Postuar me: 14:15 13-07-2015

Kryetari i Kuvendit priti Presidentin e Parlamentit Evropian, z. Martin Schulz (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_0363

Kryetari i Kuvendit priti Presidentin e Parlamentit Evropian, z. Martin Schulz

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot Presidentin e Parlamentit Evropian z. Martin Schulz me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit mes dy parlamenteve, ecurisë së procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimeve në rajon.

Kryetari i Kuvendit z. Meta e cilësoi vizitën e Presidentit të Parlamentit Evropian z. Schulz në Tiranë si një tregues të qartë të vëmendjes dhe mbështetjes së BE-së për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të rajonit. Z. Meta vlerësoi bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian dhe shprehu mirënjohjen për përkushtimin e vazhdueshëm të grupeve kryesore politike të Parlamentit Evropian në drejtim të forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit politik në Shqipëri.

Presidenti i Parlamentit Evropian z. Martin Schulz shprehu kënaqësinë e vizitës së tij në Shqipëri dhe vuri në dukje se vendi ka bërë progres të dukshëm gjatë këtyre viteve të fundit. Z. Schulz theksoi se marrëdhëniet mes dy Parlamenteve janë të rëndësishme, duke marrë në konsideratë se miqtë dhe mbështetësit më të fortë të Shqipërisë në BE gjenden në Parlamentit Evropian.

Kryetari Meta dhe Presidenti Schulz diskutuan gjithashtu edhe për ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht asaj në drejtësi, dhe ndanë bindjen e përbashkët se sa më e lartë të jetë cilësia e realizimit të tyre, aq më i shpejtë do të jetë avancimi i Shqipërisë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Z. Schulz bëri një vlerësim edhe për përqasjen dhe angazhimin pozitiv të Shqipërisë në rajon, duke vënë në dukje se kontributi i Shqipërisë në drejtim të politikës së fqinjësisë së mirë, e ka rritur besimin e ndërsjellë dhe stabilitetin në rajon, ndërkohë që z. Meta vlerësoi përkushtimin e pakursyer të Parlamentit Evropian ndaj progresit demokrati ke institucional të Kosovës, si dhe ndaj avancimit të dialogut me Serbinë.

Pas takimit, z. Meta dhe z. Schulz dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta

Është një kënaqësi e veçantë që t’i uroj edhe një herë mirëseardhjen në Tiranë Presidentit të Parlamentit Evropian, z. Martin Schulz, në një ditë që do ta quaja shumë të rëndësishme për Europën, por edhe për ne dhe me këtë rast do të doja të përshëndesja marrëveshjen e liderëve të vendeve të Eurozonës me Greqinë, gjë që përbën një mesazh pozitiv jo vetëm për Greqinë dhe Europën por edhe për vendet e rajonit tonë.

Dhe me këtë rast dua të përshëndes përpjekjet e vetë Presidentit të Parlamentit Evropian, z. Martin Schulz për të arritur një zgjidhje, e cila forcon Europën dhe besimin tek ajo.

Kjo vizitë është tregues i qartë i vëmendjes së vazhdueshme dhe i mbështetjes së fuqishme të Bashkimit Evropian, por në mënyrë të veçantë të Parlamentit Evropian për Shqipërinë dhe për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit tonë.

Kemi patur një takim mjaft konstruktiv me Presidentin Schulz, ku edhe një herë unë kam falënderuar Parlamentin Evropian që gjithnjë ka qenë në avantgardë të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe njëkohësisht një hap përpara në mbajtjen gjallë të perspektivës për zgjerimin e Bashkimit Evropian në këto kohë të vështira.

Kemi vlerësuar se marrëdhëniet midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e mëtejshme të procesit të integrimit evropian.

Kemi vlerësuar rolin e përbashkët të grupeve kryesore politike të Parlamentit Evropian, të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer në forcimin e dialogut dhe të bashkëpunimit politik në Shqipëri.

Kemi vlerësuar se mbarëvajtja e Komitetit të Përbashkët për Stabilizim dhe Asociim mes BE-së dhe Shqipërisë si dhe suksesi i punës së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian të sapokrijuar, janë tepër të rëndësishme në ecurinë e procesit të integrimit evropian.

I kam shprehur Presidentit Shulz vendosmërinë tonë për të avancuar me reformat e mëdha që kemi në proces, sidomos në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe të Komisionit Evropian, duke punuar ngushtë me vendet anëtare.

