Postuar me: 20:35 30-11-2015

Meta pritet nga Rektori e studentët e Univesitetit Sapienza të Romës. (Burimi: LSI, www.lsi.al)

DSC09329

Meta pritet nga Rektori e studentët e Univesitetit Sapienza të Romës. Takime me ish-kryeministrin, D’Alema dhe ish-ministrin e Jashtëm, Fratinni

Meta pritet nga Rektori e studentët e Univesitetit Sapienza të Romës.

Meta: Italia partner strategjik historik dhe i natyrshëm për shqiptarët. Italia gjithnjë pranë Shqipërisë në kohë të vështira. Mesdheu na bashkon nën moton “Dy popuj, Një Det, Një Miqësi”.

Meta: Mirënjohje “Sapienzës” që ka hapur dyert për studentët shqiptarë.

Meta: Jemi krenarë për integrimin e Komunitetit shqiptar dhe arritjet e studentëve në Itali. Mirëpresim kontributin e studentëve shqiptarë për të arritur objektivat evropianiste në Shqipëri.

Meta:Korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë investimet dhe zhvillimin ekonomik. Shqipëria po ndërmerr reforma që kërkojnë përgjegjshmëri dhe konsensus ndër-partiak.

Meta:Qytetarët shqiptarë kanë pritshmëri të larta. BE destinacioni ynë – model i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik.

Meta:Shqipëria përkrah partnerëve tanë në përballimin e sfidave të sigurisë që po përjeton kontinenti ynë.

Në kuadër të vizitës zyrtare në Itali, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta u prit në Universitetin “Sapienza” të Romës nga Rektori i këtij universiteti prof. Eudenio Gaudio dhe më pas mbajti një leksion dhe zhvilloi një bashkëbisedim me studentët e Universitetit “Sapienza”.

Në fjalën e mbajtur para studentëve, z. Meta tha se Italia është një partner strategjik historik dhe i natyrshëm për shqiptarët.

“Italia ka qenë gjithnjë pranë Shqipërisë në kohë të vështira. Mesdheu na bashkon nën moton “Dy popuj, Një Det, Një Miqësi””, – tha Kryetari i Kuvendit, teksa i shprehu mirënjohjen e tij “Sapienzës” që ka hapur dyert për studentët shqiptarë.

Gjithashtu, në fjalën e tij z. Meta theksoi se ndihet krenar për integrimin e Komunitetit shqiptar dhe arritjet e studentëve në Itali. “Mirëpresim kontributin e studentëve shqiptarë për të arritur objektivat evropianiste në Shqipëri”, – shtoi Kryetari i Kuvendit.

Ndër të tjera, z. Meta tha se korrupsioni dhe krimi i organizuar pengojnë investimet dhe zhvillimin ekonomik, në një kohë që Shqipëria po ndërmerr reforma që kërkojnë përgjegjshmëri dhe konsensus ndër-partiak.

“Qytetarët shqiptarë kanë pritshmëri të larta. Bashkimi Europian është një destinacion shumë kompleks. Është model unifikimi, përgjegjësish të përbashkëta, standarde jetese dhe respekti për të drejtat e njeriut, përfshirjeje dhe mbi të gjitha një vizion “Europa e plotë dhe e lirë””, – u shpreh Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

Fjala e plotë e Kryetarit të Kuvendit Meta në Universitetin Sapienza .

Zonja dhe zotërinj,

Të dashur studentë dhe profesorë të kësaj shtëpie të nderuar të dijes dhe shkencës,

Faleminderit që më keni ftuar të jem mes jush.

Jam vërtet i prekur nga mikpritja juaj e ngrohtë, që është një shembull tjetër i lidhjes së fortë miqësore mes popullit shqiptar dhe popullit Italian.

Jam shumë i kënaqur dhe i privilegjuar që jam këtu, bashkë me kaq shumë studentë të rinj dhe shumë bashkëqytetarë nga Shqipëria, në një nga universitetet më të vjetra dhe më të mira të Evropës.

