Postuar me: 13:05 14-07-2015

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë të veçantë plenare për nder të Presidentit të Parlamentit Evropian, z.Schulz (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_0670

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë të veçantë plenare

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në një seancë të veçantë plenare për nder të Presidentit të Parlamentit Evropian, z. Martin Schulz, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Shqipëri.

Në fillim të seancës, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mbajti një fjalim të shkurtër ku vlerësoi Presidentin e PE-së, z. Martin Schulz si një promotor të palodhur i një Europe më të drejtë, më të barabartë e më demokratike.

“Ai mbetet jo vetëm një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, por mbi të gjitha një mbështetës i pakursyer i zgjerimit të Bashkimit Europian. Sot Presidenti Schulz viziton një Shqipëri anëtare te NATO-s, me qytetarë që përfitojnë nga regjimi i heqjes së vizave me zonën Shengen, një vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe që synon hapjen e negociatave për anëtarësim në familjen e Bashkimit Evropian”, – tha z. Meta, teksa në emër të Kuvendit të Shqipërisë shprehu mirënjohjen më të sinqertë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për vendin tonë.

“Në këtë kuadër, jam i bindur që Parlamenti shqiptar do të mbetet platformë e hapur e debatit demokratik e konstruktiv si dhe e shtytjes së reformave madhore të vendit, përmes garantimit të gjithëpërfshirjes dhe të tolerancës”, – theksoi mes të tjerash Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Presidenti i Parlamentit Europian, z. Martin Schulz në fjalën e tij përshëndetëse para deputetëve shqiptarë shprehu angazhimin e PE-së për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, që ky rajon të ecë drejt një të ardhme paqësore, demokratike e të qëndrueshme.

Duke iu referuar takimit të pestë të nivelit të lartë, i zhvilluar në muajin mars, z. Schulz u ndal tek shqetësimi i shprehur nga Komisioneri Han, se ‘shqetësimet dhe tensionet e vazhdueshme në vend përbëjnë rrezik për ecurinë e reformave’.

“Unë ndaj të njëjtat shqetësime me Komisionerin dhe në shumë biseda, me shumë kolegë dhe kolege këtu ditët e fundit, pata mundësinë që të krijoja një përshtypje rreth vështirësive që ekzistojnë në vend edhe këtu në Parlament. Ndaj i bëj thirrje klasës politike në Shqipëri që të veprojë në përputhje me 13 përfundimet e dialogut të nivelit të lartë, veçanërisht përsa i përket reformave në sistemin e drejtësisë, përsa i përket forcimit të një gjyqësori të pavarur, efikas dhe që mban përgjegjësi për vendimet e marra. Sukseset e para në luftën kundër korrupsionit që janë arritur deri më tani, më bëjnë që ta inkurajoj edhe më tej qeverinë për të vazhduar reformën në këtë drejtim”, – tha Presidenti Schulz.

Gjithashtu, në fjalën e tij, Presidenti i PE-së vlerësoi si shembullor angazhimin e Shqipërisë për nxitjen e bashkëpunimit rajonal. Këtu ai u ndal tek afrimi i kohëve të fundit mes Shqipërisë e Serbisë, që është një tregues i asaj se pavarësisht dallimeve, mund të krijohet një atmosferë miqësore.

“Nga kjo historia jonë evropiane për mua lind një detyrim, që çdo ditë të veprojmë kundër rikthimit të forcave që e kanë shkatërruar Europën, urrejtjes, urrejtjes ndaj të huajve që së bashku të veprojmë kundër këtyre forcave në mënyrë që të zgjidhim çdo ditë konfliktet në mënyrë konstruktive në tryezën e dialogut, që çdo ditë të luftojmë për lirinë dhe demokracinë, për paqen e mirëkuptimin. Ndaj dua t’ju them se vendi juaj dhe Serbia po afrohen kohët e fundit dhe ky afrim përputhet plotësisht me ketë frymë europiane. Me vizitën e tij në nëntor, Kryeministri i vendit tuaj ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt mirëkuptimit në rajon dhe vizita e Kryeministrit Vuçiç para disa javësh, pasoi vizitën e Kryeministrit Rama në Serbi. Për këtë nismë dëshiroj t’ju përgëzoj”, – tha Presidenti i PE-së.

 

Fjalimi i Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta

I nderuar President i Parlamentit Europian, z. Martin Schulz!

