Postuar me: 9:45 15-06-2012

Kryeministri i sëmurë? Berisha vizitohet në sanatorium për një virozë

Shperndaje
Etiketat

Kreu i qeverisë, konsultim për një ftohje të vjetër

Të mërkurën, Berisha nuk kreu as mbledhjen rutinë të Këshillit të Ministrave, duke mos dhënë asnjë arsye për mosmbajtjen e kësaj mbledhjeje

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, nuk është ndier sërish mirë me shëndet. Gjatë ditës së djeshme, ai ka zhvilluar një vizitë në spitalin e specializuar për aparatin e frymëmarrjes. Siç mësohet, Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e djeshme një vizitë mjekësore në sanatoriumin “Shefqet Ndroqi” për një kontroll mjekësor, pas një viroze stine, e cila mesa duket i ka krijuar komplikacione në mushkëri. I shoqëruar nga truprojat e tij dhe forca të Gardës, Berisha, i qetë në pamje, zhvilloi një vizitë prej rreth 20 minutash dhe burimet bëjnë të ditur se mori edhe recetën e duhur për këtë komplikacion të ardhur nga viroza. Mësohet gjithashtu se Berisha është konsultuar dhe ka kërkuar mendimin e mjekut specialist për një ftohje të vjetër. Në fakt, kreu i qeverisë, Berisha, gjatë dy ditëve të fundit nuk ka kryer asnjë aktivitet publik. Aktiviteti i tij i fundit ka qenë ditën e martë, një ditë pas zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, ku kreu i qeverisë mori pjesë në një konference për zhvillimin rajonal. Të mërkurën, Berisha nuk kreu as mbledhjen rutinë të Këshillit të Ministrave, duke mos dhënë asnjë arsye për mosmbajtjen e kësaj mbledhjeje. Po kështu, as dje kreu i qeverisë nuk i mblodhi ministrat e tij, madje nuk mori pjesë as në seancën e radhës së Kuvendit që u zhvillua paradite. Nga ana tjetër, këto ditë Berisha nuk ka zhvilluar as takime në zyrën e tij. Megjithatë, kabineti i kreut të qeverisë shqiptare nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar mbi shëndetin e Berishës. Një burim qeveritar theksoi se nuk mund të ketë deklaratë për media në çdo vizitë apo kontroll që Kryeministri zhvillon, duke ditur se ai ka një disiplinë perfekte për shëndetin. Megjithatë një fakt i ri i gjithë historisë së djeshme është vizita në sanatorium, pasi ka qenë hera e parë që Kryeministri vizitohet në këtë institucion shëndetësor në vend. Vizita e shkurtër e Berishës në spitalin “Shefqet Ndroqi” gjatë ditës së djeshme jep në fakt një mundësi për të analizuar se gjithçka ka qenë një konsultim dhe jo një ekzaminim i hollësishëm mjekësor. Në fakt virozat e stinës janë një situatë mjaft e përhapur në fillimin e çdo sezoni që prekin moshat më të brishta, që janë të vegjlit, të moshuarit, por edhe personat që janë delikatë në organet respiratore, në zemër, apo edhe në tensionin arterial. Është e dyta herë brenda vitit që Kryeministri Berisha kapet nga viroza e stinës. Burime pranë qeverisë theksojnë se këtë herë nuk ka pasur asnjë komplikacion si në dhjetorin e kaluar, ku temperatura e lartë ndikoi në dobësimin fizik të Berishës. Gjithsesi të gjitha këto janë hamendje apo lajme me burime gjysmë zyrtare. Në vende perëndimore, raste të tilla shoqërohen me buletinin zyrtar mjekësor, i cili në situatën e vizitës së Berishës dje në sanatorium, nuk është më një çështje private e zotit Berisha, por një histori që i intereson publikut për shëndetin e një prej krerëve më të lartë të shtetit. Në festën e 21-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike, Kryeministri Sali Berisha pësoi një listomi akute që u shoqërua me dobësi trupore dhe që shkaktoi ndërprerjen e aktivitetit zyrtar të paralajmëruar. Por edhe atëherë zoti Berisha theksoi se kishte diçka delikate në reagimin trupor ndaj virozëve, por gjithçka ishte e kontrolluar.

 

Erjon Braçe

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, në faqen e tij në rrjetin social, ka reaguar pas lajmit për shëndetin e Berishës. Në statusin e tij, Braçe shkruan: “Sali Berisha, akoma Kryeministër i Shqipërisë, ka përfunduar në sanatoriumin e Tiranës. Në fakt ishte dita kur duhet të ishte në shumë aktivitete, mungoi, por ja ku u mor vesh se qenka keq! Jeleku mesa duket i rëndon në mushkri! Saaaali shërohu! Na duhesh të të mundim e të të ngarkojmë përgjegjësinë e shumë të këqijave në këtë vend”.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.