Nga fizika në ekonomi, nga letërsia në juridik, nga shkencat politike në mjekësi, Universiteti i Studimeve të Romës “La Sapienza” ka arsimuar disa nga mendjet më të ndritura të qytetërimit italian dhe evropian.

“E ardhmja ka kaluar këtu” është motoja e “La Sapienza”, duke përqafuar plotësisht arritjet e qëndrueshme shkencore dhe trashëgiminë e shijeve të Maria Montessori, Enrico Fermi apo Gabriele D’Annunzio, për të përmendur vetëm disa ish studentë të shquar të këtij institucioni të njohur akademik.

Më duhet ta pranoj që ndjej zili teksa shoh gjithë këta të rinj, por mbi të gjitha ndjehem plot shpresë. Ju jeni një burim i vërtetë energjie dhe frymëzimi, jo vetëm për mua personalisht, por për të ardhmen e vendeve tona dhe të Europës në tërësi.

Në një kohë kur kontinenti ynë po përballet me pasiguri politike dhe ekonomike, rënien e popullsisë, sfida të jashtëzakonshme sigurie dhe rritje të nacionalizmit, një brez i ri i mirëarsimuar, me mendje të hapur, i guximshëm dhe sipërmarrës ka një rol jetësor për të luajtur në instalimin e shpresës dhe besimit tek e ardhmja jonë e përbashkët dhe ajo e njerëzimit në tërësi.

Si shumë institucione të tjera akademike në të gjithë Italinë, Universiteti “La Sapienza”, gjatë këtyre dy dekadave e gjysëm, ka hapur bujarisht dyert e diturisë dhe kulturës për rezultatet e studentëve shqiptarë.

Këto nuk kanë qenë kohë të lehta për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dekadat e sundimit totalitar, kolektivizimit ekstrem dhe vetë-izolimit ndërkombëtar shkaktuan një tranzicion të mundimshëm dhe plot probleme drejt demokracisë.

Mijëra shqiptarë kaluan Adriatikun për të kërkuar një jetë më të mirë dhe më shumë mundësi arsimimi në Itali: një vend që i ka pritur ata me bujari, me një frymë të pakrahasushme miqësie dhe i integroi ata plotësisht në një vend të lashtë dhe social modern.

Një vend që dikur gjenerata shqiptarësh e konsideronin si porta jonë për në Europën Perëndimore, një vend që tashmë shumë shqiptarë e quajnë shtëpi dhe një vend që do të jetë gjithmonë një model për brezat që do të vijnë.

Është vërtetë e vështirë të përshkruhet me fjalë borxhi i mirënjohjes që ne kemi ndaj Italisë dhe popullit Italian për ndihmën ndaj Shqipërisë, në kohë vështirësish ekstreme politike dhe ekonomike.

Italia ka qëndruar përherë e vendosur përkrah nesh “pa nëse dhe pa por” në ditët tona të errëta dhe me mungesë arsyeje, dhe ka mbështetur pa mëdyshje tranzicionin tonë nga vendi më i varfër në Europë në një demokraci funksionale, vend anëtar i NATO-s dhe një vend kandidat në BE, dhe me një rol të ri në Mesdhe gjithashtu.

Është dimensioni i mesdhetarizmit që na bashkon më shumë. Deti i thellë që dikur na ka ndarë, është bërë do të thoja një urë në Adriatik “Dy popuj, një det, një miqësi”.

Falë pothuajse 50 mijë studentëve si ju në këto 25 vite, qindra mijëra emigrantëve, tregtarëve dhe biznesmenëvë të panumërt dhe diasporës së vjetër dhe të konsoliduar shqiptare në jug të Italisë, Shqipëria dhe Italia kanë betonuar një lidhje të admirueshme miqësie dhe aleance të vërtetë.

