Postuar me: 21:55 12-11-2015

Meta mori pjesë në Konferencën për “Garantimin e të Drejtave të Kërkuesve të Mbrojtjes Ndërkombëtare” (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_3127

Meta mori pjesë në Konferencën për “Garantimin e të Drejtave të Kërkuesve të Mbrojtjes Ndërkombëtare”

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në Konferencën për “Garantimin e të Drejtave të Kërkuesve të Mbrojtjes Ndërkombëtare” të organizuar nga Avokati i Popullit dhe Zyra e Delegacionit Evropian në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën për “Garantimin e të Drejtave të Kërkuesve të Mbrojtjes Ndërkombëtare”, të organizuar nga Avokati i Popullit dhe Zyra e Delegacionit Evropian në Shqipëri.

Përveç autoriteteve shqiptare dhe përfaqësuesve të ndërkombëtarë, në këtë aktivitet pjesë morën edhe përfaqësues nga Algjeria, Bosnje-Hercegovina, Egjipti, Jordania, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Tunizia, Turqia dhe Maqedonia.

Qëllimi i aktivitetit ishte shkëmbimi i njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira lidhur me të drejtat e aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare, ose të personave që i largohen persekutimit dhe dëmtimit serioz në vendin e tyre.

Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Ilir Meta tha se lëvizjet kanë qenë gjithmonë një proces i pandalshëm, që e kanë shoqëruar njerëzimin përgjatë gjithë historisë së tij dhe se arsyet që shtyjnë njerëzit të lëvizin janë nga më të ndryshmet, por jo të gjitha janë detyruese.

“Arsyet detyruese si lufta dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut janë ato para të cilave bashkësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë dhe shembulli i Sirisë është i qartë për të gjithë dhe jo vetëm. Europa dhe në veçanti rajonet e saj jugore po përballen sot me një krizë të përmasave të papara, me qindra mijëra emigrant, shumica e tyre refugjat, që vijnë drejtë Europës me shpresën jo thjeshtë të një jetë më të mirë, por me nevojën që të shpëtojnë fëmijët dhe veten e tyre përballë rreziqeve të pashmangshme dhe fatale të luftës”, – tha Kryetari i Kuvendit.

Më tej, z. Meta u shpreh se Ballkani dhe sidomos pjesa perëndimore e tij, është bërë një nga dëshmitarët rrëqethës të kalimit transit dhe këtyre flukseve të mëdha.

“Për arsye të qarta që lidhen me ndryshimin e madh në zhvillimin e këtyre vendeve të rajonit me ato drejt të cilave shumica e refugjatëve shkojnë, shumica e këtyre njerëzve kanë bërë çmos që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre të vështirë drejt disa vendeve të caktuara të Bashkimit Europian që janë më të zhvilluara dhe më të qëndrueshme. Kjo është një sfidë që nuk ka një fund të shpejtë ndaj mbetet e rëndësishme që jo vetëm të mbizotërojë një frymë humanizmi në trajtimin e këtyre njerëzve, por edhe të ketë një frymë bashkëpunimi mes të gjitha vendeve, atyre të rajonit dhe më gjerë, si edhe një mbështetje në nivelin e duhur nga organizatat ndërkombëtare”, – vijoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit theksoi se Shqipëria ka vendin e saj të natyrshëm dhe modeste në mes të këtij fluksi dhe se ajo bën dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të qenë gjithnjë e gatshme për t’u përballur me flukse të tilla refugjatësh në bashkërendim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtar, por edhe me vendet fqinje.

“Të gjithë e dimë se vendi ynë ka kaluar një provë të madhe solidariteti siç ka qenë kriza humanitare që përballoi në vitin 1999 duke pritur rreth 1 milionë qytetar nga Kosova për disa muaj në vendin tonë. Por nga ajo kohë ka mjaft ndryshime. Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu ka bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, miratimin në kohën e duhur nga Kuvendi të ligjeve me rëndësi si ai ‘për të huajt’ dhe ai ‘për azilin’, kanë qenë zhvillime të rëndësishme për të siguruar edhe një standard ligjor të duhur, të personave që janë në nevojë dhe që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”, – vijoi z. Meta.

