Postuar me: 8:46 13-06-2012

Legalizimet, emrat e 2247 qytetarëve që marrin lejen

Shperndaje
Etiketat

Ministri Petrit Vasili dhe deputeti Edmond Spaho legalizojnë shtëpitë.

Lista zyrtare me përfituesit për 12 qarqe të vendit.

Qytetarët e 12 qarqeve të vendit kanë gati 2247 leje legalizimesh, të cilat duhet t’i tërheqin pranë drejtorive rajonale të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale. Nga Drejtoria qendrore janë bërë publike listat me emrat e qytetarëve që u legalizohet objekti i vetëdeklaruar, ku bien në sy edhe emrat e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe deputetit të PD-së, Edmond Spaho. Paraprakisht për këta qytetarë ka përfunduar procesi i shqyrtimit të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe po kështu është bërë edhe pagesa e faturës financiare që është nxjerrë nga përllogaritjet e kryera nga Agjencia. Pas dorëzimit të mandatit të pagesës nga ana e Agjencisë është bërë i mundur tashmë kalimi në fazën e fundit, që është dhënia e lejes së legalizimit. Qytetarët kanë tashmë të legalizuar objektin informal që kanë deklaruar më herët dhe kjo pasuri e paluajtshme tashmë mund të regjistrohet në hipotekë duke e bërë kështu qytetarin pronarin përfundimtar. Pas regjistrimit në hipotekë mundësohet edhe disponimi i tapisë, çka garanton përfundimin e plotë të procesit për një pasuri të paluajtshme.

Tarifat dhe afati
Në fund të majit qeveria bëri disa ndryshime në ligjin që sanksiononte tarifat e shërbimit për procesin e legalizimit. Ajo shtoi një tarifë të re prej 6 mijë lekësh si tarifë që lidhet me shërbimin e përgatitjes së dokumentacionit tekniko-ligjor për dosjet respektive të qytetarëve që kanë vetëdeklaruar ndërtimet informale. Më herët ligji përcaktonte pagesën e vetëm një tarife, që ishte ajo e shërbimit të përditësimit në terren, që ka vlerën 4 mijë lekë për çdo kat të objektit informal të ndërtuar apo shtesës pa leje. Po kështu, një ndryshim tjetër i rëndësishëm që lidhet me procesin e legalizimeve ishte edhe ajo e afateve për pagesat. Për faturat që Agjencia e Legalizimeve pret për qytetarë të caktuar që marrin shërbim pranë saj si për dokumentacion, si për përditësim në terren, afati i pagesës është ulur në 10 ditë. Më parë ky afat i lënë në dispozicion për pagesë ishte një muaj.

Per te pare emrat e qytetareve qe marrin legalizimet klikoni mbi: PDF

12.06.2012

 

Burimi: Gazeta Panorama, Nertila Maho

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.