Postuar me: 8:37 13-06-2012

Korça, agoni në sektorin e ndërtimit

Shperndaje
Etiketat

Bllokimi 

Një nga qytetet me më shumë popullsi të pastrehe si Korça, për këtë vit është thuajse e bllokuar në sektorin e ndërtimit. Prej më shumë se tre muaj, për sipërmarrësit e sektorit privat të ndërtimit nuk jepen më leje që të investojnë në ngritjen e banesave, dhe kjo ka sjellë që i gjithë sezoni i përshtatshëm i verës për punën e tyre të shkojë dëm. Shkaku është se nuk funksionon KRT-ja e bashkisë së qytetit, ajo që kishte kompetencën të jepte këto leje ndërtimi. Me një vendim qeverie, edhe KRT-ja e Bashkisë Korçë si organizma të tjera të ngjashme në qytete të tjera, nuk funksionon më, sepse është shkrirë. Burime zyrtare të kësaj bashkie bënë të ditur se ka dalë një vendim qeverie që ka shkrirë KRT-të, duke u bazuar në planet e tyre rregulluese që kanë për qytetin. Bashkia e Korçës, për sa i përket planit rregullues të qytetit, ka dokumentacionin e vjetër dhe nuk ka arritur që të miratojë një plan të ri rregullues edhe pse ka bërë përpjekjet. Projekti i ri i planit rregullues, për të cilin sipas të dhënave është angazhuar një studio izraelite, nuk ka arritur të marrë aprovimin nga KRRTRSH-ja dhe si rrjedhojë Bashkia e Korçës figuron me një plan rregullues të vjetër, që mendohet se nuk u përgjigjet zhvillimeve aktuale të qytetit. Një prej këtyre sipërmarrësve, i pyetur në lidhje me tregun e shitjes së apartamenteve në Korçë, tha se pavarësisht shitjeve të pakta të hyrjeve të pallateve, shqetësimi dhe problemi kryesor për biznesin e ndërtimit është bllokimi i lejeve. Qyteti i Korçës figuron si një nga qendrat urbane me numrin më të madh të popullsisë të pastrehë, më shumë se 25 për qind të saj.

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.