Postuar me: 12:40 14-06-2012

Kuvend, hiqet nga rendi i ditës ‘moratoriumi i skafeve’, debate pozitë-opozitë

Shperndaje
Etiketat

Mazhoranca u justifikua me amendimet që do t’i bëhen nismës në Komisionin e Ligjeve

Seanca e sotme plenare në kuvendin e Shqipërisë ka nisur që në hyrje të saj me debate mes mazhorancës dhe opozitës. Shkak është bërë heqja nga rendi i ditës nga ana e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli të shqyrtimit të nismës së opozitës për heqjen e moratoriumit të skafeve, e cila ndërkohë ishte rrëzuar nga mazhoranca disa ditë më parë në Komisionin e Ligjeve.

Këtë gjë, mazhoranca, me anë të përfaqësuesit të saj dhe relatorit të projektligjit, Edi Paloka e ka argumentuar me faktin se deputetët e mazhorancës kanë bërë disa amendime të nismës, të cilat fillimisht duhet të shqyrtohen në Komisionin e Ligjeve gjatë ditëve në vijim, para se të miratohen në seancat e ardhshme. Sipas Palokës, ky kthim i nismës së PS edhe një herë në Komisionin e Ligjeve bëhet në favor të opozitës, me qëllim që të shkohet drejt një zbutjeje për moratoriumin e skafeve.

Vendimi në fjalë është kundërshtuar ashpër nga kryetari i grupit kuvendor të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, sipas të cilit heqja nga rendi i ditës i nismës së grupit të PS për moratoriumin e skafeve është një shkelje e hapur e procedurave parlamentare dhe bëhet për shkak të mungesës së një kuorumi nga ana e mazhorancës.
Në këtë kuadër, ai ka akuzuar vetë kryetaren e kuvendit si të njëanshme, ndërkohë që ajo ka deklaruar se do të jetë avokate e opozitës. Nga ana e saj, Topalli i është përgjigjur menjëherë Ruçit se, për sa kohë të jetë kryetare e parlamentit, ajo do të vazhdojë të jetë edhe avokate e opozitës.

Moratoriumi i skafeve, i cili është vendosur me ligj nga qeveria e Berishës rreth 6 vjet më parë, vijon të mbrohet me fanatizëm nga mazhoranca si një masë efikase parandaluese ndaj trafiqeve të paligjshme përmes detit.
Ndërkohë që krejt i kundërt është qëndrimi i opozitës lidhur me këtë ligj, i cili sipas tyre është i ekzagjeruar dhe sjell vetëm dëme për turizmin.

14 qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.