Postuar me: 13:41 14-10-2015

Konferenca për shtyp e z.Petrit Vasili dhe z.Luan Rama pas takimit me kryetaren e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover (Burimi: LSI, www.lsi.al)

0X1E3686

Konferenca për shtyp e Petrit Vasilit dhe Luan Ramës pas takimit me kryetaren e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover

Konferenca për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petri Vasili dhe Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Luan Rama pas takimit me kryetaren e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover.

Petrit Vasili: Raporti i OSBE/ODIHR adreson problematika, që kanë nevojë të reflektohen sa më parë që standardi i zgjedhjeve të jetë gjithnjë e më i lartë.

Vasili: Bashkëndamë idenë e një pune intensive për të përmirësuar gjithçka që raporti ka konstatuar si problematika që duhen ndrequr.

Vasili: Propozuam fillimin sa më parë të punës dhe vendosjen e afateve për realizimin e ndryshimeve për t’i dhënë fund një herë e mirë logjikës së ndryshimeve të minutës së fundit.

Luan Rama: LSI nuk ka probleme me dekriminalizimin.

Rama:  Do të ndihmojmë të tjerët të dekriminalizohen!

Rama: Për reformat e mëdha duhet konsensus dhe transparencë.

Rama: Të reflektohen vërejtjet e OSBE/ODIHR-it.

Petrit Vasili

“Sapo përfunduam një takim me ambasadoren Glover dhe, ashtu sikurse e kemi bërë publike edhe kohë më parë, diskutuam në lidhje me raportin që ka të bëjë me zgjedhjet e fundit të mbajtura në Shqipëri në qershor të vitit 2015. Një raport i detajuar me mjaft konstatime, që ka vlerësimet përkatëse për zgjedhjet e mbajtura në Shqipëri, por njëkohësisht një raport që adreson disa problematika, që kanë nevojë të reflektohen sa më parë në mënyrë që standardi i zgjedhjeve të jetë gjithnjë e më i lartë. Ai standard që të gjithë shqiptarët e duan dhe e presin, por edhe ai standard që ne na vendos në mënyrë dinjitoze përkrah të gjitha vendeve të tjera, që i kanë tashmë zgjedhjet një rutinë të zakonshme të një mundësie madhore, ku qytetarët të shkojnë të shprehin vullnetin e tyre, por që nuk është një burim problemesh apo diskutimesh për standardin e tyre.

Bashkëndamë idenë e një pune intensive për të përmirësuar gjithçka që raporti ka konstatuar si problematika që duhen ndrequr. Përsa i takon LSI-së ashtu sikurse është bërë publike qartësisht nga kryetari i saj, z. Ilir Meta, gjë që ia konfirmuam edhe znj. Glover, ne e mbështesim fort idenë e fillimit të menjëhershëm të punës për të reflektuar të gjitha konstatimet që kërkojnë ndreqje, përmirësim qoftë të kuadrit legjislativ, kuadrit rregullator, por edhe atij që ka lidhje me trajnimin dhe me perfeksionimin e sistemit të administrimit të zgjedhjeve, para, gjatë e pas procesit zgjedhor.

Lidhur me këtë çështje ne propozuam, dhe këtë sigurisht mund ta bëjmë publik, fillimin, jo vetëm sa më parë të punës, por edhe vendosjes së afateve të qarta, se kur të gjitha këto ndryshime duhen realizuar për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë logjikës së ndryshimeve të minutës së fundit, të cilat si të tilla nuk mund të reflektohen drejtpërsëdrejti në cilësinë e procesit zgjedhor, dhe na bëjnë që në mënyrë të përsëritur të riciklojmë e të përsërisim të njëjtat problematika negative.

Jemi të lumtur sepse bashkëndajmë edhe me ambasadoren Glover, por edhe me përfaqësuesit e OSBE-ODIHR-it të njëjtin opinion, dhe thirrja e drejtpërdrejtë është për të gjitha forcat politike, që të ulemi sa më parë për të filluar një proces të tillë, duke vendosur edhe afatet e duhura. T’i japim gjithë kohën e duhur pastaj KQZ-së që të eci më tej me procesin e trajnimit, edukimin elektoral të gjithë terrenit, duke përfshirë gjerësisht edhe shoqërinë civile në këtë proces kaq jetik për shqiptarët. Njëkohësisht, duke pasur një synim shumë të qartë që zgjedhjet e 2017-s të jenë zgjedhje politike, që janë thjesht dhe shprehje e vullnetit të popullit, jo thjesht dhe vetëm përsëritja e disa problematikave negative plotësisht të evitueshme, falë eksperiencës së gjatë të grumbulluar në zgjedhjet e kaluara.

