Postuar me: 12:35 14-06-2012

Maxhoranca lëshon pe, moratoriumi i skafeve rikthehet për diskutim

Shperndaje
Etiketat

Maxhoranca duket se do të lëshojë pe përsa i përket nismës së opozitës për moratoriumin e skafeve. Deputetët  Metalla, Dashamir Tahiri dhe Koka kanë dorëzuar në Kuvend një amendim që propozon lejimin e jahteve, barkave motorike, por jo gomoneve.

Në seancën e sotme parlamentare, kryetarja Topalli tha se do të shtynte diskutimin e nismës së PS-së sepse ishte një amendim nga deputetët Koka, Metalla dhe Dashamir Tahiri, të cilët kanë kërkuar që nisma të kalojë edhe një herë në Komisionin e Ligjeve.

Ndërsa kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, u shpreh se heqja e nismës së socialistëve nga rendi i ditës ka të bëjë me mungesën e kuorumin të PD-së për ta votuar.

“Ju hoqët nga axhenda e Kuvendit nismën e PS-së për moratoriumin e skafeve. Meqenëse kolegët e PD-së mund të kenë propozime, nuk do të thotë se duhet hequr nisma… Ju s’keni kuorum, prandaj gjeni mënyra për ta hequr nga axhenda, ndërsa keni premtuar se do të jeni avokat i opozitës”, iu drejtua Ruçi Topallit.

Moratoriumi i skafeve, Komisioni i Ligjeve rrëzon nismën e PS-së  

Mbledhja e Komisionit të Ligjeve, dy ditë më parë, është shoqëruar me debate mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës në lidhje me moratoriumin e skafeve. Deputetët e maxhorancës kanë votuar kundër nismës së socialistëve për heqjen e moratoriumit.

Deputeti Saimir Tahiri e ka cilësuar të pabazë kundërshtimin e nismës së PS-së. “Nisma e grupit të PS-së kundërshtohet në mënyrë të pabazë. Trafiqet bëhen edhe në rrugë të tjera, bllokoni edhe rrugët si keni bllokuar detin”, tha Tahiri.

Ndërsa deputeti demokrat Tritan Shehu është shprehur se moratoriumi është një masë parandaluese për trafiqet. “Të mos krijojmë sërish damkat që kishte prej vitesh në sy të të huajve Shqipëria”, tha Shehu.

Moratoriumi i skafeve, i vendosur gjashtë vjet më parë, ka qenë shpesh temë debati mes maxhorancës dhe opozitës.

Në argumentimin e Partisë Socialiste, moratorium i skafeve dëmton zhvillimin turistik e ekonomik të Shqipërisë veçanërisht në periudhën e verës, ndërsa maxhoranca ngul këmbë në mbajtjen e tij si masë për të parandaluar trafiqet me skafe drejt vendeve fqinjë.

14.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.