Postuar me: 9:03 16-06-2012

Lazarat, në Polici 100 gra “punëtore” të hashashit

Shperndaje
Etiketat

Shoqërohen në polici “punëtorët” e drogës së Lazaratit. Rreth 100 pasagjerë të furgonëve që po tentonin të hynin në këtë fshat të Gjirokastrës janë marrë dje në Komisariatin e Policisë. Pas dyshimeve se një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë punësuar në Lazarat nga kultivuesit e drogës, policia ndërhyri për herë të parë me veprime konkrete. Falë një aksioni të befasishëm që është organizuar në orët e para të mëngjesit, forcat e Policisë së Gjirokastrës, ndihmuar nga ato të Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhura nga Fieri, kanë shoqëruar për në Komisariat rreth 100 persona nga qyteti dhe zonat përreth, të cilët dyshohet se janë punonjës në terren të mbjelljes së sasive narkotike, në fshatin Lazarat. Personat janë ndaluar të rrugëtonin në fshat, përmes furgonëve të linjës Gjirokastër-Lazarat pa dhënë më parë shpjegime mbi arsyet që i çojnë ata të shkojnë në fshatin rebel. Në bazë të deklarimeve të tyre të djeshme në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës, udhëtarët, pjesa më e madhe femra, nuk kanë pranuar në asnjë moment se ishin të punësuar në Lazarat në mbjelljen apo kultivimin e kanabisit. Sipas burimeve policore, të cilave u referohet gazeta “Panorama”, të shoqëruarve u është marrë deklaratë me shkrim se çfarë pune kryejnë në Lazarat dhe cilët janë punëdhënësit e tyre, duke u vënë në dijeni se në rast shkeljeje të ligjit, do të penalizohen. Mësohet se një pjesë e të shoqëruarve e kanë argumentuar rrugën për në Lazarat, pasi merreshen me punë në bujqësi, të tjerë me faktin se po shkojnë te të njohur e një pjesë thjesht për piknik në fshatin fqinj me Gjirokastrën. Megjithatë, sipas Policisë, në rast se do të rezultojë se qëllimi i udhëtimit të tyre në Lazarat është ai i kultivimit të kanabisit, atëherë penalizmi do të jetë i dyfishtë, ndërsa arrestimi i menjëhershëm. Prej disa vitesh ka të dhëna që drejt Lazaratit, në periudha të caktuara, shkojnë çdo ditë punëtorë që merren me mbjellje, ujitje apo më tej mbledhjen e bimës narkotike. Për një ditë pune paguhen me 2 mijë lekë të rinj. Ndërhyrja e djeshme e Policisë së Gjirokastrës është e para e këtij lloji, ndërkohë që transporti i dhjetëra personave përmes furgonëve të Lazaratit për në fshatin në fjalë, kryhet në mëngjes në zonën e poshtme të Gjirokastrës. Paralelisht me të, policia ka zhvilluar gjatë 3 muajve të fundit aksione të tjera për shmangien në maksimum të kultivimit të hashashit. Gjatë kësaj periudhe, janë bllokuar 17 kamionë me pleh organik, tre kamionë me baltë dhe dy autobote me ujë, të cilët kishin për destinacion kultivimin e hashashit nga persona të skeduar si kultivues të bimëve narkotike.

Droga, 24 lazaratas në hetim
“Për 24 banorë të Lazaratit ka nisur procedimi penal dhe do t’u konfiskohen asetet e përfituara kriminalisht nga kultivimi i hashashit”. Ky fakt u bë i ditur gjatë mbledhjes së djeshme në Prefekturën e Gjirokastrës, në prani të pushtetarëve vendorë dhe policisë vendëse, si dhe zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamet Rrumbullaku. Kryetari i komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, kërkoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit për izolimin e disa bashkëfshatarëve të tij, të cilët rezultojnë me precedentë penalë të cilët po tentojnë ditët e fundit të zaptojnë trojet publike për t’i mbjellë ato me hashash. Kryekomunari largoi përgjegjësinë nga vetja, duke u shprehur se kultivimi i bimëve narkotike në oborret e shtëpive të lazaratasve është përgjegjësi individuale dhe kushdo që do konstatohet dhe do kapet, do të përgjigjet ligjërisht. Nga ana e tij, Rrumbullaku theksoi faktin se policia i ka të gjitha informacionet mbi personat që po tentojnë të mbjellin drogën në oborre shtëpish apo prona publike, tek të cilët policia do të ndërhyjë energjikisht.

Burimi:Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.