Postuar me: 10:13 15-06-2012

Kriza “godet” Boden dhe Fullanin

Pranojnë disfatën dhe kujtohen për modelin e ri ekonomik. Angjeli: U paralajmëruan

Të dy, në krah të njëri-tjetrit, që nga prej vitit 2005, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, janë përpjekur të jenë koherentë dhe të kujdesshëm në politikat që ndjekin në mbarëvajtjen e ekonomisë së vendit. Edhe kur iu është dashur ta mbulojnë njëri-tjetrin, duke shmangur përplasjet në publik, e kanë realizuar mjaft mirë, por kriza mesa duket i ka çorientuar ca, pasi askush nga të dy nuk e priste se do të zgjaste kaq gjatë. Për më shumë se dy vjet, ekspertët e ekonomisë dhe financave kanë qenë kritikë dhe sugjerues nga ana tjetër për ndryshimin e kursit, para se efektet të jenë kaq të pranishme sa duken dhe sot, por u injoruan, në fillim nga ministri i Financave, duke i konsideruar “pasionante”, dhe më pas nga guvernatori, i cili krenohej se i kishte të gjitha mjetet për të zbutur efektet e krizës përmes uljes së kostot së kreditimit. Rezultatet e deritanishme tregojnë se të dy kanë dështuar. Fullani u tregua më i sinqertë se herët e kaluara kur pranoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë nuk dha efektet e duhura tek interesat e kredive në lek (edhe pse norma bazë u ul katër herë brenda një viti), por natyrshëm, duke iu shmangur përgjegjësisë direkte dhe duke bërë me faj faktorët e jashtëm. “Masat e partnerëve për të rritur konfidencën në sistemet e tyre financiare dhe për të rregulluar zhbalancimet makrofinanciare e bëjnë të vështirë transmetimin e politikës monetare në ekonomi. Ato e shqetësojnë publikun dhe ulin besimin e tij në të ardhmen. Janë pikërisht këto arsye që e pengojnë sistemin bankar të financojë ekonominë dhe qeverinë me norma më të ulëta interesi e rrjedhimisht përçimin e politikës monetare të Bankës Qendrore, në lehtësimin e kushteve monetare dhe financiare”, ishte deklarata e guvernatorit, duke kritikuar hapur qëndrimin e bankave private në vend. Guvernatori pranoi se ka ardhur momenti për ndryshim të kursit dhe se politika duhet të krijojë një klimë më të qetë. Kurse ministri i Financave deklaroi hapur se, për biznesin nuk ka se çfarë të ofrojë më. “Nuk është koha për stimuj fiskalë, pasi dhe hapësirat i kemi të ngushta”, tha Bode, por nga ana tjetër shtoi se, duhet axhustuar modeli i rritjes ekonomike dhe kjo kërkon maturi dhe bashkëpunim. Anastas Angjeli, eksperti i financave, pasi i ka ndjekur në distancë qëndrimet e dy aktorëve kryesorë në treg, kujton apelet e shumta, drejtuar dy vjet më parë, për marrjen e menjëhershme të masave, me hartimin e modelit të ri, pasi aktuali nuk ofron më asgjë. “Kemi humbur dy vjet kohë dhe tashmë pranojnë se kanë gabuar”, u shpreh ish-ministri i Financave. Angjeli thotë se duhen marrë masa të menjëhershme dhe afatmesme që lidhen me përcaktimin dhe harmonizimin efikas të politikave të rritjes ekonomike e të punësimit (modeli dhe prioritetet e zhvillimit) me ato fiskale, të munguara gjatë këtyre 3-4 viteve të fundit.

Harmonizimi

Duhen marrë masa që lidhen me përcaktimin dhe harmonizimin e politikave të rritje ekonomike

 

 

Analiza

Hida: Dy sfidat e reformës, pensionet dhe administrata

Njohës i mirë i modeleve ekonomike dhe i politikave makroekonomike, Sybi Hida, ish-funksionar i lartë i FMN, aktualisht deputet i PD-së, thotë se Shqipëria nuk rrezikohet nga borxhi i lartë apo frenimi i rritjes ekonomike, se sa nga dy fenomene që duhen rregulluar me patjetër. Reforma në skemën e pensioneve dhe në atë të administratës, shikohen nga anëtari i Komisionit të Ekonomisë si sfidat kryesore të qeverisë. “Është e nevojshme për një mbështetje më të gjerë për dy reforma të rëndësishme në menaxhimin e financave publike: Reformimi i skemës së pensioneve dhe reforma administrative”, deklaroi dje Hida. Për skemën e pensioneve, deputeti i mazhorancës kërkoi edhe mbështetjen e opozitës, pasi reforma konsiderohet e gjerë dhe prek shumë breza. “Dua të siguroj qytetarët që rishikimi i sistemit të pensioneve nuk ka të bëjë me rritje moshe apo me rritje kontributesh, por me orientimin e kësaj skeme në një skemë fleksible dhe të drejtë dhe në dobi të kontributorëve”, tha Hida. Eksperti demokrat i financave foli edhe për borxhin, që edhe pse i lartë, në raport me vendet e rajonit nuk e kërcënon vendin. “Personalisht mendoj që niveli i borxhit publik i vendit tonë është i përballueshëm dhe nuk përbën ndonjë kërcënim për ekonominë tonë, pavarësisht retorikës politike që shqiptarëve po i rritet barra e borxhit”, shtoi në fund Hida.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.