Postuar me: 11:44 11-06-2012

Lidhja e Prizrenit: Shqipëria e Kosova, së bashku në festime

Shperndaje
Etiketat

Kryeministrat Berisha e Thaçi: Kombi jeton ditët më të mira të historisë së vet

Me rastin e 134-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, përkujtuan dhe vlerësuan lart personalitetet dhe ideologët e formimit të kësaj lidhjeje si Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Hasan Prishtinën, Sylejman Vokshin e shumë të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaroi se shumë patriotë në atë kohë me mençuri dhe vizion reaguan përballë rreziqeve që cenonin ekzistencën e popullit shqiptar.

“Pavarësia e Kosovës në shekullin XXI e korrigjoi padrejtësinë historike ndaj shqiptarëve në fillim të shekullit XX. Pavarësia e Kosovës i dha kuptim edhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pavarësia e Kosovës i dha kuptim edhe pavarësisë së Shqipërisë. Pavarësia e Kosovës e forcoi kombin shqiptar. Në 134-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, më 2 korrik 2012, Kosova përfundimisht e përmbyll fazën e pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Thaçi.

Ndërsa, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se Lidhja e Prizrenit përbën mrekullinë më të madhe të të gjitha kohëve. Ai tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon ngjarjen më kulmore pas luftërave të Skënderbeut.

Berisha theksoi se personalitete shqiptare të asaj kohe u mblodhën në këtë vend për synimin që kishin, një komb, një qëndrim.

“Ata do të mblidheshin këtu të bindur se bashkimi i kombit ishte rruga e vetme për t’u përballur me mynxyrat që gatuheshin në Shën Stefan në Berlin dhe në kancelaritë e tjera të Europës së asaj kohe”.

“Lidhja e Prizrenit ia doli të përballet me pushtetet dhe vullnetet e liga të superfuqive të kohës; të krijojë ushtrinë shqiptare pas katër shekujsh të ushtrisë së Skënderbeut; të krijojë diplomacinë shqiptare pas katër shekujsh të diplomacisë së Skënderbeut”, theksoi Berisha.

Shefi i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, tha se shqiptarët me qëndresën dhe pjekurinë e tyre më në fund, kanë krijuar miq të fuqishëm, ndikimi i të cilëve shtrihet në përmasa globale.

“Shqiptarët, kurrë në historinë e tyre, nuk kanë pasur pozicion më të mirë. Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës është dëshmia më e mirë se shqiptarët janë faktor vendimtar në rajonin e Ballkanit, si një ndër kombet më të mëdha dhe më të fuqishme”.

“Në aspektin historik, gjeografik dhe kulturor, populli shqiptar ka qenë gjithmonë popull europian. Synimi për anëtarësim të Kosovës dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, është kërkesa dhe synimi më i natyrshëm i shteteve tona”, u shpreh Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë nga Prizreni ftoi fqinjët që, siç tha ai, t’i lënë paragjykimet për shqiptarët. “Nga Prizreni edhe një herë dua të ftoj fqinjët tanë të çlirohen nga paragjykimet ndaj shqiptarëve. T’i lënë me një anë betimet mbi ne, se dhe të tjerët kanë bërë mjaft të tilla dhe u kanë shkuar huq. Të përpiqemi së bashku të ndërtojmë atë të ardhme, të cilën e kërkojnë popujt tanë. Të përpiqemi së bashku të ndërtojmë të ardhmen europiane si e ardhmja më e shkëlqyer”, theksoi Berisha.

Nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 – 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në Kuvendin shqiptar, të mbajtur në Prizren, më 10 qershor 1878. Sipas të dhënave historike, qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar, që do të mbulonte vilajetet otomane të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

 

Radikalët

Takohen Albin Kurti dhe Kreshnik Spahiu

Pëervjetori i 134-t i Lidhjes së Prizrenit u ka shërbyer për një takim krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje të Kosovës dhe Aleancës Kuq e Zi të Shqipërisë. Kreshnik Spahiu dhe Albin Kurti, të vetmit politikanë që kërkojnë hapur dhe me forcë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, kanë drekuar dje në Prizren, pas ceremonive me rastin e kremtimit të përvjetorit të Lidhjes. Burime pranë takimit bënë me dije për gazetën Shqip se dy politikanët kanë ndarë të njëjtat shqetësime dhe të njëjtin vizion sa i përket të ardhmes së dy shteteve shqiptare. Në takim është rënë dakord që dy forcat politike, Vetëvendosja dhe Aleanca Kuq e Zi të bashkërendojnë veprimet e tyre në kuadër të qëllimit për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm.

11 Qershor 2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.