kcal në ditë, në qoftë se dëshirojmë të humbim peshë. Por literatura mjekësore që përdoret në universitete, për dekada me radhë e deri më sot, sugjeron që një njeri normal ka nevojë për rreth 3000 kcal në ditë dhe fajëson “ndryshimin e stilit të jetës” dhe “efortin fizik minimal” etj.

Testi i intolerancës

Si  duhet të veprojmë kur rezultojmë intolerantë ndaj disa ushqimeve?

Ajo që pason testin e intolerancës ushqimore është “dieta e eliminimit” dhe synon në shmangien e konsumit të të gjitha atyre ushqimeve që shkaktojnë intolerancë ushqimore, si dhe ushqimeve që u përkasin së njëjtës familje biologjike.

Dallimi midis intolerancës ushqimore dhe alergjisë ushqimore

Intoleranca ushqimore është një reagim kronik i organizmit ndaj ushqimeve që konsumohen më shpesh (të tilla si gruri, qumështi, domatja, vaji, mishi, kafja etj). Kjo është një ndër pyetjet më të shpeshta dhe në fakt ngatërrohen shpesh, por dua të theksoj se intoleranca ushqimore dhe alergjitë ushqimore nuk janë e njëjta gjë. Në rastin e intolerancave ushqimore simptomat nuk shfaqen menjëherë pas marrjes së ushqimit si në rastin e alergjive. Ato mund të shfaqen pas 2-3 ditësh ose më shumë pas konsumimit të një ushqimi të caktuar. Reagimet mund të paraqiten në formë të “maskuar”. Kjo do të thotë se, nëse një person që konsumon në ditë një ushqim që nuk mund ta tolerojë organizmi, ai kurrë nuk mund të dyshojë që ushqimi është shkaku i problemeve të tij.

Shembull

Le të shohim se çfarë ndodh kur një njeri i nënshtrohet një regjimi ushqimor dhe aktiviteti fizik normal, pasi bën testin e intolerancës ushqimore. Në bazë të rezultateve të testit e veçanërisht të një diete të personalizuar dhe programi ushqimor, ky njeri heq nga dieta e tij ushqimore ato ushqime që i shkaktojnë intolerancë ushqimore. Metabolizmi i tij do të kthehet në normalitet përsëri. Trupit të tij përsëri do t’i duhen 3000 kcal në ditë që nënkupton se dieta ushqimore me 2000 kcal në ditë rezulton tashmë hipokalorike për metabolizmin e tij të ri (pa ushqimet që i shkaktojnë intolerancë).

Në të njëjtën kohë, ky person është më energjik, ecën më shumë, luan me fëmijët e tij më shumë. Ai gjithashtu rrit nivelin e tij të forcës fizike, kështu që ai shpenzon edhe më shumë kalori. Pra, kjo është ajo që ndodh pas testit të intolerancës ushqimore. Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme, askush nuk synon për një recetë magjike për humbjen e peshës, thjesht, duhet ngrënë më pak, të hahen ato ushqime që sigurojnë një metabolizëm normal, duke hequr ato që shkaktojnë intolerancë, pra, ngadalësim të metabolizmit. Shmangia e intolerancës ushqimore është dhe një armë e fuqishme kundër mbipeshës.

 

16.06.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.