I nderuar z. Kryeministër,

Të nderuar deputetë dhe Ministra,

Përfaqësues të Trupit Diplomatik,

Zonja dhe Zotërinj,

Presidenti Martin Schulz ka shërbyer për më shumë se dy dekada si eurodeputet në Parlamentin Europian, ku ka drejtuar për një kohë të gjatë edhe grupin parlamentar të socialistëve dhe të demokratëve. Është Presidenti i parë i Parlamentit Evropian që rizgjidhet me një mandat të dytë duke mbajtur mbi supe drejtimin e Parlamentit Evropian gjatë një periudha plot sfida për të gjithë Europën dhe partnerët e saj europianë. Përfitoj nga rasti të shpreh këtu përgëzimet më të sinqerta për arritjen e marrëveshjes mes vendeve të eurozonës dhe fqinjit tonë Greqisë duke evituar kështu përshkallëzimin e një krize të paprecedentë dhe të dhimbshme ekonomike për Europën. Por padyshim në mënyrë të veçantë edhe për rajonin dhe për vendin tonë.

Presidenti Martin Schulz ka qenë gjithmonë një promotor i palodhur i një Europe më të drejtë, më të barabartë e më demokratike. Ai mbetet jo vetëm një mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, por mbi të gjitha një mbështetës i pakursyer i zgjerimit të Bashkimit Europian. Sot Presidenti Schulz viziton një Shqipëri anëtare te NATO-s, me qytetarë që përfitojnë nga regjimi i heqjes së vizave me zonën Shengen, një vend kandidat për në Bashkimin Europian dhe që synon hapjen e negociatave për anëtarësim në familjen e Bashkimit Evropian.

Më lejoni që në emrin tuaj dhe të Këtij Kuvendi të shpreh mirënjohjen tonë më të sinqertë për bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Parlamentit Evropian për vendin tonë.

Në këtë kuadër, jam i bindur që Parlamenti shqiptar do të mbetet platformë e hapur e debatit demokratik e konstruktiv si dhe e shtytjes së reformave madhore të vendit, përmes garantimit të gjithëpërfshirjes dhe të tolerancës.

Jam i bindur se shpreh mirënjohjen e përbashkët të gjithë forcave politike dhe të gjithë të ftuarve sot në parlament për këtë vizitë të rëndësishme të Presidentit të Parlamentit Evropian z. Martin Schulz në Tiranë dhe kam nderin ta ftoj atë të mbajë një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Shqipërisë.

Fjala e Presidentit të Parlamentit Europian, z. Martin Schulz.

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit. I nderuar koleg!

Të nderuar deputet!

Të dashur kolegë dhe kolege!

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Për mua është një kënaqësi dhe një nder i veçantë të flas sot para Kuvendit të Shqipërisë. Zonja dhe Zotërinj në Europë kemi lënë pas një vit, gjatë të cilit u zhvilluan shumë aktivitete përkujtimore. Të tilla ditë përkujtimi dhe çaste kujtese janë të rëndësishme, pasi na lejojnë që të ndalemi e të sjellim ndërmend se nga vijmë. Të sjellim ndërmend se si ngjarjet e së shkuarës vazhdojnë të ndikojnë të tashmen tonë. Të kuptojmë se sa ngushtë jemi të lidhur me njëri-tjetrin ne evropianët në historinë tonë dhe në këtë mënyrë se sa të lidhur jemi sot e kësaj dite me njëri-tjetrin, se sa ngushtë varet e ardhmja jonë nga bashkëpunimi.

Përpara një shekulli Lufta e Parë Botërore jo larg prej këtu filloi me atentatin e Sarajevës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, zonja e zotërinj, në luftën e parë të industrializuar, epoka moderne shfaqi fytyrën e saj të shëmtuar. Le të kujtojmë se miliona e miliona burra të rinj, me besimin e tyre në vlera si nderi, fisnikëria dhe besnikëria dhe në vdekjen heroike në fushën e betejës, u nxitën drejt fushëbetejës, drejt teknologjive ushtarake të shekullit të 20-të dhe për të vdekur në një vrasje masive industriale.

Miliona njerëz vuajtën pasojat e pushtimit dhe të luftës. Edhe vendi juaj, i cili vetëm pak ditë kohë para Luftës së Parë Botërore kishte fituar pavarësinë. Lufta e Parë Botërore prej nga zunë fill katastrofat e shekullit të 20-të la pas një kontinent të shkretuar dhe të shkatërruar. Fuqitë ranë. Perandoritë u shkatërruan, kufijtë u rivendosën. Fara për urrejtje të re, për mllef të ri u përhap anembanë kontinentit. Pas mbetën miliona të vrarë dhe një brez plot vraga lufte.