Pas përfundimit me sukses të Reformës Territoriale-Administrative dhe zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, fokusi ynë mbetet në Reforma në fushën e Drejtësisë, e cila është mjaft e rëndësishme edhe për suksesin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kam siguruar Presidentin Schulz se përmes Planit të Veprimit që ne jemi duke zbatuar, Kuvendi e ka rritur dhe do ta rrisë rolin e tij mbikëqyrës ndaj zbatimit të prioriteteve si dhe ka intensifikuar bashkëpunimin me institucionet e pavarura dhe me shoqërinë civile, duke krijuar hapësira më të gjera për rritjen e pjesëmarrjes dhe për më tepër transparencë e gjithëpërfshirje.

Vlerësojmë këtu ekspertizën dhe asistencën teknike të të gjitha strukturave të Bashkimit Evropian, veçanërisht në drejtim të përforcimit të kuadrit legjislativ që po ndërmerret në përgatitje për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Njëkohësisht kemi biseduar edhe për zhvillimet e fundit në rajon ku Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mbetet e angazhuar për mbarëvajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në këtë pjesë të kontinentit.

Njëkohësisht kam shprehur mirënjohjen edhe për mbështetjen që Parlamenti Evropian vazhdon të japë në rajon tonë, e sidomos në Kosovë, në kuadër të progresit të saj drejt forcimit të institucioneve dhe integrimit evropian, si dhe ndaj normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, proces që Shqipëria e mbështet plotësisht.

E falënderoj edhe një herë Presidentin e Parlamentit Europian, z. Martin Shulz për vëmendjen dhe për mbështetjen e Parlamentit Evropian për integrimin evropian të vendit tonë por edhe të mbarë rajonit.

Presidenti i Parlamentit Evropian z. Martin Schulz

Faleminderit shumë Kryetar i Kuvendit!

Është kënaqësi që gjendem sot këtu me ju në Tiranë. Jam nisur me fluturimin e orës 9:05 nga Mynihu për të ardhur këtu në Tiranë, ndërkohë që në orën 8:40 Këshillit Europian doli me konkluzionet e veta sa i përket gjendjes në Greqi. Ndërsa do merrja rrugën time për t’u futur në avion, nuk e kisha ende të qartë nëse do të vazhdoja të vija në Tiranë apo do duhej të kthehesha në Bruksel.

Besoj se kam mirëkuptimin tuaj po ta fillojë këtë deklaratë për shtyp duke thënë që jam shumë i kënaqur me deklaratën e përbashkët të arritur ndërmjet kreve të shteteve dhe të qeverive lidhur me krizën në Greqi, pasi mendoj që kjo deklaratë e përbashkët është pozitive jo vetëm për Bashkimin Europian por është e rëndësishme dhe pozitive dhe për Shqipërinë në mënyrë që ajo të mos tërhiqet nga tensioni dhe presioni i krijuar në vend.

Faleminderit shumë për mikpritjen! Faleminderit shumë për ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe faleminderit dhe për mundësinë që do të më jepni nesër për t’ju drejtuar Parlamentit të Shqipërisë! Dua që të falënderoj Parlamentin dhe Kryetarin e tij z. Meta për të gjithë atë çfarë është bërë përsa i përket bashkëpunimit rajonal. E theksoj, me mirënjohje gjithë punën e bërë përsa i përket bashkëpunimit rajonal. E më duhet të them se ajo që është bërë në këtë drejtim gjatë dy viteve të fundit ka një rëndësi shumë të madhe për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve të rajonit.

Vetëm në ditët e fundit ne e pamë sa i brishtë është situata në rajon, mjafton të përmendim atë që ndodhi në ceremoninë përkujtimore të Srebrenicës. Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e frymës së dialogut dhe besimit të ndërsjelltë. Kështu që mendoj që ndërtimi i besimit, marrëdhëniet e frytshme ndërmjet vendeve edhe marrëdhënie e një dialogu të vazhdueshëm janë shumë të rëndësishme për rajonin.

Përsa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm mbështetës për Bashkimin Europian, në veçanti përsa i përket marrëdhënieve të vështira që kemi me Rusinë. E vlerësojmë shumë mbështetjen e Shqipërisë në kuadër të përcaktimit të një strategjie të përbashkët se si të tejkalojmë një marrëdhënie të tillë të ndërlikuar.