Ajo nuk i ka rrënjët vetëm në afërsinë gjeografike dhe ngjashmëritë kulturore, por në vetëdijen që njerëzit, të cilët jetojnë në dy anët e urave të detit Mesdhe dhe detit Jon, ndajnë një grup vlerash të përbashkëta dhe një vokacion të përbashkët europian.

Integrimi Europian është prioriteti më i madh kombëtar i Shqipërisë: një objektiv madhor që gëzon mbështetje nga të gjitha partitë dhe është mbështetur me entuziazëm nga mëse 95% e popullit shqiptar.

Siç mund ta dini, kemi bërë rrugë të gjatë në procesin e anëtarësimit të plotë në BE. Vetëm të kujtoni pikën tonë të tmerrshme fillestare, 25 vjet më parë. Raporti i fundit i Komisionit Europian, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian vlerëson vullnetin e vijimësinë e vendit për të ndërmarrë dhe zbatuar reformat themelore për administratën publike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, drejtësinë, ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por mos u gaboni: mbetet akoma shumë për të bërë; duhen investuar shumë energji dhe vullnet politik për kryerjen e reformave shumë të nevojshme institucionale, që janë pjesë e kushtëzimit të BE-së për vendet aspirante.

Ne, si shqiptarë, duhet të punojmë fort dhe të ndryhojmë faqen e vendit për të plotësuar aspiratat e përbashkëta për një shoqëri demokratike dhe që i bindet ligjit.

Ky është një projekt, zbatimi i të cilit kërkon kontributin e studentëve shqiptarë të mirë-arsimuar dhe të aftë jashtë vendit. Ata duhet të kthehen dhe të vënë potencialin e tyre intelektual, ekspertizën dhe idetë në të mirë të popullit shqiptar dhe të vendit.

Shqipëria mund të mos jetë një opsion shumë tërheqës, krahasuar me mundësitë e tjera në Evropë, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë thënien e Presidentit të ndjerë të SHBA, John Fitzgerald Kennedy: “mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por pyet çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”.

Për këto arsye shumë themelore ne kemi ndërmarrë reforma të rëndësishme në vend, reforma që do ta shkëpusnin Shqipërinë njëherë e përgjithmonë nga problemet e trashëguara të paaftësisë, sundimit të pamjaftueshëm të ligjit, institucionet problematike dhe mbi të gjitha lufta e ashpër ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, dy probleme që dekurajojnë zhvillimin ekonomik, investimet e huaja, popullin tonë dhe në veçanti rininë tonë dhe shpresat e tyre për një jetë të denjë në vend. Reforma në drejtësi është një fjalë kyçe tani në Shqipëri dhe procesi po ecën mire, me draftin e parë që tashmë është shqyrtuar nga Komisioni i Venecias.

Rruga që kemi përpara nuk është një rrugë e lehtë. Një nga vështirësitë kryesore mbetet reforma e gjyqësorit. Progres raporti i Komisionit Europian konfirmoi se rruga për nisjen e negociatave të pranimit kalon përmes plotësimit të kësaj reforme, që sot mbetet sfida më e madhe, jo vetëm për shumicën qeverisëse, por dhe për shoqërinë shqiptare dhe shtetin tonë në tërësi.

Shumica qeverisëse ka ndërmend ta vazhdojë këtë reformë në muajt e ardhshëm, si një çështje me prioritet të lartë. Konsensusi politik ndër-partik për këtë çështje do të jetë vendimtar nëse do të bëjmë një reformë të besueshme, afat-gjatë dhe efektive, që përmbush pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.

Një shembull shumë i mirë është konsensusi i arritur për të ashtuquajturin “Proces i Dekriminalizimit”, që unë e konsideroj një gur themeli për standarte më të larta, integritet dhe dinjitet të klasës politike dhë të gjithë nëpunësve civilë.

Shërbimi kundrejt retorikës është sfida jonë dhe ne do ta fitojmë atë, sepse populli ynë e meriton këtë dhe brezi i ri është një garanci për këtë.

