Postuar me: 13:09 11-06-2012

Italia grintë e zemër, Spanja kopjon Barçën

Shperndaje
Etiketat

Shumë më mirë nga ç’e kishim parashikuar. Kjo, pasi barazimi 1-1 i Italisë me Spanjën mund të shihet edhe si një avantazh i menaxhuar keqazi, duke qenë se skuadra i kishte të gjitha kartat në rregull për të mbrojtur golin e Di Natales. Gjithsesi, është goxha shpresëdhënëse kur mendon se përpara ishin kampionët e botës dhe situata, deri para këtij Europiani, nuk ka qenë më e mira që ka pasur kjo Itali. Skuadra e Prandelit ishte “e gwzuar” në maksimum, plot grintw dhe në asnjë rast nuk tregoi frikë përballë “furive të kuqe”. Nga ana tjetër, kemi një Spanjë që mundohet të kopjojë tërësisht Barcelonën, përderisa edhe Del Boske preferon të luajë pa një sulmues të mirëfilltë. Ndryshim i vetëm, por esencial ama, është se Barça ka një si Mesi, ndërsa te Spanja argjentinasin duhej ta bënte Fabregas. “Axurrët” i besuan më shumë dyshes Baloteli-Kasano, por ja që më rezultativë ishin ata që u futën si zëvendësues, Di Natale dhe Xhiovinko. Teksa duhet thënë se, nëse Torres nuk do të kishte gabuar një rast të jashtëzakonshëm përballë Bufonit, gjithë lëvizjet e Prandelit në këtë përballje do të kishin një kuptim tjetër dhe kritika do binte më së shumti mbi repartin difensiv, të bërë nga e para pas dëmtimit të Barxalit. Në pjesën e parë, Italia provoi më shumë te porta e spanjollëve. Kasano tregoi qartë se nuk është jashtë forme,  sikundër është folur për të; Baloteli tenton të bëjë liderin, paçka se gabon në një rast fatal përballë me Kasijasin; Pirlo si gjithnjë vendosi ekuilibrat në fushë, ndërsa Tiago Mota gjendet gjithnjë në kohën dhe vendin e duhur në takimin me topin. Mbrojtja eksperimentale me De Rosin në qendër nuk duket se ka shumë probleme, ndërsa bëjnë një punë të admirueshme Bonuçi dhe Kielini nga krahët. Ndwrkohw, spanjollët mundohen që t’i shfrytëzojnë në maksimum idetë e Iniestës dhe të Ksavit, por është David Silva ai që gabon në dy raste dhe Fabregas që mbyllet mirë nga De Rosi në dy momente problematike në zonën “axurre”. Me pak fjalë, një pjesë e parë me Spanjën që kontrollon gjerësisht topin, por me Italinë që ka rastet më të mira për shënim. Fraksioni i dytë i lojës është gati i njëllojtë me të parin, pasi të dyja skuadrat mundohen të mos lëshojnë shumë në mesfushë. Por, Prandeli gjen “xholin” e tij në minutën e 56-të, duke nxjerrë jashtë Balotelin dhe hedhur në fushë Di Natalen, i cili ia shpërblen shumë shpejt. Asist perfekt në diagonale i Andre Pirlos, që gjen të lirë në hyrje të zonës sulmuesin e Udinezes, i cili nuk gabon, sikundër bëri Baloteli në të njëjtin pozicion në pjesën e parë, por gjuan me saktësi në cepin e majtë të Kasijasit. Italia në avantazh, përkundrejt të gjitha parashikimeve. Gjithsesi, Spanja nuk demoralizohet dhe nis inkursionet drejt portës së Bufonit. Pa kaluar as tri minuta dhe një vertikalizim në zonë i David Silvës gjen Fabregasin, i cili përballë portierit barazon. Gjithçka në baraspeshë, por që mund të ishte prishur nga Torres, nëse parabola e sulmuesit nuk do kishte kaluar pak centimetra mbi tra, kjo për shkak të një daljeje të gabuar të Bufonit. Në fund, një barazim në një sfidë ku që të dyja skuadrat treguan një lloj frike nga një humbje e mundshme, ndaj edhe vërshëllima e arbitrit hungarez nuk solli “turinj tw varur”, por përqafime mes lojtarëve, me sytë dhe shpresën tashmë nga dy ndeshjet e radhës ndaj dy ekipeve të konsideruara teorikisht më të dobëta në Grupin C: Irlanda dhe Kroacia.

