Postuar me: 9:44 14-06-2012

“Më qëlluan nga brenda Kryeministrisë”

Shperndaje
Etiketat

Procesi “21 janari”, i plagosuri Artes Dybeli: Isha rastësisht në protestë

Dëgjoja zhurmë dhe krisma, por gjatë gjithë kohës kam menduar se ishin plumba manovër dhe jo të vërtetë

Një nga të plagosurit gjatë demonstratës së “21 janarit”, Artes Dybeli, ka treguar para Gjykatës së Tiranës se është qëlluar me armë zjarri, duke pohuar se drejtimi i qitjeve është kryer nga zona brenda rrethimit të Kryeministrisë. Dybeli ka deklaruar se nuk ishte pjesë e demonstratës së Partisë Socialiste, por thjesht po qëndronte në bulevard pranë dy kullave për të parë ngjarjen, ndërsa vetëm 20 minuta, pasi kishte mbërritur përpara ndërtesës së qeverisë, është plagosur nga plumbat që erdhën nga oborri i Kryeministrisë. “Kam qenë rreth një metër e gjysmë larg trotuarit, mes Gjykatës Kushtetuese dhe Kullave. Rreth orës 13:30 pashë makinën tip ‘Benz’ që tentoi të futej te dera e Kryeministrisë. Pas katër, ose pesë sekondash kam dëgjuar breshëri automatiku. Në fillim mendova se ishin fishekë manovër, por pastaj e pashë veten të plagosur, pasi një plumb më kishte kapur në fyt dhe tjetri në shpatull”, pohoi dëshmitari në gjykatë, duke pohuar se disa persona, të cilët nuk i njihte, më erdhën në ndihmë dhe gjetën një makinë të policisë me të cilën më transportuan në Spitalin Ushtarak. Dybeli deklaroi se nuk ishte ngjitur në ndonjë lartësi, as në trotuar, në momentin që është plagosur, duke dhënë perceptimin personal se plumbat që e goditën kanë ardhur nga oborri kryeministror dhe nuk janë qëlluar në ajër, por me drejtim nga turma. Më pas ai i është marrë në pyetje nga avokatët e të pandehurve. Ai ka tha se nuk njihte asnjë nga të pandehurit dhe se nuk kishte mund të dallonte nëse ndonjë prej tyre e kishte qëlluar me armë zjarri. Por sipas prokurorit të çështjes nuk mund të flitet për identifikim të personave, për sa kohë që të gjithë punonjësit e Gardës atë ditë kanë qenë të pajisur me skafandra. Prokuroria ka thirrur rreth 90 dëshmitarë, mes tyre deputetë të Partisë Socialiste, efektivë të Gardës së Republikës si edhe pjesëtarët e grupit të zjarrit, të cilët kanë qenë të akuzuar për ngjarjen e 21 janarit, por më pas u liruan nga akuzat. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha, vendosi që seanca e radhës të zhvillohet në datën 20 qershor në orën 11:00, ku do të dëgjohen 14 dëshmitarë të tjerë.

 

Dëshmia e Artes Dybelit

Kam pas punuar në një firmë private hidrosanitare dhe rreth orës 16:00 isha duke u afruar në demonstratë, pasi në zonën e piramidës kisha lënë një takim me një shokun tim, Erald Karaj, për të pirë një kafe. Si fillim u takova në trotuarin përballë piramidës me shokun dhe më pas bashkë me të jam nisur për të dalë nga krahu i rrugës përballë, kullave binjake, dhe ishin duke pritur dhe një shok tjetër për të parë demonstratën më pas në njërin nga lokalet që ndodhet lart në kullat binjake. Në momentin që po prisnin personin tjetër isha në një rrugicë që ndodhet ndërmjet Kuvendit dhe kullave binjake. Aty ishte ora rreth 16:15 dhe në momentin që makina tip “Benz” tentoi të futej në Kryeministri, diçka më pak se 5 sekonda unë jam qëlluar me dy plumba. Pastaj për momentin, nuk kuptova se me çfarë u qëllova dhe se në këtë kohë po dëgjoja zhurmë të madhe nga krismat e armëve, por të them të drejtët kam menduar se ishin plumba manovër, pasi kështu dëgjoja edhe nga persona të tjerë. Kur kam parë gjakun që po më rridhte kuptova që nuk ishin plumba manovër. Pikërisht në këtë moment po ndieja që po humbisja ndjenjat, shoku që kisha me vete nuk ishte aty pranë, por ndodhej gati tre metra larg nga unë. Tentova ti thërrisja atij për ndihmë, por nuk kisha fuqi. Pastaj disa persona të panjohur më kanë ngritur në krahë dhe me një makinë të policisë bashkiake më kanë çuar në Spitalin Ushtarak. Koha ime në demonstratën e “21 janarit” ka qenë vetëm 30 minuta, unë vetëm kur jam afruar demonstratë kam qenë në mes të turmës dhe shikoja që po qëllonin me gurë nga të dyja palët, si nga njerëzit ashtu edhe nga policia. Nga momenti që jam qëlluar kam qëndruar pesë ditë në spital dhe më pas nuk mbaj mend asnjë gjë rreth kësaj ngjarjeje dhe s’di çfarë të them për vrasjet apo plagosjet e tjera, pasi ato i kam mësuar më pas. 

 

Dëshmia – Artes Dybeli ka deklaruar në sallën e gjyqit se ndodhej rastësisht para Kryeministrisë dhe se nuk ishte pjesë e protestës

Plagosja – “Kur pashë kaosin e shkaktuar jam përpjekur të kthehem dhe në këtë moment kam marrë dy plumba një në shpatull dhe një në fyt

Adresat – Ndërkaq, problemet me adresat kanë bërë që në seancë të mos paraqitet asnjë dëshmitar tjetër. Në seancën e radhës u thirrën 14 dëshmitarë

Akuzat – Ish-shefi i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, akuzohet për vrasjen e Faik Myrtajt. Agim Llupo për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës

14.06.2012

 

Burimi: Gazeta Shqip

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.