Unë besoj gjithashtu se, veç detyrave të shtëpisë dhe sfidave kombëtare, rëndësia e procesit të integrimit evropian qëndron tek dimensioni i saj rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

Nuk ka asnjë dyshim që kjo pjesë e botës ka lundruar në ujra të turbullta gjatë dy dekadave të fundit.

Ne kemi përjetuar gjakderdhje, shkatërrim, spastrim etnik dhe brishtësinë demokratike. Edhe pse nuk është shumë e dukshme, tensionet ndëretnike ekzistojnë akoma dhe kërcënojnë funksionimin demokratik të shtetit dhe marrëdhëniet mes komunitetesh të tëra.

Situata e përgjithshme në rajon është ende shumë pozitive, përveç disa problemeve të njohura mes Serbisë dhe Kosovës, thjesht për të dhënë një shembull.

Bashkimi Evropian mbetet nxitësi kryesor për reformat, integrimin rajonal dhe paqen. Të gjitha vendet janë të angazhuara në këtë proces dhe synojnë seriozisht ta çojnë deri në fund në një kohë sa më të shkurtër.

Megjithatë, është gjithashtu e qartë që BE-ja e 2015-s është krejtësisht ndryshe nga ajo e Samitit të Selanikut në vitin 2003, ku mori angazhimin historik për të integruar rajonin.

Zgjerimi i NATO-s në rajonin tonë dhe veç kësaj stabiliteti i Bosnjë-Hercegovinës janë disa nga pikat e rëndësishme të rajonit tonë.

Dua të përmend një njeri të urtë, i cili para disa vitesh tha se e ardhmja nuk është e njëjtë si në të shkuarën. Kjo do të thotë shumë. Në raundet e mëparshme të integrimit, BE-ja tregoi më shumë solidaritet dhe vendosi më shumë fonde në dispozicion për anëtarët e rinj. Sot është ndryshe.

Ka më pak solidaritet për shkak të kompleksitetit të vendim-marrjes në një tryezë të rrumbullakët me 28 vende dhe më pak fonde në dispozicion, për shkak të kufizimeve ekonomike dhe krizës së zgjatur financiare.

Megjithatë, Europa është drita për ata që vuajtën 50 vjet izolim dhe Perden e Hekurt. Është një perspektivë për brezat e rinj.

Bashkimi Europian është një destinacion shumë kompleks. Është model unifikimi, përgjegjësish të përbashkëta, standarte jetese dhe respekti për të drejtat e njeriut, përfshirjeje dhe mbi të gjitha një vizion “Europa e plotë dhe e lirë”.

Ne dëshirojmë që Europa të mbetet e tillë, të vrasë frikën që lind nga ditët e trishtuara dhe pasiguria për të ardhmen. Frika e luftës së ftohtë nuk duhet zëvendësuar nga frika e terrorizmit dhe ekstremizmit. Europa e civilizuar do të gjejë forcë për tu ngritur mbi këtë frikë. Sot Europa është e lirë, por ende nuk është e plotë.

Një çerek shekulli pas përfundimit të konfrontimit bipolar, komuniteti ndërkombëtar është ende në kërkim të një rendi të ri global.

Në të njëjtën kohë, procesi i unifikimit të kontinentit tonë është punë e papërfunduar.

Jetojmë në një kohë kur parimet themelore të rendit ndërkombëtar janë duke u vënë në pikëpyetje.

Evropa dhe fqinjët e saj lindorë e jugorë, janë duke u tronditur nga sfidat e tmerrshme të sigurisë dhe ato humanitare. Presionet e emigracionit, radikalizmit dhe terrorizmit, siguria energjitike po testojnë seriozisht elasticitetin e Projektit Europian.

Nën sforcimin e këtyre zhvillimeve, retorika e Europës është në një gjendje të vazhdueshme fluksi, ku mbizotërojnë tonet negative dhe jo frymëzuese.

Platformat anti-BE janë në rritje dhe islamofobia po luan në duart e partive populiste anti europiane, sidomos pas akteve të egra terroriste që morën jetën e më shumë se 130 personave në Paris.

