Postuar me: 14:42 16-06-2012

KUSH DËSHTOI?

Shperndaje
Etiketat

Shqipni Tavolinash

-Vëllezër, Kisha na e mbylli derën – thotë me dëshpërim babai i atij djalit të vrarë te filmi “Mësonjëtorja”. -Vëllezër, ambasadorët na e mbyllën derën – më vjen të them unë sot pas asaj që pamë të gjithë.

Të jesh ambasador i një vendi të madh, nuk është luks, është barrë. Ambasadorët e veckël s’kanë ndonjë barrë të rëndë. Ata thjesht duhet të zbatojnë urdhrat që u vijnë nga lart, apo të presin se ç’do bëjnë të mëdhenjtë dhe pastaj t’i ndjekin pa shumë naze e llafe. Ata kanë përgjegjësi vetëm ndaj qeverive të tyre, as ndaj botës e as ndaj historisë. Askush nuk do të dijë se çfarë bëri ambasadori i Uruguait apo i Luksemburgut, kur Gjermania sulmoi Poloninë më 1939-ën; apo çfarë reagimi po bën Andorra apo Malta ndaj masakrave në Siri.

Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë është ai i San Marinos apo i Malit të Zi, ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë është edhe ai i Amerikës, Gjermanisë apo Italisë. Por përgjegjësia ndaj fateve të botës, nuk është e njëjtë. Ambasadori i Anglisë ka përgjegjësinë e vendit të vet, por edhe të botës mbi kurriz, ndërsa ambasadori i Maqedonisë ka mbi kurriz vetëm përgjegjësinë e vendit të vet. S’di në u shpjegova me kaq.

Në këtë kuptim, përgjegjësia e grupit të vogël të ambasadorëve të vendeve të mëdha në Tiranë, gjatë ditëve të etheve presidenciale ishte shumë i madh. Ndërsa ata dështuan me të tëra dhe me të gjitha. Natyrisht që do thonë se nuk dështuan ata por ne, duke humbur shansin e blla, blla, blla. Jo, s’është aspak kështu. Ne të dështuar kemi qenë që sefte kur i kemi hyrë rrugës së demokracisë që as e njihnim as e dimë se nga kalon e ku të çon. Ndaj të dështuar janë ata, me eksperimentin e tyre për të na bërë neve të ecim asaj udhe.

Para ndonjë muaji, në një konferencë, ambasadori Sequi deklaroi se në këto vitet e fundit nga BE-ja janë shpenzuar në Shqipëri 100 milionë euro për mjedisin. Një shifër që të bën të lozësh mendsh, kur sheh se si është masakruar mjedisi në këtë vend, pikërisht në këto vite për të cilat ambasadori na thotë se ka shpenzuar 100 milionë euro.

Si të mos mjaftonte kjo, vetëm pak ditë më pas, në një tjetër konferencë, po ai ambasador, deklaroi për 100 milionë euro të tjera të shpenzuara për sistemin e drejtësisë. Një tjetër shifër që të bën gjithashtu të luash mendsh, kur shef degradimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Korrupsion, shitblerje e proceseve dhe e posteve, mungesë e çdolloj elementi karriere e kështu me radhë. Dhe të gjitha këto, pikërisht në periudhën për të cilën ambasadori na thotë se ka shpenzuar 100 milionë euro.

Kush ka dështuar në këtë mes, ne apo ambasadori me të vetët? Natyrisht që ambasadori. Ne në pleh ishim e në pleh mbetëm, pa drejtësi ishim e pa drejtësi mbetëm, ndërsa ambasadori me gjithë 200 milionë eurot që harxhoi, dështoi në misionin e tij për të na mbrojtur mjedisin dhe për të na ngritur drejtësinë.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për administratën publike, që më keq nuk ka ku të shkojë, e për të cilën janë shpenzuar të tjera dhjetëra milionë euro të tyret. Apo për mender ushtrinë shqiptare, për të cilën sa më shumë pará shpenzohen, aq më shumë zhduket e nuk ekziston më as nëpër letra.

Po mirë se neve nuk na jep llogari, e s’ka pse të na japë, po taksapaguesve europianë, atyre që jua ka marrë këto pará për t’i tretur e shpërdoruar nëpër xhepat e bandës së hajdutëve shqiptarë, a ju jep llogari ambasadori?

Për të ardhur te procesi presidencial, për të cilin u aktivizuan e bënë be e rrufe të gjithë ambasadorët bashkë dhe që megjithatë, dështoi fund e majë! Nuk shkoi ambasadori i Palestinës apo ai i Paraguait të takonte Ramën e Berishën, por ai amerikan e ai europian. Dhe pikërisht nga këta, bash sepse janë përfaqësonjës të vendeve të mëdha e që kanë përgjegjësi ndaj botës, pritëm që ajo që iu premtua edhe të ngjante. E thanë troç se prisnin që procesi të ishte konsensual, e thanë troç që prisnin që Presidenti të mos ishte ministër i qeverisë. Ndodhi pikërisht e kundërta në të gjitha gjërat, por ambasadorët jo vetëm që nuk u dukën të turbulluar, por edhe më keq, u ranë hasha atyre që kishin thënë dhe dolën e uruan presidentin e dalë nga e kundërta e asaj që kishin kërkuar. Me të tyren mund të jenë në rregull, rrogën do e marrin, shkelje nuk kanë bërë, Amerika, Europa dhe Italia, do jenë po ato që janë, por ata nuk thonë dot që janë përfaqësonjës të vendeve të mëdha. Nga i madhi dhe i forti, nuk priten procedura, por drejtësi.

