Postuar me: 15:23 01-12-2015

Kryetari i Kuvendit zhvillon një vizitë pune në Berlin (Burimi: LSI, www.lsi.al)

Meta takon Jorg Asmussen

Kryetari i Kuvendit zhvillon një vizitë pune në Berlin

Kryetari i Kuvendit zhvillon një vizitë pune në Berlin.

Takime me deputetët, z. Florian Hahn dhe z. Andrej Hunko si edhe me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jörg Asmussen.

Në kuadër të një vizite pune në Berlin, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi një takim me deputetin e CDU/CSU dhe njëkohësisht zëdhënës për politikën e jashtme të CSU-së, z. Florian Hahn. Gjatë këtij takimi z. Meta dhe z. Hahn biseduan mbi marrëdhëniet Gjermani-Shqipëri, bashkëpunimin me Landin e Bavarisë, mbi rritjen e shkëmbimeve midis dy vendeve dhe nxitjen e investimeve, veçanërisht atyre bavareze.

Z. Meta theksoi se reformat e rëndësishme që Shqipëria ka ndërmarrë, dhe veçanërisht reforma në drejtësi, do të krijojnë një klimë më të mirë për investimet e huaja dhe se Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investitorët e huaj.

Z. Meta dhe z. Hahn diskutuan edhe për sfidat e integrimit evropian dhe ato të sigurisë, për krizën e refugjatëve dhe për rolin e Shqipërisë në rajon.

Gjithashtu, gjatë qëndrimit të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta u prit në një takim nga Sekretari i shtetit në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve sociale, z. Jörg Asmussen, me të cilin diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional dhe në veçanti mbi mundësitë e punësimit të ligjshëm në Gjermani.

Vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu rritjes së bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit dhe projektet rajonale.

Kryetari i Kuvendit, z. Meta theksoi se integrimi i rajonit është një domosdoshmëri që kërkon reforma të thella dhe se Gjermania mbetet partner kryesor për Shqipërinë, si për zhvillimin ekonomik ashtu dhe për avancimin e integrimit evropian.

Në vijim të takimeve të tij në Berlin, Kryetari i Kuvendit, z. Meta u takua me deputetin gjerman, z. Andrej Hunko, Raporter për Shqipërinë në Këshillin e Evropës.

Kryetari z. Meta dhe Raporteri i KiE, z. Hunko vlerësuan arritjet e deritanishme të Shqipërisë dhe progres-raportin e fundit të Komisionit Evropian.

Kryetari i Kuvendit Meta shprehu bindjen se Shqipëria do të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga progres-raporti, me qëllim hapjen e negociatave për anëtarësim në BE gjatë vitit të ardhshëm.

“Shqipëria po ndërmerr reformat e duhura dhe do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj që lindin nga progres-raporti. Tashmë jemi vend kandidat i BE-së dhe po punojmë për hapjen e negociatave gjatë vitit të ardhshëm. Në këtë drejtim energjitë janë përqendruar në pesë prioritet kyçe. Edhe progres-raporti i fundit i Komisionit Evropian vlerësoi progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Por çështja kyçe tani mbetet reforma ne drejtësi si një kusht për hapjen e negociatave me BE. Për këtë është bërë punë e madhe, edhe nga ekspertët e Bashkimit Evropian dhe aktualisht jemi në momentin kur një draft propozimesh për ndryshime kushtetuese i është dërguar Komisionit të Venecias. Mendoj se ky do të jetë një moment i rëndësishëm për Bashkimin Evropian për të nxitur hapjen e negociatave me Shqipërisë”, – tha ndër të tjera z. Meta gjatë takimit me z. Hunko.

01.12.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.