Postuar me: 11:36 11-06-2012

Kosovë, zyrtarët me paga marramendëse

Shperndaje
Etiketat

Drejtuesit e agjencive të ndryshme që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës nuk kanë telashe me të ardhurat e tyre mujore. Pagat e tyre janë marramendëse për standardin e Kosovës.

Siç shkruan “Koha ditore”, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pagën më të lartë krahasuar me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Ajo paguhet 2 mijë e 873 euro në muaj për punën e saj si presidente e Kosovës, apo ka të ardhura vjetore prej 34 mijë e 478 euro.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka një pagë mujore prej 2 mijë e 700 euro, apo 32 mijë e 400 euro në vit. E kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka një pagë vjetore prej 17 mijë e 318 euro. Paga mujore e kryeministrit është 1 mijë e 443 euro.
Ka shumë persona që i përgjigjen Kuvendit të Kosovës apo qeverisë, të cilët kanë paga shumë më të mira se kontrollorët e tyre.

Për pagat më të larta është njohur menaxhmenti i Trustit të Kursimeve Pensionale. Vitin e kaluar paga e menaxherit të këtij trusti ka qenë 5 mijë euro, kurse këtë vit fleta e deklarimit të pasurisë nuk është ende në ueb faqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit. Ndërsa, zëvendësi i tij, Vërshim Hatipi, paguhet hiç më pak se 3 mijë e 34 euro në muaj, apo arkëton 36 mijë e 413 euro në vit. Kurse Ymer Havolli, anëtar i Bordit të Trustit, merr pagën prej 1 mijë e 250 euro në muaj.

Anëtarët e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit nuk e kanë deklaruar pasurinë, pasi një gjë të tillë nuk e ka kërkuar Agjencia Kundër Korrupsionit. Ndërsa menaxhmenti e ka deklaruar pasurinë dhe pagat që ata marrin për punën që e bëjnë në agjencinë që merret me privatizimin dhe menaxhimin e ndërmarrjeve shoqërore.

Drejtori ekzekutiv i kësaj agjencie, Shkëlzen Lluka, ka një pagë vjetore prej 45 mijë e 492 euro, apo ka një pagë mujore prej 3 mijë e 791 euro. Mrika Tahiri, zv.drejtoreshë e AKP-së, ka një pagë vjetore prej 43 mijë e 212 euro. Tahiri për punën që bën në AKP merr një pagë mujore prej 3 mijë e 601 euro.

11/06/2012 09:43

 

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.