Postuar me: 15:20 15-06-2015

Kandidatët e LSI-së për anëtarë në këshillin bashkiak të Tiranës, takim me banorët e Dajtit (Burimi: LSI, www.lsi.al)

lajm-shqip Kandidatët Kandidatët e LSI-së për anëtarë në këshillin bashkiak të Tiranës, takim me banorët e Dajtit

Shezai Rrokaj: Ndarja e re territoriale njehson shërbimet në të gjitha zonat e kryeqytetit

Erisa Xhixho: Platformë konkrete për punësimin e grave dhe vajzave të reja

Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës zhvilluan një takim me banorët e Dajtit, ku u evidentuan problematikat e tyre dhe theksuan se platforma e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” është e duhura për zgjidhjen e tyre pas 21 qershorit.

Kandidati për anëtar në këshillin bashkiak të Tiranës Shezai Rrokaj vuri në dukje se Tirana meriton t’i kthehet dinjiteti i saj.

“Vetëm 6 ditë nga ndajnë nga fitorja e madhe në gjithë ndarjen e re administrative të Tiranës. Kjo do të jetë një fitore për gjithë koalicionin për Shqipërinë Evropiane. Do të jetë një fitore për kryetarin e ri të bashkisë z. Erion Veliaj, po mbi të gjitha do të jetë një fitore për numrin 47, më të shenjtin numër që i takon LSI. Ndaj, kaq sa jemi këtu por më të shumtë në numër, derë më derë, qytetarë më qytetarë t’i shpjegojmë përse ne e kërkojmë votën e tij. ne votën e tij nuk e kërkojmë për idealizëm, ne votën e tij  e kërkojmë sepse duam t’i kthejmë Tiranës atë që i ka munguar rininë, rininë e saj, bukurinë, bukurinë e saj, t’i kthejmë Tiranës gjelbërimin, pastrimin”, – tha z. Rrokaj.

Ndërsa saktësoi se mbrojta e mjedisit, mbështetja ndaj rinisë dhe gruas janë parësore për zhvillimin e kryeqytetit.

“Familjet shqiptare janë të pastra nuk meritojnë rrugë të pista, kështu që ne do punojmë së bashku, për ditën e diel, në mënyrë që të rinjtë të kenë më shumë  punësim, më shumë ëndrra, të mos marrin rrugët e kurbetit, sepse ata duhet të gjejnë në Shqipërinë e tyre shpresë për të ardhmen, dhe këtë shpresë për të ardhmen do t’ua japë LSI, e cila e ka në zemër të saj, në gjakun e saj rininë, duke i dhënë një numër më të madh në Këshillin Bashkiak, duke i dhënë një rëndësi më të madhe në vetë fitoren që ka, në energjinë e saj, sepse rinia e saj është palca e LSI së bashku me gratë, të cilat meritojnë më shumë vëmendje, si nëna dhe si punonjëse në punët e ndryshme që ato kryejnë. Duhet ta inkurajojmë gruan që të ketë më shumë sipërmarrje, do ta inkurajojmë gruan që të ketë sa më shumë iniciativë, sepse Dajti ka një kulturë të veçantë, dhe ajo do ta promovojë këtë kulturë”, – theksoi z. Rrokaj.

Ai evidentoi faktin se me ndarjen e re territoriale–administrative Dajti do të marrë të njëjtin shërbim si çdo zonë e Tiranës. “Ndarja e re administrative është ndarja për ta njehsuar Tiranën, për ta bërë njësh nga qendra e deri në periferi, në mënyrë që qytetari i Dajtit të mos ndihet qytetar inferior, por të ndihet një qytetar i integruar, një qytetar i barabartë me atë që banon në qendër, duke pasur të njëjtat kushte, në mënyrë që Dajti të jetë mushkëria e Tiranës, të jetë model i pastërtisë dhe i ekologjisë për Tiranën. Dhe këtë model ne duhet ta ndërtojmë së bashku , duke i shtrirë arteriet e Tiranës edhe në Komunën aktuale të Dajtit, e cila do të jetë pjesë integrale e Tiranës. Në këtë mënyrë, ne do të shikojmë se e gjithë kjo njësi e madhe administrative me 11 njësi aktuale të Tiranës, dhe 13 njësi të tjera që do ti bashkohen, që nga Farka, Bërzhita, Petrela etj. Të gjitha këto njësi duhet të bëhen pjesë e një koncepti të vetëm organik ku të kemi prodhime të cilat duhet të jenë prodhime të garantuara për tregun, prodhime që prodhohen nga bujqit e Dajtit, dhe të kthehen në një kulturë të veçantë, të cilën ta përçojmë në vizita që do të bëjmë në malin e Dajtit. Tirana jonë do të jetë më e gjelbër, më çlodhëse, por edhe një Tiranë e cila nuk meriton vetëm shërbim, meriton edhe zhvillim e punësim”, – përfundoi z. Shezai Rrokaj.

Ndërsa nga ana e saj kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së për anëtar në këshillin bashkiak të Tiranës Erisa Xhixho tha se Dajti ka nevojë për më shumë shërbim dhe punësim, veçanërisht për gratë dhe vajzat e reja.

“Me Bashkinë e madhe, tashmë Dajti ka nevojë për më shumë shërbime në infrastrukturë, të ujit të pijshëm apo shërbime të cilat do të sjellin mundësi punësimi për të gjithë qytetarët e Dajtit. Ne kemi një plan konkret për integrimin e tyre dhe punësimin e të gjitha grave dhe vajzave të komunës Dajt.  Në bashkëpunim edhe me kryetarin e ardhshëm të bashkisë së Tiranës dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, janë të angazhuar për ofrimin e kurseve profesionale për gratë dhe vajzat e Dajtit që të kenë mundësi për përvetësimi të një profesioni të caktuar dhe mbështetjes së tyre përmes kredive të buta në mënyrë që ato të hapin një biznes të ri këtu në Dajt dhe të punësojnë edhe gra e vajza të tjera”, – u shpreh znj. Xhixho.

Ajo specifikoi se 21 qershori është dita për të ndryshuar faqen e qeverisjes vendore.

“Në 21 qershor ne kemi mundësinë e kthimit të një faqeje të re në qeverisjen lokale. Është e rëndësishme që në 21 qershor ne të vendosim dy vota që do të qeverisin katër vjeçarin e ardhshëm; vota e parë shkon për Erion Veliajn që drejton “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, i cili është një djalë energjik, i cili do të sjellë një vizion të ri për qeverisjen lokale. Por, padyshim vota për LSI-në, vota për numrin e 47 është garancia e zbatimit të të gjithë projekteve të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”, tha znj. Xhixho.

Ndërkaq, znj. Xhixho shtoi se çelësi i suksesit të LSI-së është komunikimi i vazhdueshëm dhe mbështetja e qytetarëve. “Ashtu siç jemi mbledhur sot për të diskutuar për problemet e ndryshme këtu do të jemi bashkë për të diskutuar për çdo vendimmarrje që do të ndërmarrë këshilli bashkiak sa i përket komunës Dajt. LSI-a kujdeset çdo ditë për qytetarët dhe e cila komunikimin e vazhdueshëm e ka çelësin e suksesit. Çelësi i suksesit të rritjes së LSI-së është kontakti dhe komunikimi ynë çdo ditë me qytetarët, mbështetjes ndaj të rinjve, grave dhe vajza”, – shpjegoi znj. Xhixho.

 

15.06.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.