Postuar me: 13:25 22-11-2015

LSI, faqe online për transparencën mbi financimin e partisë. Luan Rama: Transparenca ndaj publikut dhe shërbimi ndaj qytetarëve, prioritet i LSI (Burimi: LSi, www.lsi.al)

IMG_4311

LSI, faqe online për transparencën mbi financimin e partisë

Deklaratë për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Luan Rama.

Luan Rama: LSI faqe online për transparencën mbi financimin e partisë.

Luan Rama: Transparenca ndaj publikut dhe shërbimi ndaj qytetarëve prioritet i LSI.

Luan Rama: Për çdo veprimtari të LSI-së do të publikohet fatura financiare brenda 2 ditëve.

Luan Rama: Transparenca e burimeve financiare standard europian i LSI-së.

Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet Kryesisë së saj, ka marrë një vendim të rëndësishëm dhe padyshim me shumë përgjegjësi dhe seriozitet. Duke reflektuar pas këtij vendimi, ne kemi ndërmarrë edhe hapat konkretë që kanë të bëjnë me realizimin funksional të transparencës së plotë të të gjithë skemës së financimit të partisë. Natyrisht çështja e transparencës së fondeve, me të cilat mbahen apo funksionojnë partitë politike, çështja e transparencës së sistemit politik në Shqipëri, është një çështje shumë e ndjeshme. Është një çështje e ndjeshme dhe që kërkon reflektim dhe reagim të menjëhershëm për t’iu përgjigjur interesit publik dhe për të qenë në sytë e publikut me gjithçka ka të bëjë jo thjesht me aksionin politik, apo me funksionimin organizativ të strukturave të Partisë, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe me mënyrën e financimit apo të administrimit të fondeve publike apo fondeve të tjera që partitë marrin nëpërmjet mekanizmave që burojnë nga ligji për financimin e partive politike.

Për këtë qëllim, Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim vendosi dhe, që nga ky moment që po flasim bashkë, ne kemi të gatshme, kemi online në faqen zyrtare të LSI-së në internet hapësirën e posaçme për të dhënat që kanë të bëjnë me buxhetin e partisë. Jo vetëm kaq, por ne në mbledhje e djeshme kemi miratuar buxhetin e partisë për vitin që vjen dhe gjithçka ka të bëjë me këtë buxhet. E gjithë dinamika e lëvizjes financiare, të ardhurat që vijnë nga buxheti për shkak të të qenit parti parlamentare, por edhe të ardhurave që ne realizojmë nga kuotat apo nga kontributet që japin anëtarët, militantët apo simpatizantët e partisë, gjithçka do të jetë online. Çdo aktivitet, çdo veprimtari politike publike apo e strukturave të partisë të çdo lloj natyre qoftë, do të jetë në sytë e publikut edhe përsa i përket anës së mbështetjes financiare. Dhe jo më vonë se dy ditë pasi të jetë realizuar aktiviteti, ju do të keni online në faqen tonë të internetit, të gjitha faturat e shpenzimeve të realizuara bashkë me kuponin tatimor natyrisht, për çdo aktivitet në nivel qendror apo në nivel lokal të LSI-së apo të LRI-së, të LGI-së apo të çdo grupimi tjetër që do të ketë aktivitet nën logon apo nën kujdestarinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Natyrisht me këtë gjë ne nuk po bëjmë ndonjë çudi, thjesht po aplikojmë një standard demokratik, thjesht po institucionalizojmë instrumentet apo mekanizmat e transparencës ndaj publikut edhe për sa i përket anën financiare dhe vendosim në këtë mënyrë një standard të domosdoshëm edhe në respekt të rekomandimeve të herë pas hershme të bëra nga OSBE/ODIHR dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

Lufta për dekriminalizimin, lufta kundër evazionit fiskal, lufta për pastrimin e politikës nga çdo element apo nga çdo shfaqje që e kontaminon atë, natyrisht është komplekse, është e rëndësishme, është serioze. Dhe Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar jo vetëm të jetë në avangardë të këtij procesi, por të ofrojë dhe shembullin e vet, modelin e vet evropian sesi funksionon korrelacioni apo bashkëpunimi me publikun, dhe me institucionet edhe përmes institucionet të transparencës.

Transparenca, e shoqëruar me partneritetin me qytetarin, natyrisht janë armët e forta, janë instrumentet ligjorë dhe demokratikë që përdor LSI-ja dhe që çojnë e do të çojnë edhe më tej në rritjen, në konsolidimin e rritjes dhe të mbështetjes së vazhdueshme të qytetarëve shqiptarëve për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Pyetje nga gazetarët

Në platformën që LSI prezantoi dje, ju shpallët nismën për mbajtjen e biznesmenëve larg përfaqësimit politik. A e cenon kjo platformë marrëdhënien me aleatin tuaj në qeveri, pasi dihet se në PS ka shumë biznesmenë?

