Postuar me: 6:59 13-10-2015

Meta priti një grup përfaqësuesish të shoqatave shqiptare që jetojnë në Itali (Burimi: LSI, www.lsi.al)

_LO_6336

Meta priti një grup përfaqësuesish të shoqatave shqiptare që jetojnë në Itali

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti në një takim përfaqësues të shoqatave shqiptare që jetojnë në Itali. Gjatë takimit ato e njohën z. Meta me marrëveshjet e përbashkët të arritur, që do të shërbejë si një protokoll bashkëpunimi me prioritete të qarta, adresuar në ato institucione të shtetit shqiptar.

Në emër të 40 shoqatave shqiptare në Itali, z. Roland Jaçe i paraqiti z. Meta aktmarrëveshjen , ku përmbahen kërkesat e tyre nisur për të qenë pjesë integrale e shoqërisë shqiptare. Kjo aktmarrëveshje parashikon ushtrimin e të drejtës së votës për emigrantët, forcimin e identitetit shqiptar lidhur me brezat e rinj që rriten jashtë atdheut. Gjithashtu, z. Jaçe theksoi se ka ardhur momenti kur institucionet shqiptare të bëjnë një kapërcim cilësor dhe të krijojnë një ministri për diasporën.

Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë e tij për këtë takim dhe për marrëveshjen e arritur nga shqiptarët që jetojnë në Itali. Z. Meta vlerësoi protokollin bashkëpunimit, që ka prioritete shumë të qarta, adresuar në ato institucione të shtetit shqiptar. Kryetari i Kuvendit tha se këto prioritete janë një bazë për dialogun midis autoriteteve të Shqipërisë dhe atyre të Italisë për të realizuar plotësisht të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Itali.

Prononcimi për mediat i Kryetarit të Kuvendit dhe përfaqësuesit të shoqatave shqiptare në Itali

Z. Ilir Meta

Ishte kënaqësi e veçantë për të takuar sot drejtuesit e të gjitha shoqatave të shqiptarëve që jetojnë në Itali, të cilët kanë arritur edhe një marrëveshje të përbashkët. Një protokoll bashkëpunimi me prioritete shumë të qarta, adresuar në ato institucione të shtetit shqiptar, por natyrisht të cilat janë një bazë mjaft e rëndësishme dhe në dialogun e tyre me autoritetet italiane.

Ato janë edhe një bazë për dialogun midis autoriteteve të Shqipërisë dhe atyre të Italisë për të realizuar plotësisht të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Itali. Natyrisht që në radhë të parë kemi ndarë gëzimin e përbashkët të fitores së Kombëtares së futbollit.

Kështu, që nuk është ndonjë lajm i veçantë, sepse edhe mesazhi që vjen nga kjo Kombëtare e re që kemi, është se përfshirja e të gjithë shqiptarëve më të talentuar kudo në Europë ka bërë të mundur që të kemi një Kombëtare kaq të fortë.

Jam i bindur që ky mesazh vlen në të gjithë fushat e tjera, ashtu sikurse kam besim se shqiptarët në Itali, por edhe kudo në vendet e tjera të Europës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në të gjithë botën, kanë dhënë dhe japin një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin e vendit tonë, për progresin e vendit tonë, për integrimin evropian të vendit tonë dhe do të vazhdojnë akoma më mirë ta bëjnë këtë gjë edhe në të ardhmen.

Përshëndes faktin që të gjitha këto shoqata janë bashkuar, kanë një program, kanë disa qëllime të përbashkëta, që unë kam shprehur me këtë rast edhe mbështetjen time të plotë për të drejtën e votës të emigrantëve tanë, kudo ku ata jetojnë. Në mënyrë që ata të kenë këtë të drejtë bazike për t’u shprehur për të ardhmen e vendit të tyre, por njëkohësisht edhe për të mbështetur krijimin e të gjithë atyre institucioneve që do ta forcojnë më tej dialogun midis vendit tonë dhe gjithë qytetarëve tanë kudo që janë, që do të rrisin kujdesin tonë ndaj tyre në të gjitha aspektet, sepse mbetet ende shumë për të bërë në këtë drejtim.