Para disa ditësh, ambasadori amerikan i dorëzoi Ina Ramës një listë shqiptarësh në kërkim nga drejtësia e vendit të vet. Natyrisht, shteti shqiptar menjëherë do vihet në lëvizje, do t’i gjejë dhe do t’ia dorëzojë. Dhe ambasadori do kapardiset se do i duket vetja i rëndësishëm. Unë mendoj se një ambasador vlen më shumë sesa për të bërë postierin. Në epokën dixhitale, listën mund ta dërgonin edhe me e-mail direkt nga zyra e Uashingtonit dhe ne njësoj do vraponim t’i dorëzonim të kërkuarit.

Por edhe këtu, shteti pusht i shqiptarëve di të bëjë dallime se nga kush duhet të ketë frikë vërtet e nga kush jo. Ndërsa të kërkuarit e Amerikës do vrapojmë me vrap t’ia dorëzojmë, të dënuarit e Italisë, jo vetëm që nuk po i dorëzojmë, por edhe po i fshehim apo po i nxjerrim të pafajshëm që të gjithë. Edhe Italia është një shtet i madh, por që jo sot, por asnjëherë, që në kohë të Ismail Qemalit, nuk ka ditur të bëjë politikë e të sillet si një shtet i madh. Ka qenë e mbetet një vend i madh, por një fuqi e vogël, shumë e vockël. Dhe megjithatë, ambasadori i Italisë nuk skuqet për këtë, le më që të inatoset që disa gjykatës shqiptarë province po hedhin në kosh të plehrave vendimet e gjykatave italiane. Pikërisht ata gjykatës për të cilët ai italiani tjetër, Sequi, mburret se ka shpenzuar 100 milionë euro. Ha, ha, ha! Kush mund t’ua shpjegojë taksapaguesve italianë që banditët shqiptarë që kanë vjedhur e grabitur në Itali, po i nxjerrin nga burgu në Shqipëri pikërisht ata gjykatës për të cilët po ata taksapagues italianë kanë shpenzuar 100 milionë euro.

Dhe pastaj kanë kurajën të thonë se kemi dështuar ne. Jo, mor jo, ata ambasadorët kanë dështuar. Në rolin e tyre prej përfaqësuesi të fuqive të mëdha, në përgjegjësinë e tyre ndaj botës, në misionin e tyre para historisë. Ne këtu ishim e këtu mbetëm. Të vazhdojmë të vuajmë nën thundrën e bandës që na ka hipur në qafë dhe që ka vetëm një aftësi, të nuhasë se kur mund t’ua hedhë ambasadorëve dhe kur duhet t’u rrijë gatitu që atyre t’u duket vetja sikur u peshon llafi.

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Postuar 2 Komente
Mendimi i juaj
  1. albani says:

    pershendetje ishte nje permbledhje e bukur dhe e sakte vetem ne ca pika sjam dakord se humben ato e jo ne . une menoj se ketu humbe vetem populli e jo politikanet se ato i ndjane te gjitha per gjysem e pranaj kane gjete shqiperine ku ti ndajne me rehat se sa ne vendet e tyre ku ka gjykata dhe ku shteti funksionon. se dhe nje cope konsel te jesh ne shqiperi je me i pasur se nje ambasador ne nje vend te zhvidhuar . pra shqiperia eshte bere si nje tavoline poker ku lujane te gjithe dhe fitojne te gjithe populli mbane humbjen . skam bindje per asnjerin krah partiak thjeshte eshte ajo qe shohim

  2. vladimir bardhi says:

    pershendetje zoti artan;perhere me kane lene mbrese shkrimet e tua,thuhet dhe trajtohet maksimumi i te vertetes ne ate vend bajraktaresh ;po te shohesh konsujt dhe diplomatet shqiptare ketej nga jetojme ne; juve zoti artan vini duart ne koke ;per dy arsye; e para;jane te gjithe te infektuar me virusin h;n;a; te politikaneve shqiptareqe qe i kane emeruar ketej ;dhe e dyta; kudo ku shkojne per protokolle zyrtare murmurisin ; hiqja lenes venja prenes mos i ngelet hatri asnjenes;e shikon pra i dashur artan sa te bukur jane diplomatet shqiptare ketej; dhesa hajdute me shkolle jane diplomatet e huaj ne shqiperi; te mjeret ne/

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.