Së dyti, pse LSI-ja zgjodhi pikërisht këtë moment për të bërë transparent buxhetin e partisë? LSI ka shumë vite që është krijuar, pse nuk e ka ndërmarrë më përpara një hap të tillë?

Pyetja e dytë që ju bëtë pse pikërisht në këtë moment dhe përse nuk e keni bërë më parë. E para, ky moment është fundi i vitit, është periudha që bëhen bilancet e një viti që po presim ta mbyllim dhe në praktikën më të mirë të mundshme ne po aplikojmë këtë standard, duke shpallur që tani buxhetin e vitit 2016.

Kjo është praktika që ndiqet edhe në shtet aktualisht. Në qeveri, në Kuvend është në proces diskutimi projektbuxheti për vitin që vjen. E dyta, ne po vendosim një standard të ri të komunikimit transparent edhe përmes faqes sonë në internet pasi raportet, bilancet e buxhetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të ardhurat që realizon Lëvizja Socialiste për Integrim nga të gjitha burimet ligjore që ato vijnë janë, aktualisht online prej shumë kohës në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila është trupa që bën auditin dhe vlerësimin për mënyrën se si realizohen apo se si administrohen fondet që vijnë nga Buxheti i Shtetit. Por edhe të ardhurat e tjera që realizohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Përsa i takon pyetjes suaj të parë, dua të saktësoj që vendimi ynë i djeshëm nuk penalizon biznesmenët si grup social, nuk distancon LSI-në nga biznesmenët sepse ata janë pjesë integrale e strukturave tona, pro mbi të gjitha janë pjesë e vëmendjes sonë në gjithë investimin politik, qeverisës dhe ligjvënës që ne bëjmë. Por ne kemi kufizuar hapësirat që biznesmenët të jenë pjesë e strukturave përfaqësuese të LSI-së në respekt të disa parimeve që kanë të bëjnë me investimin që bën çdo individ që kërkon të angazhohet në një strukturë apo në një veprimtari politike dhe publike.

Çfarë dua të them? Karriera në parti është natyrisht shumë e rëndësishme dhe ajo ka nevojë për kohën e vet dhe atributet e përfaqësimit politik të një force politike, në rastin konkret të LSI, kushtëzohen prej një mori vlerash që duhen përmbushë kandidati që vendoset në listën për të kandiduar për atributet e përfaqësimit politik dhe publik të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nga kjo pikëpamje, ne kemi vendosur disa raporte që janë detyrim statusor, siç është detyrimi për të qenë 50 për qind femra në çdo listë kandidimi dhe në çdo trupë përfaqësimi të Lëvizjes Socialiste për Integrim, hapësirat e të rinjve gjithashtu që janë të lidhura me rolin dhe peshën specifikisht shumë të rëndësishme që luan LRI në radhët e LSI dhe nga kjo pikëpamje, brenda këtij grupimi natyrisht kanë vendin e tyre dhe ata që vijnë nga bota e biznesit. Por ne nuk do të jemi parti që përfaqëson në strukturat e saj politike apo në strukturat e përfaqësimit në qeverisjen procesin legjislativ apo gjithkund tjetër me biznesmenët të cilësuar si të tillë, pra në kuptimin përfaqësues të biznesit. Ata do të jenë përfaqësues politik të LSI-së, por kemi kufizuar hapësirat që ata do të jenë të respektuar, janë të respektuar, pro janë të ndara detyrat , do të jenë të ndara edhe për ato përgjegjësitë siç do të jenë të ndara edhe atributet e përfaqësimit.

Meqenëse z. Ylli Manjani është zgjedhur Ministër i Drejtësisë dhe më parë ka qenë i ngarkuar me detyrën e zëdhënësit të LSI-së për procesin e reformës në drejtësi. A do të vijojë ai të ketë sërish këtë përgjegjësi apo do të zëvendësohet?  

Padyshim z. Manjani që është emëruar Ministër i Drejtësisë, e ka përgjegjësi shtetërore tashmë, realizimin me sukses të plotë të reformës në drejtësi duke patur parasysh faktin që ky institucion, pra Ministria e Drejtësisë është institucioni lider i procesit. Nga kjo pikëpamje duke qenë se ajo drejton politikat, harton drejton miraton dhe zbaton politikat që kanë të bëjnë me krijimin e drejtësisë evropiane dhe në Shqipëri, padyshim që përgjegjësitë e tij janë të drejtpërdrejta, janë edhe më të mëdha, duke qenë se ai është edhe nënkryetar i LSI dhe harmonizimi i këtyre përgjegjësive do të çojë në kurorëzimin me sukses dhe në përmbushjen me sukses të reformës në drejtësi si momenti më i rëndësishëm që lidhet jo thjesht e vetëm me çeljen e negociatave në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, por çfarë është më e rëndësishmja për të krijuar standardin e drejtësisë efektive, e drejtësisë së ndershme bazuar në zbatimin e ligjit që qytetarët shqiptarë të jenë edhe në raport me drejtësinë po aq europianë sa janë qytetarët e tjerë të Bashkimit Evropian.

22.11.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.