Me këtë vullnet ne do të vazhdojmë të militojmë në sytë e opinionit publik, në Parlament dhe kudo ku LSI-ja është prezente, duke qenë një mbështetëse e palëkundur, e gatshme për çdo lloj bisede, e gatshme të ulet në tavolinë, e gatshme të japë çdo lloj kontributi vetëm e vetëm që përfundimisht çështja e problematikave të zgjedhjeve të mos jetë më prezente në asnjë prej raporteve të ndërkombëtarëve për Shqipërinë. Që kjo çështje të mos jetë më argument i mediave shqiptare dhe opinionit publik, të çlirohemi prej saj dhe të ecim me mjaft çështje të tjera për të cilat vendi ka nevojë për përgjigje dhe për zgjidhe sa më të shpejta.

 Pyetje nga gazetarët

Kur thoni se duhen ndryshime për të mos pasur më problematika për zgjedhjet a përfshihen këtu ndryshime të mundshme në sistemin zgjedhor? Sikundër jemi në kuadrin e ndryshimeve në Kushtetutë a e gjykon LSI mundësinë për të ndërhyrë në sistemin zgjedhor apo edhe mundësinë e rikthimit të listave të hapura?

Petrit Vasili: Në radhë të parë dhe mbi të gjitha, ne biseduam mbi një çështje konkrete, mbi një material konkret, që është raporti i OSBE/ODIHR-it, që ka adresuar disa problematika, ku përmirësimi i tyre sjell edhe përmirësimin e standardit të zgjedhjeve. Ne kemi këtë qëndrim shumë të qartë dhe korrekt, që gjithçka negative të përmirësohet. Pyetja që ju bëni, nuk lidhet as me raportin dhe as me një problematikë të caktuar që ka të bëjë me këtë çështje. Kështu që ne jemi të interesuar që gjithçka që u konstatua, që u tha qartë, këto 3-4 gjëra ishin pozitive, këto 3-4 të tjera ishin negative, t’u japim përgjigjen e shpejtë dhe të duhur të atyre kërkesave që ishin negative në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të jenë me standarde gjithnjë e më të larta. Ky është qëndrimi ynë dhe besoj se ky është qëndrimi dhe preokupacion edhe i juaji.

Luan Rama: Është shumë e rëndësishme të reflektohen menjëherë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të përmirësuar cilësinë e procesit zgjedhor e para, dhe e dyta duhet të heqim dorë nga praktika shqiptare e reflektimit apo e ndërhyrjeve në momentin e fundit. Sepse veprimi në kushte emergjence dhe shmangia nga thelbi i këtyre rekomandimeve nuk do të bëjë gjë tjetër, vetëm, sa do të prodhojë të njëjtat probleme. Prandaj edhe z. Vasili insistoi, dhe ne e theksuam në takimin me znj. Glover, që është shumë e rëndësishme të nisë puna menjëherë paralelisht me reformat e tjera, që reforma në drejtësi apo procesi i dekriminalizimit të mos e sfumojë vëmendjen për reflektimin e këtyre rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Kjo sepse në fund të fundit, zgjedhjet janë bazamenti mbi të cilat ndërtohen të gjitha institucionet demokratike në një shtet demokratik. Deformimi i rezultatit për shkak të këtyre problemeve do të sjellë më pas pasoja të njëpasnjëshme. LSI-ja është e vendosur, që nesër të ofrojë kontributin e vet, të punojë pa asnjë rezervë për të realizuar dhe për të reflektuar të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e OSBE/ODIHR-it.

Z. Vasili, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka kërkuar që të bëhet pjesë e kalendarit të punimeve të Kuvendit edhe projektligji për hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ. I ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit. Ju keni qenë një nga ata që keni votuar pro procedurave të përshpejtuara të këtij ligji, a keni një koment për këtë kërkesë?

Petrit Vasili: Ka një qëndrim, që ecën në përputhje me Rregulloren, që është një Rregullore konsensuale e cila rregullon punët e Parlamentit. Procedura e përshpejtuar nuk mundi të votohet në Parlament. Kjo është logjika e votimit, ky është rezultati. Të gjithë duhet t’i bindemi këtij rezultati dhe që kjo nismë automatikisht duhet të shqyrtohet nga Parlamenti, nuk mund ta ndalë kush. Çështja e procedurave është një çështje e cila duhet respektuar.

Këto procedura janë rregulluar sipas një Rregullore konsensuale bërë nga të gjitha forcat politike. Të ecim në rrugën e Rregullores përsa i përket asaj që quhet vullnet për çështjen në fjalë. Ne vullnetin e kemi shprehur, kështu që asaj çështjeje do t’i shkohet deri në fund.