Ndërkohë, sa i përket marrëdhënieve ndërkombëtare, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit të Bashkimit Europian dhe Parlamenti të Shqipërisë. Më duhet të nënvizoj që në shumë raste, debatet dhe fryma e brendshme e diskutimeve ndërmjet partive politike këtu në Shqipëri transferohet në Bruksel dhe në Strasburg. Ndërkohë që problemet dhe debatet e brendshme duhet të mbeten këtu në Tiranë, ku duhet të gjejnë një zgjidhje, dhe jo të transferohen në Bruksel.

Megjithatë mbetemi mjaft optimistë dhe mbetemi të sigurt që marrëdhëniet do të thellohen në të ardhmen përsa i përket marrëdhënieve ndër parlamentare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Megjithatë, më lejoni të nënvizoj që megjithëse kjo është vizita ime e parë në Shqipëri, një pjesë e skuadrës që më shoqëron ka qenë këtu në Shqipëri dhe që rrugës kur kemi ardhur kanë parë zhvillime shumë të mëdha të bëra në vend.

Një ndër elementët kryesorë për të siguruar qëndrueshmërinë në vend është vijimi i reformës, veçanërisht kur flitet për reformën në gjyqësor. Reforma në gjyqësor jo vetëm që duhet të jetë e qëndrueshme dhe duhet të vijojë më tej, por ajo përbën edhe një element shumë të rëndësishëm për rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Pas diskutimeve që kemi pasur me Kryetarin e Parlamentit dhe me aktorë të tjerë në orët në vijim, besoj se do të arrijmë një konkluzion të përbashkët për vijimin e kësaj reforme.

Në fakt unë vij nga Këlni në Gjermani dhe siç e dini, nga rajoni ku vij unë dhe në pjesën tjetër nga vij unë, ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë me të cilët kemi marrëdhënie të ngushta. Kam ndërmjet shqiptarëve miq e të njohur dhe jo vetëm atje, por dhe miq e të njohur këtu në Shqipëri dhe shpresoj se edhe prania ime këtu, megjithëse e vonuar, shpresoj që të mos jetë shumë e vonuar, është një tregues i klimës pozitive dhe i miqësisë ndërmjet nesh. E kam planifikuar vizitën në Shqipëri, 5, 6 apo 7 herë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme nuk ia kam dalë që të vij në Shqipëri më përpara. Ndërkohë, edhe sot në mëngjes situata ishte delikate. Megjithatë thashë që duhet të shkoj në Shqipëri sot pasi në të kundërtën nuk do të jem i besueshëm. Prandaj, është kënaqësi për mua që të takohem me homologët shqiptarë dhe të ndajmë së bashku historinë e së shkuarës dhe historitë e së ardhmes.

Pyetje nga gazetarët

A mundet që Shqipëria të arrijë objektivin këtë vit për hapjen negociatave me Bashkimin Europian dhe a është një objektiv i arritshëm?

Z. Ilir Meta: Shqipëria tashmë është në rrugën e duhur dhe natyrisht që për ne më e rëndësishme është të avancojmë në mënyrë sa më të shpejtë dhe më konkrete për reformën e drejtësisë, ku kërkohet kontributi i të gjithëve dhe besoj se hapja e negociatave pastaj do të jetë më e thjeshtë dhe do të kemi më shumë përkrahje nga Parlamenti Europian, por dhe nga vendet anëtare.

Z. Martin Schulz: Përsa i përket gjysmës së dytë të vitit 2015, gjysma e dytë e vitit 2015 është shpejt, kështu që në këtë kuadër, dua t’i bashkohem asaj që u shpreh nga Kryetarit i Kuvendit, z. Ilir Meta dhe dua t’i shpreh gjithë mbështetjen time për reformat e ndërmarra në vend, reforma të cilat janë në proces e sipër. Është e rëndësishme që këto reforma të jetë efektive dhe të jenë të suksesshme. Përsa më takon mua, dua të theksoj se ju keni mbështetjen e plotë të Parlamentit tim, por ashtu siç e dini, Parlamenti nuk është i vetmi institucion i cili vendos për dhënien e një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Megjithatë gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, do të promovojmë debatin pozitiv në mënyrë që të jepet një përgjigje pozitive, ndërkohë që për momentin nuk mund t’ju jap një përgjigje pozitive.

13.07.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.