Ne gjithashtu kujtojmë këtu të gjitha viktimat e këtij terrori në të gjithë zonën e Mesdheut nga Ankaraja në Tunizi, nga Bejruti në Sinai, nga Mali në Siri, të gjithë civilë të pafajshëm. Këto janë akte barbarizmi kundër njerëzimit dhe vlerave universale njerëzore.

Megjithatë, BE-ja ende mbetet modeli më tërheqës për paqen dhe stabilitetin demokratik, mirëqenien sociale dhe suksesin ekonomik.

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor ende besojnë në projektin europian, si i vetmi proces që do të garantojë stabilitetin afatgjatë dhe prosperitetin e rajonit.

Procesi i Berlinit nisur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në gusht të vitit 2014 dhe që vazhdoi në Vjenë në gushtin e kaluar, është një mundësi për të fuqizuar procesin e anëtarësimit në BE dhe për të ndihmuar që ky i fundit të mbetet një mjet për të transformuar rajonin në një entitet demokratik të qëndrueshëm dhe të begatë ekonomikisht.

Lidhur me këtë, forcimi i integrimit ekonomik dhe ndërlidhja rajonale, rrugët e transportit nga lindja në perëndim dhe rrjetet e energjisë, mund të ndihmojnë që të çlirohet potenciali i zhvillimit që vjen si rezultat i afërsisë gjeografike.

Një Ballkan Perëndimor më shumë dhe më mirë i integruar, me vende si Shqipëria që ka një dimension të fortë mesdhetar, sigurisht do të përshpejtojë zhvillimin gjithëpërfshirës dhe ngritjen e urave për boshllëqet e krijuara midis vendeve.

Me pak fjalë, integrimi i rajonit do të varet në mënyrë të qartë si nga kapaciteti absorbues i BE-së dhe nga aftësia jonë për të përmbushur kushtet e Brukselit.

Së fundi, më lejoni të them disa fjalë për sfidat e sigurisë me të cilat përballet Ballkani Perëndimor dhe Europa në tërësi, përkatësisht terrorizmi dhe emigrimi ilegal. Këto janë çështje shumë komplekse dhe të ndërlidhura me njëra-tjetrën.

Kërcënimi i ekstremizmit dhe terrorizmit islamik është i vërtetë, qoftë në Europë, Mesdhe apa në Ballkanin Perëndimor, dhe ka gjasa të jetë një luftë dhe sfidë afatgjatë me ISIS dhe bashkëpunëtorët e tij.

Që bota e qytetëruar ta fitojë këtë luftë do të duhet kohë dhe durim për të ngritur një koalicion të gjerë ndërkombëtar me të njëjtin mendim për të luftuar ISIS, jo vetëm me mjete ushtarake, por njëkohësisht me anë të diplomacisë dhe programeve të zhvillimit, dhe në të njëjtën kohë, duke trajtuar shkaqet rrënjësore të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Shqipëria dhe miqtë tanë në rajon, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, do të jetë padyshim në krye të luftës kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Duhet të jemi të vëmendshëm në trajtimin e kësaj çështjeje të mprehtë dhe të mos luajmë lojën e terroristëve.

Ne duhet të refuzojmë me forcë çdo përpjekje për të lidhur një fe me terrorizmin dhe për të stereotipizuar myslimanët e të përkrahim një kundër – komunikim pozitiv.

Ashtu siç tregon shembulli shqiptar bashkëjetesa paqësore dhe harmonia midis feve është e mundur dhe mund të arrihet. Shqipëria konsiderohet model në këtë fushë dhe shembulli ynë mund ti shërbejë edhe të tjerëve.

Emigrimi ilegal, është një sfidë e përbashkët. Si një vend që i ka pasur këto probleme në vitet ’90, e kemi të qartë se problemet e përbashkëta kanë nevojë për përgjigje të përbashkëta.