Por shkatërrimi që do të pasonte do të ishte më i madh. Fashizmi. Para treçerek shekulli, Gjermania naziste duke pushtuar Poloninë do të bëhej shkak për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Lufta e dytë Botërore përshkoi Europën porsi një ortek zjarri. Shqipëria u pushtua sërish. Ndaj masakra e Vermahtit gjerman në Borovë përpara 72 vitesh më 7 korrik 1943 ishte një akt ku ushtarët gjermanë në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve partizane vranë barbarisht gratë dhe fëmijët. Ky akt do të na mbushë përgjithmonë me turp. Ne do ta mbajmë gjallë kujtimin e viktimave të kësaj masakre. Ashtu siç nuk do të harrojmë kurrë guximin dhe humanizmin e të gjithë shqiptarëve që i shpëtuan fqinjët e tyre hebrej nga deportimi.

Mijëra hebrej në arrati, nga deportimi gjetën strehim dhe mbrojte në vendin tuaj. Një popull i cili udhëhiqet nga parimi se është e vetëkuptueshme t’i hapësh portën e shtëpisë njerëzve që kërkojnë mbrojtje, madje edhe duke vënë në rrezik jetën e vet. Një parim që ju shqiptarët në vendin tuaj e quani “BESA”, një populli të tillë mund t’i shpreh vetëm respektin tim më të thellë. Në vitin 1944 vendi juaj u çlirua nga pushtuesi, por liria nuk erdhi në Shqipëri. Perdja e hekurt e ndante Europën arbitrarisht në lindje dhe perëndim. Edhe vendi prej nga unë vij, Gjermania, u nda në dysh. Familjet u ndanë brutalisht nga njëra-tjetra. Ndërsa në perëndim po ndodhte diçka unike në histori, që fitimtarët nuk po e vinin edhe më përfund Gjermaninë, por kësaj shkaktareje të luftës, këtij armiku të përbetuar, po i zgjatnin dorën për pajtim duke krijuar një bashkësi të paqes dhe demokracisë, të progresit dhe të solidaritetit.

Në lindje, ndryshe nga perëndimi, e drejta për vetëvendosje dhe liria do të mbeteshin të mohuara për disa dekada me radhë. Për një gjysmë shekulli populli shqiptar do të vuante nën diktaturën me të egër, i izoluar dhunshëm nga pjesa tjetër e botësh, i ndarë abitrarisht nga familja e vetë evropiane. Derisa një çerek shekulli më parë, në një vit mrekullie, shkëndija e lirisë, ndriçoi Europën.

Le të kujtojmë zonja e zotëri se në Poloni fitoi Solidarnosti, në Hungari njerëzit arritën të fitojnë të drejtën për vetëvendosje që nga Vilniusi, Riga e Talini miliona njerëz qëndruan dorë për dorë, krah për krah dhe duke kënduar fituan pavarësinë në një revolucion paqësor. Në Berlin njerëzit rrëzuan murin me thirrjen e tyre: “Populli jemi ne”. Edhe në Tiranë ishin të parët studentët që dolën në rrugë e pas tyre gjithnjë e më shumë njerëz që kërkonin liri.

Sot zonja e zotërinj na duket pothuajse e vetëkuptueshme që këto lëvizje për liri në Europë nuk mund të kishin veç se një fund të mirë, na duket e vetëkuptueshme që perdja e hekurt duhet të binte. Por ky është këndvështrimi ynë i sotëm. Në atë kohë nuk kishte asnjë garanci për këtë fund të mirë. Nuk kishte aspak garanci që pankartat, qirinjtë, lulet, këngët dhe lutjet do të triumfonin mbi tanket dhe pushkët, do të triumfonin mbi muret dhe kufijtë. Për këtë nuk kishte garanci. Shumë lehtë, demonstratat mund të ishin përgjakur e të përfundonin në një tragjedi.

Sot nuk duhet ta harrojmë këtë fakt për të kuptuar guximin e jashtëzakonshëm të atyre njerëzve të viteve ‘90-‘91 për të kuptuar se mbi cilën frikë ata u ngritën sepse donin të jetonin në një shoqëri të lirë e të drejtë për të kuptuar dhe për të bërë të qartë për veten tonë se sa shumë u detyrohemi këtyre luftëtarëve të lirisë. Për të kuptuar se çfarë përgjegjësie na lind ne sot nga akti i tyre.

