Postuar me: 12:54 26-05-2012

“Korrupsioni, i përhapur në Qeveri”

Shperndaje
Etiketat

Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin vjetor për të drejtat e njeriut në Shqipëri.

DASH: Zyrtarët e angazhuar në praktika korruptive nuk ndëshkohen.

Departamenti Ame-rikan i Shtetit publikoi dje raportin për të drejtat e njeriut në Shqipëri për vitin 2011. Në qendër të shqetësimeve të vëna në dukje nga ky raport mbetet korrupsioni në nivelet e larta të zyrtarëve dhe të Drejtësisë. Në pjesën për korrupsionin zyrtar dhe transparencën në qeveri, raporti nënvizon faktin se “ligji garanton ndëshkime penale për korrupsionin zyrtar, megjithatë qeveria nuk e zbaton ligjin në mënyrë efikase dhe zyrtarët e angazhuar në praktika korruptive nuk ndëshkohen”. “Korrupsioni në qeveri është i përhapur dhe depërtues. Sistemi arsimor mbetet i korruptuar. Mjekët apo personeli tjetër mjekësor shpesh kërkojnë pagesa për të garantuar çfarë duhet të ishte shërbim falas i qeverisë”, thuhet në raportin vjetor të DASH. Problem mbetet korrupsioni në nivelet e larta ekzekutive dhe në sistemin e drejtësisë. “Ndërsa zyrtarët e rangut të ulët apo të mesëm janë ndjekur penalisht dhe shpesh janë dënuar për korrupsion, ndjekja penale për zyrtarët e lartë mbetet problematike”, vëren raporti. Gjithashtu në raport shkruhet se “masat për imunitetin e gjerë për gjykatësit, anëtarët e Parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të lartë ndalojnë jo vetëm ndjekjen penale, por çdo përdorim të masave investigative, duke penguar aftësinë e qeverisë për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë”. Në raportin prej 21 faqesh,
Departamenti Amerikan i Shtetit është ndalur edhe te ngjarjet e 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues. “Në fillim të këtij viti u shënua një incident në të cilin forcat e sigurisë së qeverisë vranë 4 persona. Më 21 janar trupat e Gardës së Republikës qëlluan në drejtim të protestuesve gjatë një demonstrate të dhunshme përpara Kryeministrisë. Prokuroria e Përgjithshme hapi hetimet për vrasjet. Hetimet vijuan shumë ngadalë. Deri nga fundi i vitit asnjë gardist apo zyrtar i qeverise nuk është paditur për rolin e tij në vrasjet nga të shtënat”. Në raportin e DASH për vitin 2011 përmenden dhe zgjedhjet lokale të 8 majit që u mbajtën në mbarë vendin, të cilat u cilësuan nga OSBE/ODIHR si “konkurruese dhe transparente”, “por shumë të polarizuara dhe me mosbesim të madh mes opozitës dhe qeverisë”. “Polarizimi i theksuar në mjedisin elektoral u karakterizua nga incidente mashtrimi, votë e diskutueshme gjatë numërimit duke penguar të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar lirisht qeverisjen e tyre”, citohet në përmbledhjen e raportit. DASH thekson se vendimi i KQZ për përmbysjen e rezultatit fillestar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, u cilësua gjerësisht partiak dhe minoi besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.

Vërejtjet e raportit të DASH
. Korrupsioni në Ekzekutiv është i përhapur.

. Zyrtarët e angazhuar shpesh në praktikat e korruptuara mbeten pa u ndëshkuar.

. Ndërsa zyrtarët e rangut të ulët apo të mesëm janë ndjekur penalisht dhe shpesh janë dënuar për korrupsion, ndjekja penale për zyrtarët e lartë, mbetet problematike.

. Korrupsioni në Drejtësi është mjaft i përhapur.

Imuniteti i gjerë gëzuar nga gjyqtarët ndalon Prokurorinë të hetojë akuzat për korrupsion.

. Sistemi arsimor mbetet i korruptuar. Doktorët apo personeli tjetër mjekësor shpesh kërkojnë pagesa për të garantuar çfarë duhet të ishte shërbim falas i qeverisë.

. 21 janari, Prokuroria e Përgjithshme hapi hetimet për vrasjet.

Hetimet vijuan shumë ngadalë. Deri nga fundi i vitit asnjë gardist apo zyrtar i qeverise nuk është paditur për rolin e tij në vrasjet nga të shtënat.

. Zgjedhjet e 8 majit 2011.
Polarizim i theksuar në mjedisin elektoral u karakterizua nga incidente mashtrimi, votë e diskutueshme gjatë numërimit duke penguar të drejtën e qytetarëve për të ndryshuar lirisht qeverisjen e tyre.

. KQZ për përmbysjen e rezultatit fillestar për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, u cilësua gjerësisht partiak dhe minoi besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.

. Mediat e pavarura kanë qenë aktive dhe përgjithësisht të pakufizuara, edhe pse ka pasur raste të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik mbi mediat, duke përfshirë kërcënimet kundër gazetarëve.

Diskriminimi
Dhuna në familje, diskriminimi kundër grave, fëmijëve, abuzimi dhe diskriminimi në bazë të statusit të pakicave etnike dhe të orientimit seksual, apo identitetit gjinor, mbeten shenja të forta të shkeljes së të drejtave të njeriut thuhet në raport. Ndërkohë që raporti vijon duke nënvizuar “se vazhdojnë të raportohen raste të trafikimit të qenieve njerëzore”.

Dhuna në burgje
Raporti i DASH vijon duke cituar se raste të tjera të shkeljeve së të drejtave të njeriut përfshijnë raste të keqtrajtimeve fizike në qendrat e paraburgimit nga policia. “Rrahjet dhe keqtrajtimit e policisë gjatë ndalimit të shtetasve të dyshuar apo marrjes në pyetje, mbeten probleme të rëndësishme. Mosndëshkimi i policisë për abuzimet fizike vazhdon”, thuhet në raport.

ARISTIR LUMEZI 

Burimi:PANORAMA

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.