Postuar me: 14:41 06-12-2015

Meta mori pjesë në takimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_7768

Meta mori pjesë në takimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë nën kujdesin e Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së .

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin e Sekretarëve të Përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor. Në fjalën përshëndetëse të mbajtur gjatë aktivitetit të organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Prezenca e OSBE-së në Tiranë, z. Ilir Meta tha se e konsideron këtë takim si një mundësi mjaft të mirë të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar në nivel rajonal.

Kryetari i Kuvendit theksoi se transparenca nuk është vetëm një parim themelor mbi të cilën duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet shtetërore në tërësi, por është një domosdoshmëri, që i siguron publikut një mënyrë për t’u përfshirë në proceset e vendimmarrjes.

“Organizimi i veprimtarive të tilla merr një domethënie të veçantë për nxitjen dhe rritjen e komunikimit me njëri-tjetrin përmes shkëmbimit të praktikave, përvojave, por edhe të diskutimeve mbi njohuritë dhe pritshmëritë e gjithsecilit për fuqizimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si një element thelbësor për çdo sistem politik demokratik, të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe demokratik. Transparenca nuk është vetëm një parim themelor, mbi të cilën duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet shtetërore në tërësi, por mbi të gjitha është një domosdoshmëri, e cila u mundëson qytetarëve të informohen, të monitorojnë, madje të kontrollojnë veprimtarinë dhe punën e institucioneve, duke i siguruar publikut një mënyrë për t’u përfshirë në proceset e vendimmarrjes”, – u shpreh z. Meta.

Në këtë kontekst, Kryetari i Kuvendit përgëzoi dhe vlerësoi OSBE-në për asistencën e saj në vazhdimësi për institucionet e shtetit shqiptar dhe shoqërinë civile në vend, në krijimin dhe në promovimin e kulturës së transparencës ndaj publikut, si një ndër vlerat më të larta dhe parimet ndërvepruese të një shoqërie evropiane e demokratike.

“Komunikimi dhe informimi i vazhdueshëm i publikut, si dhe qasja në rritje e qytetarëve në punimet e organeve ligjvënëse siguron që, përfaqësuesit e zgjedhur të jenë në kontakt me publikun dhe të përgjigjen para tij. Pjesëmarrja, sidomos e shoqërisë civile në procesin ligjvënës të Kuvendit i shërben përmirësimit të cilësisë së legjislacionit të shqyrtuar dhe miratuar. Ajo merr rëndësi të veçantë sidomos kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me grupe në nevojë si personat me aftësi të kufizuar, gratë, fëmijët, minoritetet, e kështu me radhë. Në këtë kuptim, transparenca parlamentare është instrumenti që përmbush vizionin tonë për një parlament gjithëpërfshirës, të aksesueshëm dhe efikas. Mbështetur në këtë parim, pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen e Kuvendit, fuqizimi i përfshirjes së tij, në procesin e kontrollit të zbatimit të legjislacionit dhe sidomos në procesin ligjvënës, është qëllimi parësor për punën e Kuvendit, me bindjen se kjo krijon dhe rrit besimin e publikut tek institucioni i Kuvendit si institucion përfaqësues dhe tek deputetët në veçanti”, – nënvizoi z. Meta.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi se janë hedhur hapa konkretë për bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit nëpërmjet organizimit të seancave dëgjimore për projektligjet në interes të palëve të interesuara, si dhe organizimi i takimeve të përbashkëta të komisioneve për të shqyrtuar projektligjet, për rritjen e aksesit të publikut tek veprimtaria parlamentare, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me median, projektimin dhe zbatimin i teknologjive të reja në fushën e informatizimit dhe të automatizimit në Kuvend, në mbështetje të transparencës institucionale, etj.

“Dëshiroj të theksoj që, në themelet e këtyre arritjeve të deritanishme, por dhe si një agora për të gjitha sfidat me të cilat duhet të përballemi në të ardhmen, është vizioni ynë për një parlament plotësisht transparent, i cili reflekton perspektivën qytetare gjatë gjithë veprimtarisë parlamentare të tij, për një parlament pranë dhe në kontakt me qytetarin, për një parlament të hapur dhe të vullnetshëm për të dhënë informacion dhe llogari”, – tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Ndërsa, Zv/ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, z. Robert Wilton, garantoi mbështetjen e plotë të Prezencës për Kuvendin e Shqipërisë, ndërsa e vuri theksin tek forcimi i marrëdhënies mes këtij institucioni nga njëra anë dhe shoqërisë civile e publikut nga ana tjetër.