Në fund, Kryetari i Kuvendit vlerësoi punën e Avokatit të Popullit, z. Igli Totozani si dhe theksoi se Shqipëria si vend prej vitesh anëtar i NATO-s dhe si vend kandidat në BE, ka detyrimin të demonstrojë solidaritet brenda mundësive të saj me BE-në dhe me vendet fqinje në përballimin e kësaj krize humanitare.

“Mendoj se Shqipëria si vend prej vitesh tashmë anëtar i NATO-s dhe në mënyrë të veçantë si një vend kandidat në Bashkimin Europian, ka detyrimin të demonstrojë solidaritet konkret brenda mundësive të saj me Bashkimin Europian dhe me vendet fqinje në përballimin e kësaj krize humanitare dhe në respektimin e të drejtave të njeriut”, – tha mes të tjerash Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Ndërsa Avokati i Popullit, z. Igli Totozani, falënderoi pjesëmarrësit për rëndësinë qe i kanë kushtuar këtij problemi jetik për Europën, e cila sot ndeshet me një sfidë të jashtëzakonshme me dimensione etike, politike dhe ekonomike që kërkon bashkëpunimin dhe koordinimin e shumë aktorëve në nivel lokal, rajonal, europian dhe ndërkombëtar.

“Duhet thënë se kjo krizë nuk është tërësisht krizë refugjatësh edhe pse përqindjen më të lartë e zënë shtetasit sirianë në kërkim të mbrojtjes ndërkombëtare. Rajoni i Mesdheut po përballet me flukse të përziera migratore në të cilën bëjnë pjesë si azilkërkues, ashtu edhe emigrantë ekonomike, viktima të trafikimit, të mitur të pashoqëruar, etj., – tha z. Totozani duke shtuar: “Flukset migratore kanë nxjerrë në pah nevojën për një vizion më afatgjatë për trajtimin e tyre në vazhdimësi dhe për koordinimin e veprimeve nga të gjitha shtetet. Institucionet e Avokatit te Popullit në të gjitha vendet kanë një rol thelbësor për të luajtur në promovimin e mbrojtjes së të drejtave të emigrantëve dhe nga kjo pikëpamje duhet të luajnë një rol me aktiv dhe të bashkëpunojnë ngushtësisht me strukturat qeveritare si dhe me organizatat ndërkombëtare të angazhuara si UNHCR, IOM, etj.” – theksoi z. Totozani.

Fjala përshëndetëse e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta.

I nderuar z. Totozani, të nderuar Ombudsmanë, zonja dhe zotërinj pjesëmarrës!

Lëvizjet kanë qenë gjithmonë një proces i pandalshëm, që e kanë shoqëruar njerëzimin përgjatë gjithë historisë së tij. Arsyet që shtyjnë njerëzit të lëvizin janë nga më të ndryshmet, por jo të gjitha janë detyruese. Arsyet detyruese si lufta dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut janë ato para të cilave bashkësia ndërkombëtare nuk mund të mbyllë sytë dhe shembulli i Sirisë është i qartë për të gjithë dhe jo vetëm. Europa, dhe në veçanti rajonet e saj jugore, po përballen sot me një krizë të përmasave të papara, me qindra e mijëra emigrantë, shumica e tyre refugjatë, që vijnë drejtë Europës me shpresën, jo thjesht të një jetë më të mirë, por me nevojën që të shpëtojnë fëmijët dhe veten e tyre përballë rreziqeve të pashmangshme dhe fatale të luftës.