Unë besoj fort se me njerëz si Kryeministri Matteo Renzi, Kryetarja e Dhomës së Deputetëve, zonja Laura Boldrini, e cila në të shkuarën ka dhënë një kontribut të madh për çështjen e refugjatëve, dhe me udhëheqës të tjerë rajonalë europianë, ne mund të punojnë së bashku për strategji të përbashkëta, duke përfshirë periudhat e emergjencës, ndihmën humanitare për këto qënie njerëzore nga Lindja e Mesme dhe Afrika që po ikin nga luftërat.

Unë do të doja gjithashtu të them dy fjalë kryesore për bashkëpunimin dypalësh midis Italisë dhe Shqipërisë. Italia është një partner strategjik historik dhe natyror për Shqipërinë. Kjo është e vërtetë për të kaluarën, sepse Italia ka qenë gjithmonë përkrah nesh.

Kjo është e vërtetë për të ardhmen, sepse ne ndajmë të njëjtin projekt të përbashkët. Një mik në nevojë është një mik i vërtetë dhe për Shqipërinë nuk ka asnjë vend tjetër më të mirë se Italia për të karakterizuar këtë aksiomë.

Italia ka luajtur gjithmonë rol kryesor, që me Operacionin Pelikan, tek Operacioni Alba, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për liberalizimin e vizave për Shqipërinë, për marrjen e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë dhe perspektivën e saj europiane.

Ne kemi një histori të përbashkët dhe një të tashme shumë të mirë. Por duhet të përqendrohemi më shumë tek e ardhmja, për të ndërtuar një të ardhme të shkëlqyeshme për popujt tanë.

Mirëqenia sociale, zhvillimi ekonomik, investimet strategjike, janë disa nga çështjet. Por, gjithashtu duhet të bëjmë më shumë për çështjet e tregut, emra të mëdhenj italianë të industrisë tradicionale, aktorë të rëndësishëm të botës financiare italiane, energjia, telekomunikacioni duhet të jenë të pranishëm në Shqipëri.

30.000 operatorë të “call center” në gjuhën italiane punojnë çdo ditë, qindra mijëra punëtorë në kompani të vogla dhe të mesme sot operojnë në Shqipëri, por ne duhet të bëjmë më shumë së bashku, sepse kjo do të thotë që sot ne do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për nesër.

Jeta dhe punësimi në Itali, ka qenë një shkollë e madhe për shumë shqiptarë në 25 vitet e fundit. Shumë prej tyre janë kthyer dhe kanë hapur biznese, pasi ata kishin marrë një përvojë këtu.

Unë do të them me modesti që ju mund të shijoni disa nga ESSPRESO- t më të mira në Shqipëri dhe do ta keni të vështirë të dalloni nëse po hani në Itali apo në një restorant italian në Shqipëri.

Ne këtu jemi në një institucion akademik dhe për të gjitha këto arsye unë do të doja të vazhdoj të mbështes bashkëpunimin akademik mes dy vendeve tona. Kurrikula të përbashkëta, shkëmbimi i përvojave dhe më shumë konferenca dhe seminare në të dy gjuhët do të bënin më shumë se diplomacia tradicionale.

Këtë javë ne festojmë 103 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe do të doja të falënderoj veçanërisht Universitetin Sapienza për mbështetjen e dhënë për studentët dhe profesorët shqiptarë 3 vjet më parë për organizimin e shumë aktiviteteve me rastin e 100 – vjetorit të shtetit të pavarur shqiptar dhe për promovimin që ky Universitet ka bërë për vendin tonë.

Këtu në Romë ne ndjehemi si në shtëpi, dhe kjo është jo vetëm për shkak të Sheshit shqiptar, monumentit të Skënderbeut apo rrugës së Durrësit, por për shkak të miqësisë së ngrohtë të njerëzve, dhe veçanërisht sot jam ndjerë si në shtëpi, si atëherë kur isha student.

Ju falënderoj shumë!

30.11.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.