Postuar me: 9:57 14-06-2012

Kreu i socialistëve theksoi se me Ilir Metën ishte ende “ish mik”

Shperndaje
Etiketat

Rama: Nano, një shërbëtor i Berishës  

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, sulmoi ashpër dje nismat e fundit të ndërmarra nga ish-kryeministri Fatos Nano, duke e quajtur atë një shërbëtor të Kryeministrit Berisha. Në një intervistë televizive në “UTV”, Rama theksoi se Kryeministri Berisha e ka përdorur Nanon për shtatë vite me radhë vetëm për të bërë diversion nga PS. Sipas Ramës, sulmet që ka bërë Nano ndaj socialistëve nuk përligjin as ambicien e tij për të qenë president i vendit. “Nano ka shtatë vjet që është shërbëtor i Sali Berishës. Mjeti i përdorur nga Fatosi për t’u bërë president ishte vendosja e zërit dhe figurës së tij në shërbim të Berishës. Ka mbështetur Berishën dhe kandidatët e tij hapur në çdo fushatë. Nga ana tjetër, Berisha nuk e ka dashur president, por vetëm e ka përdorur për të bërë diversion ndaj PS-së”, deklaroi Edi Rama. Kreu i socialistëve gjithashtu u shpreh i ashpër ndaj Presidentit të sapozgjedhur të Republikës, duke e quajtur një njeri kokulur në shërbim të Kryeministrit. Ai e quajti Presidentin Nishani një ministër më shumë të kabinetit “Berisha”, por duke theksuar gjithsesi se kjo zgjedhje ishte bërë mbi bazën e Kushtetutës. “Ai është një njeri kokulur, ka pasur vetëm avantazhin që nuk ka ngritur zërin dhe nuk ka vjellë vrerin e herëpashershëm të mazhorancës ndaj opozitës”, deklaroi Rama, duke theksuar se ende nuk e kishte uruar për këtë zgjedhje. Po kështu ai shtoi se ende nuk kishte vendosur nëse do të merrte pjesë në ceremoninë e betimit të Bujar Nishanit, si kreu i ri i vendit, por theksoi se kjo zgjedhje e kishte vështirësuar shumë rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Rama foli dhe për marrëdhëniet e tij aktuale me kreun e LSI-së, Ilir Meta duke theksuar se ai i kishte dhënë një test besimi kur ishte takuar me të në Gjirin e Lalëzit për të negociuar për një president konsensual. Sipas Ramës, Meta vijon të mbetet një ish mik i tij, duke lënë të kuptohej se mes tyre nuk ishin shkrirë ende akujt. Në lidhje me proceset e shkuara zgjedhore, Rama deklaroi se zgjedhjet e 2011-s ishin të manipuluara, duke dhënë dhe shembuj konkretë kur njerëz të ndryshëm ishin strehuar në garazhe makinash, për të arritur të regjistroheshin në njësi të ndryshme bashkiake. “Se kush i grabiti zgjedhjet e 2011-s dhe ato të 2009-s kjo është botërisht e ditur. Berisha nuk i ka hapur kutitë se ndryshe do të merrte arratinë nga turpi”, deklaroi Rama, duke theksuar se forcat e koalicionit qeverisës e kanë kthyer politikën në një neveri për njerëzit dhe batërdi në kurriz të tyre.

Nano i duhej Berishës si diversion ndaj PS, jo si president i vendit.

14.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.