“Parlamenti është vendi ku shprehet vullneti i popullit, i njerëzve. Nga deputetët pritet që ata t’i dëgjojnë zgjedhësit e tyre dhe t’i përfaqësojnë ata dhe t’iu përgjigjen nevojave të tyre. Por në mënyrë që ta bëjmë këtë rol, Parlamenteve ju nevojitet një partner aktiv, shoqëria civile dhe sigurisht dhe vetë publiku i gjera. Angazhimi i shoqërisë civile është jetësor për zhvillimin e një marrëdhënieje pozitiv dhe transparente midis shtetit dhe qytetarëve të tij. Shoqëria civile ka një rol kritik për të ruajtur në monitorimin e punës së Parlamentit dhe në mbajtjen e tij përgjegjës. Ne në prezencën e OSBE-së mendojmë se qytetarët aktivë mund të jetë rojtarët më të mirë, garantuesit më të mirë të demokracisë dhe planifikojmë që vitin që vjen prezenca e OSBE-së të punojë me më shumë përqendrimi dhe fokus sa i përket rolit të qytetarit aktivë në Shqipëri si një pjesë kritike e kësaj demokracie si një pjesë kyçe e saj”, – theksoi z. Wilton.

Më tej, Zv/ambasadori i OSBE-së vuri në dukje se Prezenca do të jetë një partner afatgjatë i Kuvendit të Shqipërisë, shprehu një falënderim të veçantë për Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta për lidershipin e tij shumë të balancuar të Parlamentit.

“Prezenca e OSBE-së ka kënaqësinë dhe nderin e saj që të jetë një partner afatgjatë i Kuvendit të Shqipërisë dhe unë shfrytëzojë këtë mundësi që të falënderoj, z. Meta për lidershipin e tij shumë të balancuar këtij Parlamenti dhe gjithashtu administratës së Kuvendit nën lidershipin e znj. Shtylla, të cilët kanë qenë partnerët tanë në bërjen e një administrate parlamenti shumë funksionale në përputhje me standardet e shekullit të 21-të. Unë garantoj mbështetjen tonë të potë ndaj Kuvendit nga ana politik dhe profesionale dhe mendoje që homologët e tij të misioneve të tjera të OSBE anembanë rajonit të cilët janë partnerët tuaj do të thonin të njëjtën gjë. Ju duhet ta dini më mirë se sa unë fuqinë e një marrëdhënieje midis parlamenteve dhe shoqërisë civile në vendet tuaja. Kjo është një marrëdhënie që ne duhet ta mbrojmë dhe duhet të forcojmë akoma më tej”, – deklaroi z. Robert Wilton.

Sekretarja e Përgjithshme, znj. Albana Shtylla njohu të pranishmit me disa nga hapat e ndërmarra nga Kuvendi i Shqipërisë në drejtim të transparencës dhe të rritjes së pjesëmarrjes së publikut në procesin legjislativ.

“Një hap i rëndësishëm sa i përket transparencës së veprimtarisë së Kuvendit është ai që ka të bëjë me pjesëmarrjen e publikut drejtpërdrejt në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo të grupeve të ndryshme në mbledhjet e komisioneve të përhershme apo të seancave plenare. Kemi shkurtuar në maksimum kohën sa i përket shqyrtimit të kërkesave dhe kemi lehtësuar jashtëzakonisht procedurat për pjesëmarrjen e publikut në komisionet parlamentare dhe në seanca plenare. Por kemi qenë jashtëzakonisht të hapur për të pritur në Kuvend grupe interesi, OJF, etj të cilët kanë dashur të zhvillojnë aktivitete në ambientet e seancës plenare duke simuluar edhe ata vetë seanca plenare të ngjashme me ato që zhvillohen nga deputetët”, tha znj. Shtylla duke shtuar se në këto dy vite numri i pjesëmarrjes së individëve në punimet e organeve të Kuvendit dhe të seancave të zhvilluara ka ardhur në rritje.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta

Të nderuar Sekretarë të Përgjithshëm të vendeve të rajonit,

I nderuar z. Wilton,

Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë sot t’ju uroj mirëseardhjen dhe t’ju përshëndes në këtë takim të Sekretarëve të Përgjithshëm nga Parlamente të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që e konsideroj si një mundësi mjaft të mirë të thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit parlamentar në nivel rajonal.

