Postuar me: 12:49 16-10-2015

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit nga Presidenti i Senatit Francez z. Gerard Larcher (Burimi: LSI, www.lsi.al)

2015-0686-015-CL

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit nga Presidenti i Senatit Francez z. Gerard Larcher

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit nga Presidenti i Senatit Francez z. Gerard Larcher.

Në kuadër të vizitës së tij në Francë, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta u prit nga Presidenti i Senatit Francez z. Gerard Larcher i cili shoqërohej prej z. Michel Berson, Kryetar i Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri në Senat, prej Senatorit Alain Richard i Dërguar Special i Francës për Diplomacinë Ekonomike me Ballkanin si dhe prej Zv. Presidentit të Komisionit të Jashtëm, të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura z. Jacques Gautier.

Presidenti i Senatit Francez z. Gerard Larcher i uroi mirëseardhjen z. Meta në Paris dhe vlerësoi progresin domethënës të Shqipërisë si vend jo vetëm frankofon, por edhe kandidat për anëtarësim në BE dhe si një vend me peshë të veçantë në rajonin e Ballkanit, duke veçuar këtu marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të Shqipërisë me të gjithë vendet e rajonit.

Z. Larcher u shpreh se Franca mbështet progresin e arritur në marrëdhëniet mes vendeve të rajonit, pavarësisht ngarkesave historike dhe nënvizoi se Franca mbështet perspektiven evropiane të të gjithë rajonit.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu kënaqësinë e këtij takim me Presidentin e ri të Senatit Francez dhe ndau bindjen e përbashkët me z. Larcher se marrëdhëniet e ngushta të nisura me ish Presidentin z. Jean Pierre Bel në të kaluarën do të vazhdojnë të intensifikohen më tej.

Në këtë kuadër, z. Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Francës, dhe në veçanti ato ndërparlamentare janë të shkëlqyera dhe këtu kontribut të veçantë kanë dy Grupet e Miqësisë të drejtuara prej z. Berson dhe znj. Hafizi respektivisht, Senatori Richard për fokusin në aspektin e bashkëpunimit ekonomik dhe patjetër i dy Ambasadave që po punojnë intensivisht për rritjen e projekteve konkrete bilaterale.

2015-0686-027-CLZ. Meta shprehu kënaqësinë e nisjes së fluturimeve direkte mes Parisit dhe Tiranës dhe shprehu vullnetin për të mirëpritur më tepër investime franceze në fushat strategjike të zhvillimit të Shqipërisë, duke nënvizuar se Franca ofron një ekspertizë të veçantë profesionale në fusha prioritare si infrastruktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe industria agro-ushqimore.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen domethënëse të Francës ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi se institucionet shqiptare dhe në veçanti Kuvendi mbeten të angazhuar për të avancuar me axhendën e reformave të nisura, ku prioritet mbetet reformimi i sistemit të drejtësisë, si kyç për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për rritjen e transparencës dhe thithjes së investimeve.

Presidenti i Senatit Larcher vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj objektivave të Francës për Konferencën globale COP21 për ndryshimet klimaterike dhe efektet ndaj mjedisit, duke veçuar se mbrojtja e mjedisit në zonën euro-mesdhetare duhet parë me vëmendje të veçantë.

Në përfundim, Kryetari Meta vlerësoi vazhdimin e Procesit të Berlinit me Konferencën e ardhshme të Parisit dhe e ftoi Presidentin Larcher për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi.

16.10.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.