Ballkani, sidomos pjesa perëndimore e tij, është bërë një nga dëshmitarët rrëqethës të kalimit transit dhe këtyre flukseve të mëdha. Për arsye të qarta që lidhem me ndryshimin e madh në zhvillimin e këtyre vendeve të rajonit me ato drejt të cilave shumica e refugjatëve shkojnë, shumica e këtyre njerëzve kanë bërë çmos që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre të vështirë drejt disa vendeve të caktuara të Bashkimit Europian, që janë më të zhvilluara dhe më të qëndrueshme. Kjo është një sfidë që nuk ka një fund të shpejtë ndaj mbetet e rëndësishme, që jo vetëm të mbizotërojë një frymë humanizmi në trajtimin e këtyre njerëzve, por edhe të ketë një frymë bashkëpunimi mes të gjitha vendeve, atyre të rajonit dhe më gjerë, si edhe një mbështetje në nivelin e duhur nga organizatat ndërkombëtare.

Shqipëria ka vendin e saj të natyrshëm dhe modest në mes të këtij fluksi. Ajo bën dhe do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të qenë gjithnjë e gatshme për t’u përballur me flukse të tilla refugjatësh në bashkërendim të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë, por edhe me vendet fqinje. Të gjithë e dimë se vendi ynë ka kaluar një provë të madhe solidariteti, siç ka qenë kriza humanitare që përballoi në vitin 1999, duke pritur rreth 1 milionë qytetar nga Kosova për disa muaj.

Por nga ajo kohë ka mjaft ndryshime. Kuvendi i Shqipërisë gjithashtu ka bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, miratimin në kohën e duhur nga Kuvendi të ligjeve me rëndësi si ai “për të huajt” dhe ai “për azilin”, kanë qenë zhvillime të rëndësishme për të siguruar edhe një standard ligjor të duhur, të personave që janë në nevojë dhe që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Flukset e tanishme, përmbajnë në vetvete sfidën e trajtimit të personave, të cilët pavarësisht se kanë nevojë për mbrojtje, nuk kërkojnë azil në vendet ku kalojnë. Por kjo në kontekstin sotëm nuk duhet të na bëjë që ne t’i paragjykojmë nisur nga vendi apo nga vendet nga ata vijnë.

Në këtë drejtim shkon edhe puna plot përkushtim e Avokatit të Popullit në vendin tonë i cili ka bërë dhe vazhdon të bëjë thirrje që çdo individ i ndodhur në territorin e Republikës së Shqipërisë të trajtohet në përputhje me standardet kombëtare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të gëzojë mbrojtjen e parashikuar në ligj.

Natyrisht, që ne kemi edhe një problem tjetër, të cilit nuk i fshihemi, megjithëse nuk është sot tema e këtij diskutimi, që ka të bëjë pikërisht me qytetarët shqiptarë, të cilët kërkojnë azil në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Por edhe për këtë çështje dua të falënderoj Avokatin e Popullit, i cili përpiqet që të hedhë dritë mbi shkaqet që ushqejnë këtë fenomen mjaft negativ dhe për luftën që duhet bërë për t’i dhënë fund dhe për ta frenuar këtë fenomen gërryes për zhvillimin dhe për të ardhmen e vendit tonë.

Do të doja me këtë rast, pa u zgjatur më shumë, të falënderoja punën e Avokatit të Popullit, z. Totozani në forume mjaft të rëndësishme ndërkombëtare dhe për përpjekjet që ai bën edhe si President i Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, të Ombudsmanëve Mediatorë Frankofonë, dhe në shumë forume të tjera europiane dhe botërore dhe angazhimin mjaft pro-aktiv në të gjitha rrjetet rajonale dhe evropiane. Dhe mendoj se Shqipëria si vend prej vitesh tashmë anëtar i NATO-s dhe në mënyrë të veçantë si një vend kandidat në Bashkimin Europian, ka detyrimin të demonstrojë solidaritet konkret brenda mundësive të saj me Bashkimin Europian dhe me vendet fqinje në përballimin e kësaj krize humanitare dhe në respektimin e të drejtave të njeriut. Shpresoj që kjo konferencë t’i shërbejë këtij qëllimi dhe të rrisë më tej bashkëpunimin, jo vetëm midis Ombudsmanëve, por edhe midis të gjithë vendeve tona.

Faleminderit!

12.11.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.