Postuar me: 19:44 19-06-2015

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, shpreh ngushëllime në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, z. Sulejman Demirel (Burimi: LSI, www.lsi.al)

lajm-shqip KryetariKryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, shpreh ngushëllime në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, z. Sulejman Demirel

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë për të shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, z. Sulejman Demirel.

Pasi nënshkroi një mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve, Kryetari i Kuvendit  në një prononcim për mediat vlerësoi kontributin e ish-Presidentit, Demirel duke theksuar se ai vuri gjithnjë në plan të parë interesin e kombit, interesin e shtetit dhe interesin e demokracisë.

“Është një ditë e vështirë jo vetëm për popullin vëlla turk, por për të gjithë turqit anembanë botës, sepse tashmë është ndarë nga jeta një personalitet i jashtëzakonshëm i kombit turk, një burrë i jashtëzakonshëm i shtetit, i cili e meritoi falë sakrificave të tij të panumërta për zhvillimin dhe modernizimin e vendit, për rikthimin dhe zhvillimin e demokracisë, vlerësimin si “babai” i Turqisë, sepse ai përgjatë gjithë jetës së tij, që njohu sakrifica të panumërta dhe shpesh herë të padrejta, vuri gjithnjë në plan të parë interesin e kombit, interesin e shtetit, interesin e demokracisë. Sa herë e dënuan në mënyrë jodemokratike dhe e rrëzuan në mënyrë jodemokratike, ai u ringrit edhe më i fortë falë mbështetjes së popullit turk, falë besimit të popullit turk tek dashuria e tij dhe vizioni i tij për përparimin e Turqisë”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se z. Sulejman Demirel  ishte gjithmonë i orientuar drejt së ardhmes dhe i shërbente asaj.

“Ai ishte një politikan që nuk mbetej kurrë peng i së kaluarës, ishte një politikan që nuk e njihte hakmarrjen, prandaj edhe kanë mbetur të gdhendura në kujtesën e të gjithëve fjalët e tij se dje ishte dje dhe sot është sot. Që tregon se ai gjithmonë ishte i orientuar drejt së ardhmes dhe i shërbente asaj. Ndaj sot të gjithë turqit kudo që janë, jo vetëm në Turqi, por në të gjithë botën i bashkon dhimbja, por edhe mirënjohja për këtë personalitet të jashtëzakonshëm që nxori Turqia gjatë këtyre 50 viteve të fundit në jetën politike”,  nënvizoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u shpreh se ndarja nga jeta e ish-Presidentit turk, z. Sulejman Demirel, është një humbje e madhe edhe për kombin shqiptar për të cilin ai tregoi një përkujdesje të veçantë.

“Për kombin tonë është një humbje shumë e madhe gjithashtu, sepse Presidenti Demirel kishte një përkujdesje dhe një dashuri të veçantë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Unë kam patur fatin ta përjetoj këtë personalisht dhe të takohem me të gjatë periudhës që ai ka qenë President i Turqisë. Por në mënyrë të veçantë këtë e kanë përjetuar vëllezërit tanë të Kosovës, pasi ai ka bërë jashtëzakonisht gjithçka ka mundur gjatë asaj periudhe dramatike, për të mbështetur vëllezërit tanë dhe çështjen e drejtë të Kosovës. Ne jemi të obliguar të jemi gjithnjë mirënjohës për atë që ai ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, për atë që ai ka bërë për Kosovë dhe jam i bindur  që në një të ardhme të shpejtë do të marrim edhe iniciativa për të përjetësuar në Shqipëri kujtimin e këtij politikani të pavdekshëm për nga veprat dhe nga mesazhet që ai ka lënë gjithmonë”, theksoi z. Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Mesazhi i plotë i Kryetarit të Kuvendit, z. Meta shkruar në Librin e Ngushëllimeve në Ambasadën e Republikës së Turqisë:

 

“I përjetshëm qoftë gjithmonë kujtimi dhe vepra madhështore e Presidentit Sulejman Demirel, e këtij burri të madh shteti që bëri aq shumë për Turqinë, por që e deshi dhe mbështeti aq shumë Shqipërinë dhe kombin tonë në ditët më të vështira të krizës së Kosovës.

Ne do ta kujtojmë gjithmonë me mirënjohje dhe dashuri.”

 

Ilir Meta

 

19.06.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.