Ne jemi një vend që ka një emigracion shumë të lartë dhe jemi një vend që kemi nevojë për ta mbështetur akoma më shumë këtë potencial të jashtëzakonshëm, jo vetëm për të realizuar vetveten kudo ku shqiptarët jetojnë, por në mënyrë të veçantë për ta investuar këtë potencial për zhvillimin e Shqipërisë dhe për lartësimin e emrit të saj ashtu siç bëri dhe kombëtarja jonë.

Z. Roland Jaçe

Sigurisht që ne jemi këtu 20 përfaqësues të më shumë se 40 shoqatave shqiptare në Itali për t’i paraqitur Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, që për ne kanë qenë karakteristikat kryesore të jetës sonë të përditshme dhe që na kanë çuar në një vendim shumë të qartë. Firmën e një aktmarrëveshjeje, që sot i kemi prezantuar z. Meta ku përmbahen kërkesat tona kryesore, duke nisur nga ajo që ne e cilësojmë si kërkesa themelore e të qenit shqiptar, e të qenit pjesë integrale e shoqërisë shqiptare.

Pavarësisht se jemi diasporë shqiptare, pra qytetarë shqiptarë që jetojmë jashtë atdheut, ne kërkojmë ushtrimin e të drejtës së votës, jo sepse është thjesht një e drejtë, por sepse bëhet një përgjegjësi për ne lidhur me mirëqeverisjen e vendit. Sigurisht, aktmarrëveshja përmban edhe prioritete të tjera siç është ajo e forcimit të identitetit shqiptar lidhur me brezat e rinj që rriten dhe jetojnë jashtë atdheut.

Pra, nëpërmjet promovimit të gjuhës shqiptare, të shkollës shqiptare dhe nëpërmjet promovimit të instituteve të kulturës shqiptare. Mendojmë se ka ardhur momenti kur institucionet shqiptare duhet të bëjnë një kapërcim cilësor. Për ne bëhet e domosdoshme të qenit të një Ministrie të Diasporës. Ne ndoshta jemi një forcë shumë aktive në integrimin e Shqipërisë dhe në Parlamentin Evropian.

Mendojmë se ndoshta Ministria e Integrimit do të pasurohet akoma më shumë duke pasur brenda saj edhe një aspekt shumë të konsiderueshëm, pra duke u bërë Ministria e Diasporës dhe e Integrimit. Sigurisht këto janë propozimet që ne i japim ligjvënësit shqiptar. Ne jemi këtu me një kërkesë shumë të qartë, i kërkojmë z. Meta që të bëhet përcjellës përkundrejt forcave politike shqiptare që ulen në parlament lidhur me ato që janë kërkesat tona.

Pyetje për gazetarët

Duket sikur këto ditë i ka kapur euforia e kualifikimit për herë të parë në historinë e vendit tonë në një evropian, por dy qytetet më të mëdha si Fieri dhe Vlora janë nën ujë. A është bërë sa duhet në këndvështrimin tuaj?

Patjetër që duhet bërë akoma më shumë . Unë kam qenë në ndjekje të situatës vazhdimisht me ministrin e Bujqësisë z. Panariti dhe atë të Transporteve z. Haxhinasto. Situata është shqetësuese sepse pritet edhe në ditët e ardhshme të ketë mot të vështirë. Shpresoj që gëzimi i këtij kualifikimi të merituar të mos çojë në zbehjen e vëmendjes ndaj një problemi real dhe mjaft shqetësues që ndeshen qytetarët tanë në jug të vendit apo dhe kudo tjetër ku situata mund të vështirësohet. Shpresoj që po merren të gjitha masat e domosdoshme.

13.10.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.