Postuar me: 19:01 03-11-2015

Meta priti sot Presidentin e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian z. Gianni Pittella (Burimi: LSI, www.lsi.al)

IMG_5644

Meta priti sot Presidentin e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian z. Gianni Pittella

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta priti sot Presidentin e Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian z. Gianni Pittella me të cilin biseduan rreth ecurisë së reformës në drejtësi, bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Grupeve kryesore të Parlamentit Evropian dhe ecurisë së procesit të integrimit evropian.

Pas takimit, z. Meta dhe z. Pittella dhanë një prononcim për mediat :

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta

Është një kënaqësi që të jem sot së bashku me Kryetarin e Grupit Socialdemokrat dhe Socialist në Parlamentin Europian z. Gianni Pitella, i cili po viziton vendin tonë dhe ku kemi ndarë së bashku mendimet për arritjet e Shqipërisë në këtë proces, por edhe pritshmëritë për të ecur më shpejt dhe për arritje akoma më të rëndësishme, që do të na ndihmonin edhe për çeljen e negociatave  në një kohë sa më të shpejt të mundur.

Në këtë drejtim kemi vlerësuar si mjaft të rëndësishme, përqendrimin e  energjive në  Reformën në Drejtësi, pasi kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për progresin e vendit në të gjitha prioritetet kyçe dhe që do të bënte të mundur një mbështetje më të plotë për hapjen e negociatave midis vendit dhe Bashkimit Europian .

Njëkohësisht në presim me interes dhe Progres-Raportin për këtë vit, të cilin do ta studiojmë me vëmendje  dhe  do të përbëjë një program të rëndësishëm pune për të gjithë institucionet tona, në mënyrë që të vazhdojmë me intensitet progresin në procesin e Integrimit Europian të vendit.

Natyrisht që kemi diskutuar dhe për çështje të tjera të vazhdimit të mëtejshëm dhe bashkëpunimit rajonal të vendit tonë me vendet e rajonit apo edhe vëmendjen që duhet ti kushtojmë edhe  përballimit të prekjes së Shqipërisë nga kriza e refugjatëve, e cila është një krizë evidente  që ka prekur mjaft vende fqinje të Shqipërisë dhe të BE-së.

Njëkohësisht e kam falënderuar  z. Pitella  për mbështetjen që grupi i tij në Parlamentin Europian dhe ai personalisht i kanë dhënë vendit tonë dhe për vëmendjen e veçantë që ata i kushtojnë  progresin evropian të Shqipërisë,që  tregon dhe vizita e tij sot në Tiranë.

Presidenti e Grupit të Socialistëve e Demokratëve në PE, z. Gianni Pittella

Faleminderit z. Kryetari i Kuvendit! Ne jemi këtu për të nisur një mision që do të na çojë në vende të tjera të Ballkanit. Jemi këtu me kolegët Richard Howitt dhe Knut Fleckenstein, i cili pritet të vijë, dhe kemi dashur ta fillojmë nga Shqipëria për lidhjet e thella që kemi me këtë komb.

Dhe dëshironim ta fillonim me Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta, për miqësinë dhe për ngjashmëritë politike që kemi, pasi i përkasim të njëjtës familje, familjes socialiste europiane. Jemi këtu dhe kemi ndërmarrë këtë mision për të konfirmuar vullnetin tonë për të bërë vendet e Ballkanit pjesë të Bashkimit Europian.

Shqipëria po ecën shumë mirë, dua të vlerësoj qeverinë e z. Edi Rama, që ka realizuar ndryshime të thella në sensin pozitiv për këtë vend. Po zhvillohet një luftë edhe më e fortë ndaj korrupsionit, ka progres në aspektin e reformës së administratës publike, ka një avancim domethënës sa i takon respektimin e të drejtave të njeriut, ka një rritje ekonomike që pritet të kalojë nivelin 3%.

Tani po bëhen hapa para për reformën në drejtësi në mënyrë që në vitin 2016 të kemi formalizimin e hapjes së negociatave për t’u anëtarësuar në BE. Ky është procesi që ne po ndjekim, nuk jemi këtu për herë të parë, kemi asistuar Shqipërinë edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Shqipëria ka nevojë të ketë miq si ne, por mbi të gjithë ka nevojë të ketë lider si Ilir Meta dhe Edi Rama, që garantojnë largpamësi dhe këmbëngulje në aksionet e tyre.

03.11.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.