Postuar me: 13:31 15-06-2012

Mentor Petrela: Si e zbulova sëmundjen e Nishanit, konsiderohet i kuruar

Shperndaje
Etiketat

Flet mjeku i njohur: Nuk ka asnjë pasojë për funksionin që kryen.

“Është operuar në tru, tani konsiderohet i kuruar”

Pas zgjedhjes si Presidenti i Ri i Republikës, Bujar Nishani ka folur hapur edhe për problemin e tij shëndetësor.
Ai e ka cilësuar të tejkaluar e madje “estetik”, duke ftuar publikisht edhe mjekun që e ka ndjekur, Mentor Petrelën, të bëjë me dije detaje të sëmundjes. Në intervistën e tij për gazetën, neurokirurgu i njohur tregon për mënyrën si është kuruar President i ri.
Profesor Petrela, ditët e fundit po flitet gjatë për problemin shëndetësor që ka kaluar Presidenti i ri, Bujar Nishani. Ai ju ka ftuar të bëni  publike kartelën e tij klinike si garanci për gjendjen shëndetësore, mund të na thoni diçka më shumë në lidhje me diagnozën dhe trajtimin që ka marrë zoti Nishani?
Duke respektuar vullnetin e Presidentit të zgjedhur, i cili ka kërkuar publikimin e gjendjes shëndetësore, sipas shembullit të mjaft liderëve europianë e amerikanë, po thyej sekretin mjekësor. E kam diagnostikuar për kavernome cerebrale përpara disa vitesh, pas i kishte dhënë shqetësime. Për të parandaluar një hemorragji është operuar nga një nga neurokirurgët më të mirë në planet. Konsiderohet i kuruar.
Sipas zotit Nishani, stafi i mjekeve është shprehur se brenda një viti e gjysmë do të zgjidhet dhe problemi “estetik”. Mund të ketë rishfaqje të sëmundjes?
Natyrisht, me vullnetin e tij dhe të specialistëve ka bërë një progres mjaft të mirë, i cili do të vazhdojë në vitet ardhshme fokusuar në kinestezinë.
A ndikon aktiviteti intensiv në trajtimin e kësaj sëmundjeje?
Aktivitetet konstitucionale, si ministër, zoti Nishani i ka filluar tre muaj pas operacionit.
Parë në optikën e mjekut që e ka ndjekur, e shihni si pengesë sëmundjen që ka kaluar në ushtrimin e funksionit të zotit Nishani si President i Republikës?
Duhet të mësohemi me konceptet perëndimore e ku shembujt janë jo të rrallë që funksionet konjitive, intelektuale e sidomos integriteti moral ruhen në kondita të sëmundjeve, sidomos kur ato kurohen edhe kur janë në tru. Miterani drejtoi Francën për 14 vjet duke qenë me kancer përpara se të merrte funksionin.
A do publikohet kartela klinike e zotit Nishani?
Dosja mjekësore mbrohet nga sekreti mjekësor dhe mund të vihet në dispozicion kur e autorizon i interesuari. Për ta divulguar për lexuesit tuaj, kavernomat janë lezione beninje që gjenden në të gjithë trupin, shpesh janë gjetje rastësore kur bëhet EKO, CT skaner ose rezonance manjetike për arsye të tjera e nuk kanë nevojë për trajtim. Në tru mund gjinden rastësisht, por kur japin shqetësime dhe kur kanë rrezikun e hemorragjisë, nevojitet ndërhyrja kirurgjikale me rezultate shumë të mira e rikthim në aktivitetin e mëparshëm.

SEMUNDJA
Kavernoma cerebrale përfaqëson një keqformim vaskular, i cili zbulohet rastësisht në pjesën më të madhe të rasteve. Incidenca përgjithësisht në popullatë është 0,5%, ose 5 persona në 1000 shfaqin këtë sëmundje. Gjatë jetës ajo evoluon. Ndërhyrjet kirurgjikale janë të domosdoshme dhe kërkojnë specializim mjekësor, pasi bëhet fjalë për prekjen e zonave mjaft delikate. Këto janë shpjegimet për sëmundjen të marra nga Wikipedia.

Sqarimi i Presidentit të zgjedhur pas akuzave
Nishani: Ndërhyrja në kokë, në 2008

“Qytetarët shqiptarë kanë të drejtën legjitime që të kenë një President të shëndetshëm. Një President që është në gjendje të marrë vendime të shëndosha, me moral dhe me fuqinë e të qenit mbi palët”, kështu ka deklaruar ditët e fundit në media Presidenti i ri i Republikës, Bujar Nishani. Ai ka folur për problemin e tij shëndetësor, duke treguar se në vitin 2008 ka mësuar nga mjekët në Finlandë se kishte një problem të lindur. “Me kalimin e kohës,   dy vena në kokë, që ishin të ngjitura, në një moment krijuan një ngërç të qarkullimit të gjakut. Ka qenë një operacion i shkurtër, por shumë delikat që u përmbyll me sukses”, ka deklaruar Nishani.  Tashmë ai e ka quajtur të tejkaluar sëmundjen e tij, e cila ka mbetur në pasoja fizike, krejtësisht të shërueshme edhe ato brenda një kohe të shkurtër. “Sa për pasojat fizike, që siç e shihni është një ngadalësim në lëvizje të këmbës së majtë dhe krahut të majtë, ato janë të përkohshme. Mjekët thonë se shërimi nuk do të jetë më i largët se një vit e gjysmë. Pas kësaj kohe, gjithçka do të jetë si më parë”, është shprehur Nishani.

15.06.2012

 

Burimi: Gazeta Panorama

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.