Postuar me: 9:25 11-06-2012

Kuvend, Artan Hoxha votohet sot si president i republikës

Shperndaje
Etiketat

Sot pritet të mbahet raundi i katërt i votimeve për presidentin e republikës dhe i vetmi emër zyrtar që do t’i nënshtrohet votimit është emri i propozuar nga mazhoranca, Artan Hoxha. Kandidatura e ekspertit të ekonomisë dhe publicistikës,Artan Hoxha për postin e kreut të ri të shtetit u propozua si një emër konsensual dhe i pranuar nga aleatët në qeverisje, PD, LSI, PDIU, PR, por nuk mori konsensusin e opozitës në tryezën e bisedimeve të mbrëmjes së djeshme, e cila edhe pse zgjati mbi tri orë, nuk arriti të prodhonte konsensus midis pozitës dhe opozitës.

Megjithatë, emri i Artan Hoxhës pritet të votohet sot në kuvend vetëm me votat e mazhorancës, duke qenë se në përpurthje me kushtetutën presidenti mund të zgjidhet në këtë fazë me vetëm 71 vota. Në përfundim të takimit të djeshëm, ndërsa opozita deklaroi mungesën e konsensusit në përzgjedhjen e një kandidature tërësisht politike sipas saj, kryeministri i vendit u shpreh se mazhoranca kishte bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për konsensus, duke i ofruar opozitës emra me integritet të plotë. Sipas Berishës, opozita tregoi edhe një herë një mungesë të plotë vullneti për arritjen e konsensusit në këtë pikë të procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.

Ndërkohë, opozita ka vendosur të jetë e pranishme në seancën e sotme plenare, e cila do të mbahet rreth orës 10, por nuk do të votojë për kandidatin e PD Artan Hoxha, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë presidenti i ri i vendit.

Kush është Artan Hoxha?

Artan Hoxha është një nga ekspertët e mirënjohur të ekonomisë.
Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik (1992-1993)
Drejtor e më pas President i Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) nga viti 1997 e në vazhdim.
Anëtar i Këshillit të Administrimit të Universitetit të Tiranës (Shkurt 2008-Maj 2010).
Anëtar i Bordit Këshillimor të Qendrës Kërkimore për Europën Juglindore (SEERC) në Selanik të Greqisë.
Anëtar dhe Drejtor i Bordit të Drejtorëve të Qendrës së Arbitrimit dhe Ndërmjetësimit Tregtar.
Përgjatë karrierës së tij mbi 20 vjeçare, z. Hoxha ka kontribuar në përgatitjen e politikave, strategjive dhe ligjeve më të rëndësishme të lidhura me reformat ekonomike dhe institucionale.
Vitet e fundit, ka luajtur rol thelbësor në ngritjen e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), reformimin e sistemit fiskal, krijimin e gjykatave administrative dhe aktualisht po punon për reformimin e sistemit institucional e ligjor të inspektimeve administrative mbi biznesin.
Z. Hoxha është një nga opinionistët e njohur lidhur me çështjet ekonomike, ligjore, institucionale dhe politike me një aktivitet të spikatur mediatik në median televizive dhe shtypin e përditshëm.
Z. Hoxha, trajner i licencuar në Administrim Biznesi nga ILO Training Center në Torino të Italisë (1997), është një njohës i thelluar i çështjeve të lidhura me zhvillimin e sektorit privat. Institucione shtetërore shqiptare apo ndërkombëtare si dhe biznese shqiptare e të huaja ne Shqipëri i drejtohen për këshillim. Z. Hoxha ka kryer studimet pasuniversitare Master në Ekonominë e Mjedisit dhe Energjisë në Shkollën Pasuniversitare Enrico Mattei të Grupit Eni, Itali (1994-1995) dhe ato universitare në Fakultetin e Gjeologjisë e Minierave të Universitetit Politeknik të Tiranës (1984-1989). Ai është shpallur dy herë rresht, në vitet 1982 dhe 1983, fitues i vendit të parë në Olimpiadat Kombëtare të Matematikës.
11 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.