Spanjë-Italia    1-1
Shënues: Fabregas 64’/ Di Natale 61’
Kartonë të verdhë: J.Alba, Arbeloa, Torres/ Baloteli, Bonuçi, Kielini, Maxhio
Gjyqtarë: Viktor Kasai/ G.Eros dhe G.Ring (HUN)

Spanja: Kasijas, Arbeloa, S.Ramos, Piké, J.Alba, Ksavi Hernandez, Buskets, Ksabi Alonso, D.Silva (J.Navas 65’), Fabregas (Torres 74’).
Trajner: Visente del Boske

Italia: Bufon, Maxhio, Bonuçi, Kielini, Xhiakerini, De Rosi, Markisio, T.Mota (Noçerino 89’), Pirlo, Baloteli (Di Natale 56’), Kasano (Xhiovinko 65’).
Trajner: Çezare Prandeli

ANALIZA
Njeriu i ndeshjes – Daniele de Rosi ka qenë lojtari më i mirë në fushën e lojës. Futbollisti i Romës luajti në qendër të mbrojtjes, por diti të jetë deciziv.

Më i dobëti – Mario Baloteli ishte lojtari më i dobët në fushë. Edhe pse gjithë Italia i kishte sytë tek ai, sulmuesi i Mançester Sitit tregoi se nuk e ka eksperiencën e duhur.

Çelësi i përballjes – Grinta dhe dëshira e italianëve për të ndalur një Spanjë e konsideruar si superfavorite. Lojë e kujdesshme në mbrojtje dhe me një mesfushë të ngjeshur kundër taktikës që kishte parashikuar tekniku i Spanjës, Del Boske. Nga ana tjetër, u duk sikur Spanja e kishte nënvlerësuar Italinë, kjo pasi vetëm në pjesën e dytë u fut realisht në lojë.

Del Boske: Lojë e mirë, më pëlqeu edhe Torres
Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, e ka parë pozitive si lojën dhe rezultatin e arritur ndaj Italisë. “Bëmë një ndeshje të mirë dhe jam goxha i kënaqur me rezultatin e arritur. Mendova për Fabregasin nga minuta e parë, pasi gjatë stërvitjeve pashë se ai me Silvën dhe Iniestën po kuptoheshin mjaft mirë. Mendoj se me atë që dhanë në fushë nuk mund të jem veçse i kënaqur. Fakti që lashë Torresin jashtë? E shpjegova arsyen, por gjithsesi duhet ta pranoj se me futjen e Torresit në lojë ne patëm më shumë rrezikshmëri, sepse ai arrin të krijojë më tepër hapësira në sulm. Pati një rast mjaft të mirë për të shënuar, por mos harrojmë se edhe Italia mund të na kishte ndëshkuar”, tha ai.

Fabregas: Barazimi? S’është aq keq
Fabregas e shikon si një rezultat të pranueshëm barazimin me Italinë. “Duke parë se shkuam në disavantazh, qoftë edhe për pak minuta, duhet ta pranojmë se nuk është një rezultat i keq të barazosh me Italinë. Luajtëm mirë dhe treguam se jemi një skuadër me karakter. Sigurisht, ndonjëherë nuk arrin të jesh konkret në të gjitha rastet, kjo edhe për meritë të kundërshtarit. Ishte realisht një ndeshje e fortë”, – tha Fabregas.

“Meritonim të fitonim, gaboi Torres”
Mesfushori i Barcelonës, Ksavi Hernandez, nuk ka qenë i kënaqur me barazimin e marrë me Italinë. Në ndryshim nga pjesa tjetër e skuadrës, ai pohoi se me rastet e krijuara, Spanja duhej të kishte fituar. “Meritonim më shumë, sidomos në pjesën e dytë, gjatë të cilës patëm disa raste për shënim. Torres pati një rast mjaft të mirë. Kështu që, me atë çka dhamë në fushë, mendoj se nëse do të fitonim nuk do kishte qenë mëkat”.

Prandeli: Sa e bukur Italia ime!
Trajneri i Italisë e ka konsideruar gati si fitore barazimin e arritur me Spanjën, kampione e botës. “Kjo është Italia që unë kam dashur. Ndeshje e mirë dhe lojë e kujdesshme. Baloteli dhe Kasano? Sipas meje luajtën mirë. E gjetën disa herë njëri-tjetrin, edhe pse luajtën më shumë me topa në vertikale. Nuk arritën të shënonin, por e rëndësishme është që ata bënë pikërisht atë çfarë u pata kërkuar para se të niste kjo sfidë”.

Di Natale: S’besoja se do shënoja
Antonio di Natale ka shprehur gjithë gëzimin e tij jo shumë për barazimin me Spanjën, sesa për golin e shënuar vetëm 5 minuta pasi kishte hyrë në fushën e lojës. “Jam shumë i lumtur që e nisa ndeshjen me gol pesë minuta pasi kisha hyrë në fushë. As nuk e kisha imagjinuar kështu. Hakmarrje për penalltinë e humbur para 4 vitesh? Edhe deri para se të hyja në fushë më vinte ndër mend ai gabim. Fakti që shënova më bëri më të lumtur”.

11.06.2012

 

Burimi: Gazeta Panorama, Leonard Kraraj

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.