Tani një çështje e madhe e mbartur në kohë me shumë implikime kërkon kohë, kërkon dhe nacionalitetin që të zbardhet siç duhet. Asnjë zbardhje e ngutur për qëllime taktike politike nuk i shërben as shqiptarëve, as çështjes.

Disa nga problemet kryesore të hasura dhe në zgjedhje e të pasqyruara në raport kanë të bëjnë me fenomenin e të ashtuquajturit blerja e votës, i shprehur dhe i denoncuar nga parti të ndryshme. A diskutuat për këtë çështje me znj. Glover? A keni propozuar një zgjidhje apo keni një zgjidhje pikërisht për këtë fenomen?

Z. Rama, ju folët për nevojën e diskutimit ë këtyre ndryshimeve sa më shpejt, ndërkohë që zgjedhjet e 2017-s nuk janë kaq pranë. Mos ndoshta LSI shikon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme?

Petrit Vasili: Kemi diskutuar me znj. Glover për të gjitha momentet e konsideruara problematike në raport. Secila prej tyre duhet adresuar dhe zgjidhur. Asnjë nismë e njëanshme nuk i shërben askujt. Kemi propozuar që tavolina e përbashkët, grupi i përbashkët i punës të jetë ai që të provojë të gjitha opsionet për të gjitha problematikat e adresuara atje, ku secila më vete dhe të gjitha së bashku komprometojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor. Sa i takon problematikave të tjera, kemi theksuar dhe theksojmë këtë gjë, që fillimi në kohën e duhur ka të bëjë pikërisht me kryerjen dhe respektimin e afateve ligjore. Po ua theksoj edhe njëherë, të gjitha kompromiset e arritura në momentet e fundit, gjë që e nënvizoi edhe z. Rama me shumë të drejtë, kanë bërë as më shumë e as më pak se sa kanë thyer procedurat zgjedhore të miratuara. Të miratuara në moment të fundit, nuk lënë kohë për trajnim disamujor që imponon Rregullorja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për administruesit e procesit të votimit që të bëhet. Bërja në kohë nuk do të thotë se jemi në kohë. Unë mendoj se ne jemi vonë në kohë.

Luan Rama: Shpërdorimi i kohës është një sëmundje kronike e politikës shqiptare dhe për fat të keq, kjo sjellje ka sjellë edhe produkt negativ, siç janë edhe konstatimet shumë të drejta të Raportit të Misionit të OSBE/ODIHR-it. Jo vetëm nga ky vlerësim, por edhe duke u nisur nga koha në dispozicion, nuk ka shumë kohë, por jemi vonë. Të kemi parasysh që Kodi Zgjedhor nuk lejon ndërhyrje gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. Kini parasysh edhe sjelljen tonë me zgjedhjet që i nisim edhe gjashtë muaj përpara, kështu që është shumë e rëndësishme dhe ramë dakord, ky qe dhe qëndrimi i ambasadores Glover, që tani duhet programuar puna. Duhet përcaktuar axhenda e punës që duhet të bëjmë dhe të ulemi në tryezën e përbashkët për të gjetur maksimalisht pikat e takimit.

Do të ishte më e mira që edhe ky proces t’i nënshtrohej konsensusit, të ishte produkt konsensual, siç është e rëndësishme që reformat e mëdha të jenë produkt konsensual, me qëllim që të shkojmë gradualisht në kohën ligjore të zgjedhjeve me standardet të konfirmuara, të reflektuara me gjithçka të rregulluar konform standardeve të OSBE-ODIHR që Shqipëria më në fund dhe përfundimisht pas 25 vitesh të mos jetë më vend ku regjistrohet, apo ku konkludohet që ka probleme me zgjedhjet.

Ky është vullneti i LSI-së, ky është qëndrimi ynë dhe ne ftojmë publikisht të gjithë aktorët e tjerë politik dhe parlamentar ta nisin këtë proces, t’i reflektojmë të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e OSBE-ODIHR dhe kështu të japin shembullin dhe modelin që dimë të sillemi si evropian kur edhe është fjala për të reflektuar përballë vërejtjeve apo përball mangësive që ne vetë kemi krijuar.

Sipas presidencës vetëm Kuvendi ka të drejtë të bëjë amnisti për rastin e “Ballist Morinës”, ndërkohë që deputeti juaj Spartak Braho e ka propozuar. Si e shihni si mundësi?

Së dyti z. Vasili me znj. Glover a folët për emra fiktivë në listat e zgjedhësve, specifikisht nga një rast që është denoncuar nga ju si LSI por edhe nga partitë e tjera në zgjedhje lokale?