Të nderuara zonja dhe zotërinj, të mbajmë gjallë kujtesën e historisë sonë e ngjarjeve të hidhura dhe të gëzuara kanë një rëndësi të veçantë, sepse nuk mund të ketë pajtim pa kujtesë. Pajtim mund të ketë vetëm nëse vuajtjet e përjetuara dhe dhimbja e kaluar pranohen. Nëse kujtojmë se si retorika helmatisësh dhe thirrjet populiste i hapin rrugë e mizorisë.

Nga kjo historia jonë evropiane për mua lind një detyrim, që çdo ditë të veprojmë kundër kthimit, rikthimit të forcave që e kanë shkatërruar Europën, urrejtjes, urrejtjes ndaj të huajve që së bashku të veprojmë kundër këtyre forcave në mënyrë që të zgjidhim çdo ditë konfliktet në mënyrë konstruktive në tryezën e dialogut, që çdo ditë të luftojmë për lirinë dhe demokracinë, për paqen dhe mirëkuptimin ndaj dua t’ju them se vendi juaj dhe Serbia po afrohen kohët e fundit dhe ky afrim përputhet plotësisht me ketë frymë europiane. Me vizitën e tij në nëntor, kryeministri i vendit tuaj ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt mirëkuptimit në rajon dhe vizita e Kryeministrit Vuçiç para disa javësh, pasoi vizitën e Kryeministrit Rama në Serbi. Për këtë nismë dëshiroj t’ju përgëzoj juve, z. Kryeministër Rama.

Të dashur kolegë dhe kolege!

Mund të ndodhë që mes fqinjëve të ketë dallime në mendim, diferenca dhe interesat e ndryshme janë pjesë e jetës por e rëndësishme është se si zgjidhen ato. Ne në Europë, i zgjidhim ato me dialog dhe me konsensus. Ne europianët bisedojë aq gjatë derisa të kemi gjetur një zgjidhje. Shpesh ky proces është i mundimshëm. Madje mund të jetë edhe sfilitës dhe këtë më duhet t’ua them sinqerisht sidomos pas Samitit të fundjavës në Bruksel. Është me të vërtetë sfilitës ky proces.

Por cilado do të ishte alternativa?!

Cila është alternativa pa konsensusin dhe dialogun? A duhet të jetë vallë alternativa që më i forti t’i imponojë më të dobëtit alternativën e vet? Pra a duhet të jetë alternativa që konfliktet mos të zgjidhen me dialog, por me dhunë? Jo. Kjo nuk është alternativa. Nëse mendojmë për luftërat e së shkuarës, si konflikte të zgjidhura me forcë ushtarake dhe miliona njerëz kanë paguar me jetën e tyre, atëherë duhet t’i marrim me gëzim negociatat, bisedimet që mund të zgjasin me net të tëra.

Ndaj afrimi i kohëve të fundit ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, tregon se pavarësisht dallimeve në mendim, mund të krijohet një atmosferë miqësore, madje ju i keni intensifikuar kontaktet. Fakti që Shqipëria dhe Serbia duan ta shndërrojnë bashkëpunim mes tyre në motorin e bashkëpunimit rajonal, është një sinjal shpresëdhënës. Në këtë mënyrë, grupi i 6 kryeministrave të Ballkanit Perëndimor po shtron rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë. Marrëveshja për rrjetet e transportit është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Unë shpresoj që ju të filloni së shpejti me zbatimin e saj. Pasi një rrjet i tillë do të përshpejtojë rritjen e përbashkët të rajonit, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo politike e njerëzore.

Zonja dhe zotërinj!

Unë vetë jam rritur në një zonë kufitare. Sot e kësaj dite jetoj në kufirin e Gjermanisë me Holandën dhe Belgjikën dhe në jetën time kam mësuar diçka, që mënyra më e mirë për kufijtë është t’i hapësh ato për të zbehur vijat kufitare dhe për të zgjidhur çështjet e minoriteteve nëpërmjet hapjes së kufijve. Ndaj mund të them se angazhimi juaj për bashkëpunimin rajonal është shembullor dhe dua t’ju inkurajoj për të vazhduar më tej në rrugën e nisur dhe mos lejoni që të na ndajnë dhe të na nxisin kundër njëri-tjetrit. Duhet të qëndrojmë së bashku.