Organizimi i veprimtarive të tilla merr një domethënie të veçantë për nxitjen dhe rritjen e komunikimit me njëri-tjetrin përmes shkëmbimit të praktikave, përvojave, por edhe të diskutimeve mbi njohuritë dhe pritshmëritë e gjithsecilit për fuqizimin e pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si një element thelbësor për çdo sistem politik demokratik, të përgjegjshëm, llogaridhënës dhe demokratik.

Transparenca nuk është vetëm një parim themelor mbi të cilën duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre institucionet shtetërore në tërësi, por mbi të gjitha është një domosdoshmëri, e cila u mundëson qytetarëve të informohen, të monitorojnë, madje të kontrollojnë veprimtarinë dhe punën e institucioneve, duke i siguruar publikut një mënyrë për t’u përfshirë në proceset e vendimmarrjes.

Në këtë kontekst, përgëzoj dhe vlerësoj mbështetjen organizative të këtij takimi, OSBE-në për asistencën e saj në vazhdimësi për institucionet e shtetit shqiptar dhe shoqërinë civile në vend, në krijimin dhe në promovimin e kulturës së transparencës ndaj publikut, si një ndër vlerat më të larta dhe parimet ndërvepruese të një shoqërie evropiane e demokratike.

Kuvendi i Shqipërisë, si organi më i lartë ligjvënëse e përfaqësues i popullit, luan një rol themelor në funksionimin e sistemit demokratik dhe në proceset politike në Shqipëri.

Komunikimi dhe informimi i vazhdueshëm i publikut, si dhe qasja në rritje e qytetarëve në punimet e organeve ligjvënëse siguron që, përfaqësuesit e zgjedhur të jenë në kontakt me publikun dhe të përgjigjen para tij. Pjesëmarrja, sidomos e shoqërisë civile në procesin ligjvënës të Kuvendit i shërben përmirësimit të cilësisë së legjislacionit të shqyrtuar dhe miratuar. Ajo merr rëndësi të veçantë sidomos kur diskutohen çështje që kanë të bëjnë me grupe në nevojë si personat me aftësi të kufizuar, gratë, fëmijët, minoritetet, e kështu me radhë.

Në këtë kuptim, transparenca parlamentare është instrumenti që përmbush vizionin tonë për një parlament gjithëpërfshirës, të aksesueshëm dhe efikas. Mbështetur në këtë parim, pjesëmarrja e publikut në vendimmarrjen e Kuvendit, fuqizimi i përfshirjes së tij, në procesin e kontrollit të zbatimit të legjislacionit dhe sidomos në procesin ligjvënës, është qëllimi parësor për punën e Kuvendit të Shqipërisë, me bindjen se kjo krijon dhe rrit besimin e publikut tek institucioni i Kuvendit si institucion përfaqësues dhe tek deputetët në veçanti.

Hapa konkretë janë hedhur për bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe grupet e tjera të interesit nëpërmjet organizimit të seancave dëgjimore për projektligjet në interes të palëve të interesuara, si dhe organizimi i takimeve të përbashkëta të komisioneve për të shqyrtuar projektligjet, për rritjen e aksesit të publikut tek veprimtaria parlamentare, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me median, projektimin dhe zbatimin i teknologjive të reja në fushën e informatizimit dhe të automatizimit në Kuvend, në mbështetje të transparencës institucionale, etj.

Në përmbyllje të fjalës sime, dëshiroj të theksoj që, në themelet e këtyre arritjeve të deritanishme, por dhe si një agora për të gjitha sfidat me të cilat duhet të përballemi në të ardhmen, është vizioni ynë për një parlament plotësisht transparent, i cili reflekton perspektivën qytetare gjatë gjithë veprimtarisë parlamentare të tij, për një parlament pranë dhe në kontakt me qytetarin, për një parlament të hapur dhe të vullnetshëm për të dhënë informacion dhe llogari.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, ju uroj një diskutim dhe bashkëbisedim frytshëm në vijim!

06.12.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.