Luan Rama: Falja dhe amnistia janë dy nocione të ndryshime. Janë dy institucione në kuptimin ligjor të ndryshme, të cilat Kushtetuta i ka përcaktuar në përputhje me atributet kushtetuese që ka secili institucion. Kam parasysh këtu Presidentin e Republikës si institucion dhe Kuvendin nga ana tjetër si institucion. Pra, presidenti ka të gjitha prerogativat, ka autoritetin kushtetues të realizojë falje, jo amnisti. Dhe presidentin nuk i ka kërkuar njeri të bëjë amnisti, sepse kjo ka të tjera kritere edhe është një proces që realizohet në Kuvend. Kështu që meqenëse unë nuk e kam problemin me “Ballistin”, kam një qëndrim timin ndaj ballistëve të kohës së luftës, le t’i nënshtrohet secili procesit të rrugës ligjore, dhe secili të ushtrojë kompetencën në përputhje me vullnetin që ka dhe me tagrat kushtetues që jep Kushtetua e Republikës së Shqipërisë.

Petrit Vasili: Lidhur me pyetjen tuaj, është një pyetje shumë specifike. Nuk kemi adresuar në mënyrë specifike të detajuar një problem të caktuar. Kemi bashkëndarë korpusin e të gjithë problemeve në tërësinë e tyre, atyre teknike, atyre që kërkojnë ndryshime edhe më të thella dhe bashkëbisedimi ka qenë përqendruar në këtë pikë, se cila çështje do adresuar, do të zgjidhet me gjithë specifiket që ka dhe me të gjithë gjetjet që kanë ndodhur në terren. Gjetjet janë sot të vyera, sepse na ndihmojnë shumë për të përcaktuar një rregullim, që nga KQZ, që nga rregullimet administrative që i kthen përgjigje këtyre çështjeve.

Pra, faktet e ndodhura, konstatimet e ndodhura, janë një mundësi që ne kemi mundësi t’i zgjidhim. Aq më shumë që raporti i adreson. Kemi një mbështetje të fortë për këtë çështje. Një gjë tjetër që unë së bashku me z. Rama kërkuam, ishte një rol gjithnjë e më aktiv i prezencës së OSBE-së në Tiranë, në mënyrë të veçantë me këtë problem shumë delikat, që ka të bëjë me zgjedhjet. Pra, një rol aktiv, gjithmonë e më aktiv, shumë i mirëpritur nga politika për hir të eksperiencës shumë të madhe që OSBE ka, të gjithë eksperiencës teknike që ajo ka, e cilat duhet të ishte një udhërrëfyese shumë e çmuar në mënyrë që zgjidhja e këtyre problemeve të jetë përfundimtar.

Z. Vasili një shqetësim i shprehur për zgjedhjet lokale të shkruar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara nga delegacioni i Bashkimit Europian ishin edhe emrat e kandidatëve. U shprehën se në listat e kandidatëve ka persona me rekorde kriminale. A ka LSI-ja një ide për zgjidhjen e këtij shqetësimi, një propozim?

Petrit Vasili: Propozimi për zgjidhjen e këtij shqetësimi është nisma e përbashkët për dekriminalizim. Besoj që një nismë për të cilën është investuar më shumë energji politike, kohë, apo investim mediatik pafund, e të tjera, ka qenë madje do të thosha, pse jo edhe në disproporcion në krahasim me shumë çështje të mëdha me të cilat vendi përballet. Po mirë që është bërë kështu, nuk ka asnjë të keqe. Kjo nismë ju e keni parë që ka një seri ndryshimesh që lidhen me të, madje edhe të karakterit kushtetues që po diskutohen. Besoj që edhe ky shqetësim që ka lindur, është konstatuar, është maturuar, është konsumuar me të gjitha format e tija, me këtë nismë do të ketë edhe një nismë besoj përfundimtare.

Luan Rama: Dekriminalizimi nuk është problem i LSI-së. Ne nuk kemi asnjë problem me njerëzit tanë në lista. Do t’i ndihmojmë të tjerët të dekriminalizohen.

E preku pak z. Rama për nevojën e konsensusit. Ju thatë që është i dëshirueshëm. Por duke pasur parasysh se Kodi Zgjedhor është miratuar me konsensusin e të gjitha palëve, a do të jetë LSI edhe në këtë rast garante, që të jetë kusht konsensusi?

Luan Rama: Konsensusi është i rëndësishëm. Në vlerësimin tim është i domosdoshëm dhe politika shqiptare duhet ta kthejë konsensusin në një vlerë të vetë. LSI do të jetë gjithnjë e këtij qëndrimi dhe do të jap të gjithë kontributin për të realizuar procese të rëndësishme të reformave të rëndësishme që çojnë Shqipërinë në plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE me frymë konsensusi, bashkëpunimi dhe transparencën gjithashtu.

14.10.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.