Duhet që bashkërisht të çlirohemi nga varësitë. Madje edhe përsa i përket çështjes së furnizimit me energji dhe sigurisë së furnizimit me energji. Ne në Europë duhet të bashkëpunojmë në këtë aspekt ngushtë me njëri-tjetrin për të zbehur varësinë prej të tjerëve, prej atyre vendeve që e përdorin çështjen e energjisë si presion politik. Bashkimi Evropian dhe Shqipëria kanë një përputhje të plotë porsa i përket objektivave përkatëse në këtë drejtim ndaj ju falënderoj për këtë gjë. Dhe do të kërkoja që të vazhdojmë të bashkojmë forcat për të punuar së bashku.

Siç e doni zonja dhe zotërinj, Parlamenti Evropian angazhohet për perspektivën europiane të Ballkanit perëndimor. Ne dëshirojmë që ky rajon të ecë drejt një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme, demokratike dhe në prosperitet. Në mars u zhvillua dialogu i pestë i nivelit të lartë lidhur me probabilitet kyç për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Një dialog i mbajtur nën kujdesin e veçantë të kryeministrit Rama dhe të Komisionerit Han.

Gjatë këtij takimi, komisioneri Han shprehu shqetësimin e tij për klimën politike gjithnjë e më konfliktual. Shprehu shqetësimin se tensionet e vazhdueshme në vendin tuaj përbëjnë një rrezik të madh për të gjithë procesin e reformave. Unë ndaj të njëjtat shqetësime me komisionerin dhe në shumë biseda , me shumë kolegë dhe kolege këtu ditët e fundit, pata mundësinë që të krijoja një përshtypje rreth vështirësive që ekzistojnë në vend edhe këtu në Parlament.

Ndaj i bëj thirrje klasës politike në Shqipëri që të veprojë në përputhje me 13 përfundimet e dialogut të nivelit të lartë, veçanërisht përsa i përket reformave në sistemin e drejtësisë, përsa i përket forcimit të një gjyqësori të pavarur, efikas dhe që mban përgjegjësi për vendimet e marra. Gjithashtu, përsa i takon krijimit të administratës publike që bazohet në parimet e ofrimit të shërbimeve. Institucionet e pavarura janë çelësi drejt një të ardhmeje të drejtë dhe plot me suksese. Sukseset e para në luftën kundër korrupsionit që janë arritur deri më tani, më bëjnë që ta inkurajoj edhe më tej qeverinë për të vazhduar reformën në këtë drejtim.

Të dashur kolegë dhe kolege,

Një çerek shekulli pas fillimit të Luftës së Parë Botore dhe 75 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore 28 vende kanë shprehur vullnetin e tyre për t’i përballuar së bashku sfidat, sepse ne ndajmë me njëri- tjetrin të njëjtat vlera dhe sepse së bashku, të bashkuar jemi më të fortë. Një çerek shekulli pas rënies së perdes së hekurt, sot disa vende të Europës Lindore dhe Qendrore, janë anëtarë me të drejta të plota, madje në role dhe në funksione drejtuese në Bashkimin Evropian.

Këto vende kanë zbatuar reforma mbresëlënëse, kanë ristrukturuar pothuajse plotësisht sistemet ekonomike dhe modelet shoqërore. Këto procese kanë kërkuar sakrifica të mëdha nga qytetarët e këtyre vendeve. Këto procese nuk kanë qenë dhe nuk janë të lehta, por Bashkimi Evropiane mban premtimin e dhënë ndaj karshi të gjithë atyre që përshkojnë me guxim rrugën e reformave. Parlamenti Europian mbështet të gjithë ata që ndjekin rrugën e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës, Parlamenti Evropian mbështet të gjithë ata që e kuptojnë pajtimin si çelës drejt sigurisë dhe është bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.

Ne deputetët e Parlamentit Evropian qëndrojmë në solidaritet përkrah të gjithë atyre qytetarëve në Shqipëri që duan të krijojnë një të ardhme paqësore e të përbashkët, që angazhohen për zbatimin e reformave dhe që i zgjasin fqinjëve dorën për pajtim, për të jetuar së bashku me respekt të ndërsjellë e në paqe. Ju falënderoj zonja dhe zotërinj që kisha nderin e veçantë për të folur përpara Asamblesë së Parlamentit, përpara Parlamenti të këtij vendi të madh.

14.07.2015

Burimi : LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.