Postuar me: 7:54 28-05-2012

Lesi-Kadaresë: Prano postin e presidentit

Shperndaje
Etiketat

Kreu i Lëvizjes Demokristiane, njëkohësisht zv.ministër i Kulturës, Nikollë Lesi i ka dërguar një letër të hapur shkrimtarit Ismail Kadare, përmes të cilës i kërkon të pranojë propozimin për të marrë postin e kreut të shtetit.

I madhi Kadare! 
Pa i rënë rrotull fjalës e që të mos e lodh lexuesin, edhe Ju, më lejoni t’ju drejtohem hapur: Duhet të pranoni kandidaturën e Presidentit të Republikës! Nuk mundet që Ju, në këtë katrahurë politike, ku vendi është shumë pranë statusit kandidat për në Bashkimin Europian, të refuzoni apo të rrini duke e vrojtuar nga larg zjarrin që po vjen, zjarr që do të djegë edhe për disa vite ëndrrat e shqiptarëve, për ato ëndrra e për atë shpirt për të cilin ju keni shkruar e derdhur në art, art për të cilin, çdo shqiptar, krenohet kur përmend emrin tënd, ISMAIL KADARE.

Nuk mundet të heshtni apo të refuzoni, nuk mund të pini kafen e mëngjesit i qetë apo të shkruani ndonjë vepër të madhe, edhe këto ditë, kur me sa shikojmë, të gjithë po turremi me vrap drejt greminës se nuk kemi emër apo se nuk duam të merremi vesh për emrin e numrit një të shtetit shqiptar. Si mund të flini i qetë, nëse flini, kur edhe në rrugën tuaj ku banoni, do të dëgjoni britma sherri apo do të kaloni pa e vrarë mendjen për politikën, duke menduar skicën e një libri të ri brilant, siç dini vetëm ju të shkruani? Nuk mundet të rrini mënjanë, ndonëse Ju mund të thoni, siç keni thënë se jeni larg politikës dhe i përkisni botës së letrave, kulturës së kombit. Si mund të rrini e të refuzoni për President i gjithë shqiptarëve, ku nuk ka shqiptar, i cili ndihet më europian e më njeri, kur thotë emrin tuaj, aq më tepër kur jeni jashtë në Perëndim. Emigrantët, atyre iu shkëlqejnë sytë e ndihen britanikë, amerikanë, francezë, gjermanë, italianë e spanjollë në sensin e kulturës e dinjitetit, pasi jeni edhe Ju që na keni lartësuar. Natyrisht që Ju keni dalë nga ne, nga ky vend që po përpiqet, përditë e nga pak, të lartësojë vetveten; porse a mund ta vini në punë imagjinatën tuaj shekspiriane nëse pranoni kandidaturën e Presidentit të Republikës.

Provojeni njëherë sikur jeni President, bisedoni me vetveten dhe me ndërgjegjen tuaj shqiptare, të përzier me atë franceze. Nuk ka njeri që nuk përulet para jush, jo në sensin e servilizmit, por të respektit për institucionin e lartë të Presidentit të Republikës. Çdo njeri, çdo politikan nuk ka nga të shkojë e do të dridhet në sensin e shtetit kur do të mendojë se do të trokasë në zyrën e kryetarit të shtetit, aty ku mund të jeni Ju. Ky do të ishte shans i madh për ne, shqiptarët, por edhe për Ju, i dashur, i madhi Kadare. Nëse për çdo emër, sado të mirë që mund të gjendet në politikë, porse politika do ta hajë e do ta masakrojë, tek Ju nuk mundet të përdoret kosa e masakrës së përditshme politike. Ju i shërbeni shtetit, shqiptarëve e jo politikës së konflikteve apo pazareve të kulisave që janë bërë modë vitet e fundit. Ju mund të thoni se jam mirë kështu, i nderuar e i respektuar e përse të bëhem “shoshë” nga “plumbat” e politikës?! Epo, nëse ndodh kjo, që edhe mund të ndodhë, atëherë ajo politikë apo ai politikan që do të ngrejë dorën e sulmit ndaj Jush ka prerë biletën e pensionit ose edhe më keq, atë të mërisë popullore.

I DASHUR KADARE !
Ju mund të thoni se po fluturoni në botën e hamendjeve, pasi, edhe nëse unë dua, ende nuk kam propozim publik nga ata që kanë të drejtë të më propozojnë. Gaboheni ose gjeni mënyrën për të gabuar, duke mos pranuar! Edhe ata që mundet të mos duan brenda vetvetes janë të detyruar të vijnë tek Ju, pasi kanë pas vetes qindra e mijëra shqiptarë, të cilët, nesër janë vota. Dhe çdo votë është një njeri, një njeri që Ju nuk lejoni që vota t’i vidhet, që vota të merret e të keqpërdoret nga pushteti. Në fund të fundit, Ju duhet ta jepni një mesazh, për ne, shqiptarët, se jeni gati të sakrifikoni diçka nga jeta juaj duke u vënë në krye. Dikush mund t’ju ketë thënë se është një stërmundim, porse nga stërmundimi, nganjëherë, mund të dalin veprat e mëdha edhe në fushën e letrave, i dashur Kadare. Nëse e pranoni, do t’i bënit një të mirë jo vetëm popullit e vendit, por edhe krejt politikës. Politika do të bëhej më elokuente e më njerëzore. E detyruar, porse do të bëhej në pak vite, e tillë, siç ju thashë, pasi nuk mund të thuhet nesër nga asnjë politikan asnjë fjalë kundër Presidentit Kadare. Se të gjithë e dinë mirë se kur flet Kadare nuk ka folur interesi personal apo klanor, por ka folur Kryetari i Shtetit. Në të vërtetë kanë folur edhe ndonjë President në këto 21 vite, me shpirt e me ndërgjegje shtetari, porse ose është akuzuar ose nuk është besuar deri në fund me hamendjen se “për kë po luan”.

Ndërsa për Ju nuk mundet të ketë hamendje të tilla diversive. se Ju i përkisni tjetër bote, asaj të drejtësisë, të shpirtit të madh, ose më saktë atje ku duam të gjithë të jemi, në një botë më të drejtë. Dikush mund të thotë se janë tone letrare apo hiperbolike këto që unë po përdor. Mundet, porse a nuk kemi të drejtë të kërkojmë më shumë e për më mirë? Ndaj Ju, i madhi Kadare, duhet të pranoni ose edhe vetofroheni për President se i bëni nder Shqipërisë, por edhe vetes Tuaj. Fjala vetofrim mund të ketë marrë një konatacion të keq gjatë këtyre muajve qëkur u vetëofrua një njeri me emrin Fatos Nano, porse harrojeni atë, siç edhe e kemi harruar të gjithë. Nganjëherë del një ambasador dhe ia lakon emrin dhe bën gabimin më të madh diplomatik, pasi zoti Nano, dikur e në njëkohë, akuzohej nga ata që sot edhe mund ta propozojnë si “njeri që korrupton çdo njeri e çdo ambasador”. Dikur!

I DASHUR KADARE !
Unë jam njeri i lirë në këtë vend të bukur, por herë pas here të rrëmujshëm, rrëmujë që vjen vetëm nga politika. Ndaj politika ka nevojë, si dhe vetë shqiptarët, të kenë, më në fund një njeri me vlera botërore, siç jeni Ju.

Burimi:Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.