Postuar me: 13:20 16-06-2012

Maria 17 vjeçe u qëllua pas shpine

Shperndaje
Etiketat

Një plumb i vetëm i përshkoi gjithë trupin, nga veshkat doli në kokë. Identifikohen vrasësit

Vëllai i Maries, Gjoka, është duke vuajtur dënimin për vrasjen Ndoc Prroit, në vitin 2010

Maria Cuku, 17 vjeçe, u qëllua pa paralajmërim nga mbrapa prej hasmëve, edhe pse vëllai i saj ishte duke vuajtur dënimin në burg për vrasjen që kishte bërë përpara dy vjetësh. Një ditë pas vrasjes së dyfishtë në Dukagjin, policia ka zbardhur motivet e krimit dhe ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorët, tre meshkuj të familjes Prroi. Sipas policisë, personat e dyshuar për vrasjen e dyfishtë janë dy vëllezër dhe xhaxhai i tyre. Policia e Shkodrës nuk ka zbuluar identitetin e plotë të të dyshuarve, por ka bërë të ditur dje vetëm inicialet e tyre. Në njoftimin zyrtar që u shpërnda dje për mediat, thuhej se personat e shpallur në kërkim për vrasjen e Marie Cukut dhe Kolë Cukut janë A. Prroi, 27 vjeç, V.Prroi, 43 vjeç dhe A. Prroi, 32 vjeç.

Si ndodhi vrasja

Pas marrjes së raporteve nga mjekësia ligjore dhe pas përfundimit të ekspertimit të vendit të ngjarjes, grupi hetimor i ngritur për këtë çështje ka arritur në përfundimin se shënjestër e gjakësve ka qenë shtetasi Kolë Cuku, 70 vjeç, ndërsa vajza 17 vjeçe është goditur aksidentalisht. Grupi hetimor ka bërë edhe një rindërtim të skenës së krimit, nga ku ka rezultuar se dy viktimat kanë qenë shumë pranë me njëra-tjetrën, në arën e mbjellë me misër dhe duke qenë se janë qëlluar me breshëri automatiku, plumbat kanë prekur si vajzën, ashtu edhe gjyshin.

Në raportin e mjekësisë ligjore thuhet se shtetasi Kolë Cuku ka marrë tre plumba në pjesën e gjoksit dhe ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spitalin rajonal të Shkodrës, ndërsa vajza 17 vjeçe, Maria, është goditur nga një plumb vdekjeprurës që i ka përshkruar fillimisht veshkën, por duke qenë se vajza ka qenë e përkulur, duke punuar në arë, ka bërë që plumbi i hyrë në pjesën e pasme, të përshkojë gjithë trupin dhe të dalë në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Po sipas burimeve nga policia rezulton se dy viktimat janë qëlluar nga një distancë relativisht e afërt dhe se në kryerjen e këtij krimi janë përfshirë tre persona që dyshohet se janë tre meshkuj të familjes Prroi.

Gjakmarrja

Vrasja nga meshkujt e familjes Prroi, sipas policisë, është bërë për motive gjakmarrjeje. Familja Prroi ka marrë kështu gjakun e Ndoc Prroit, i cili është vrarë në vitin 2010 në moshën 62-vjeçare, nga Gjokë Cuku dhe Kolë Cuku, djem xhaxhallarësh. Policia sqaroi se njëri nga autorët e vrasjes së vitit 2010, 23-vjeçari Gjokë Cuku, ishte vëllai i vajzës 17-vjeçare që u vra të enjten.

Pasi ka kryer krimin, 23-vjeçari Gjokë Cukaj është arrestuar nga policia dhe aktualisht po vuan dënimin.

Konflikti mes dy familjeve që janë fqinje me njëra-tjetrën ka nisur fillimisht për një vijë uji dhe sherri më pas ka vazhduar kur familja Cuku është shprehur se familja Prroi i kishte borxh. Më pas situata ka ardhur duke u acaruar dhe dy vite më parë, para se të ndodhte krimi, të dyja palët janë shoqëruar në polici për sqarime. Megjithatë konflikti nuk është shuar dhe më 7 korrik të vitit 2010, Gjokë Cuku qëlloi për vdekje Ndoc Prroin dhe sot nga dy palët numërohen tri viktima, mes të cilave edhe një femër.

VRASËSIT

Policia ka identifikuar si autorë të vrasjes së dyfishtë tre anëtarë të familjes Prroi, dy vëllezër dhe xhaxhain e tyre

 

Hetimi

Konkluzionet

Mënyra se si hetuesit e kanë paraqitur momentin e vrasjes e lehtëson pozitën e vrasësve, të cilët mund të mos akuzohen për dy vrasje me paramendim, por për një vrasje me paramendim dhe një vrasje nga pakujdesia. Gjithsesi, hetimet janë ende në proces dhe të dhënat e deritanishme janë vetëm paraprake.

16.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.