Postuar me: 13:21 24-05-2012

Lezhë, grabitet natën me armë e maska e moshuara në Balldren

Shperndaje
Etiketat
lezhe-gruaja-e-grabitur-ne-balldre

lezhe-gruaja-e-grabitur-ne-balldre

LEZHE- Grabitet me armë e maska e moshuara që jetonte e vetme. Rreth orës 22:00 të së premtes, në fshatin Balldren të Lezhës, persona ende të paidentifikuar janë futur në banesën e shtetases Leze Gjoni, duke i grabitur një shumë parash, si dhe sendet me vlerë të saj. E dëmtuara, e cila është lënë e lidhur nga autorët, rrëfeu panikun e përjetuar, ndërsa ndihet e frikësuar se ngjarja mund të përsëritet. 60-vjeçarja, nënë e tre fëmijëve jetonte e vetme, pasi dy fëmijë i kishte të martuar, ndërsa djalin e tretë të familjes e kishte emigrant. “Isha e vetme në shtëpi, sapo kisha mbaruar darkën. Dëgjova zhurmë jashtë, por nuk mendova se mund të ishin grabitës. Dola tek dera, por nuk pashë gjë. Dola sërish, pasi vura re se ishte fikur llamba jashtë. Sapo dola, pashë një person të maskuar, i cili më vuri dorën në gojë. Më tha që të mos bërtas, në të kundërt do të më vrisnin. Më shtyu brenda dhe më shtriu në dysheme”, u shpreh gruaja e moshuar, e cila vijon të përjetojë momente paniku e frike për ngjarjen që i ndodhi në banesë. Ajo dyshon se autorët janë banorë të zonës, të cilët kanë qenë në dijeni se jetonte e vetme. “Pas atij që më mbylli gojën, një tjetër person po me maskë u fut brenda. Ishte me një çantë të zezë dhe me armë në dorë. Më ulën në divan dhe më thanë që të mos nxjerr zë. Nisën kontrollin, më morën paratë që kisha, por nuk ishin shumë, si dhe më hoqën unazat, orën dhe varëset e arit që kisha”, u shpreh më tej e moshuara. Sipas saj, personi i dytë iu drejtua shokut të tij duke i kërkuar që ta vrisnin, por ai e kundërshtoi. E gjendur në këto kushte dhe nën kërcënimet e vazhdueshme të dy personave me maskë dhe armë, ajo është detyruar të mos lëshojë zë për të kërkuar ndihmën e fqinjëve. “Menduan se kisha shumë para dhe po më kërkonin me ngulm që t’ua dorëzoja ato. Unë po u thosha se nuk kisha para, pasi jetoja e vetme, por ata nuk po bindeshin. Njëri prej tyre shkoi në dollapin e rrobave dhe gjeti një çantë. Morën ato pak para që kishte aty”, u shpreh më tej e moshuara, e cila i kërkon ndihmë Policisë. Sipas saj, pasi grabitësit morën ato gjera me vlerë dhe paratë e saj, u larguan. Por ata e lanë të lidhur atë, duke i bërë të ditur se do të zgjidhej vetë pas përpjekjeve që do të bënte. Pas përpjekjeve për rreth 30 minuta, ajo ka mundur të zgjidhet dhe të kërkojë ndihmë tek një fqinj i saj. Ata sinjalizuan edhe Policinë, e cila mbërriti në vend dhe mësohet se kanë nisur hetimet, ndonëse blutë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht ngjarjen e ndodhur.  Gjon Baka, banor i fshatit Balldren, i bëri apel Policisë të jetë më shumë e pranishme dhe të patrullojë më shumë këtë zonë.

Burimi:Gazeta Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.