Postuar me: 13:35 31-10-2015

Meta takon Zv.Presidentin e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë,z.Müller dhe Drejtorin Ekzekutiv të BB për Rajonin, z.Pagano (Burimi: LSI, www.lsi.al)

Meta me Paganon

Meta takon Zv.Presidentin e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë,z.Müller dhe Drejtorin Ekzekutiv të BB për Rajonin, z.Pagano

Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta takon Zv.Presidentin e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë, z. Cyril Müller dhe Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore për Rajonin, z. Patrizio Pagano.

Në ditën e fundit të vizitës së tij në Uashington DC, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, zhvilloi një takim me Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë, z. Cyril Müller.

Z. Müller vlerësoi Shqipërinë si një partner të rëndësishëm të institucionit që ai përfaqëson, partner i cili ka shënuar progres të qenësishëm gjatë viteve të fundit.

Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën Qendrore dhe Rajonin e Azisë, z. Cyril Müller u shpreh se është besimplotë që marrëdhënia e konsoliduar tashmë mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore do të vazhdojë të thellohet në vitet në vijim.

Më tej, z. Meta dhe z. Müller diskutuan mbi ecurinë e projekteve ekzistuese në fusha si ujësjellës-kanalizime, transporti, energjia, etj, duke u ndalur tek nevoja për disbursimin sa më të shpejtë të fondeve, me qëllim finalizimin e tyre.

Bashkëbiseduesit u ndalën gjithashtu dhe tek zgjerimi i bashkëpunimit dhe vënia në jetë e projekteve të reja që do të nxisin veprimtarinë ekonomike në vend.

Z. Meta vlerësoi bashkëpunimin që ekziston midis institucionit të Kuvendit dhe Bankës Botërore duke u ndalur veçanërisht tek projektet i kësaj të fundit për parlamentet dhe rritjes së bashkëpunimit me parlamentin shqiptar në veçanti.

 Në këtë kuadër, z. Meta theksoi se pala shqiptare vlerëson rritjen e bashkëpunimit mes stafit të Kuvendit dhe atij të Bankës Botërore sa i përket rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe bashkëpunimit me publikun.

Kryetari Meta nënvizoi gjithashtu nevojën për thellimin e reformave në sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë së vendit.

Takimi me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore për Rajonin, z. Patrizio Pagano

Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, zhvilloi edhe një takim me Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore për Rajonin, z. Patrizio Pagano.

Gjatë takimit, z. Meta dhe z. Pagano diskutuan mbi ecurinë e projekteve të Bankës Botërore në Shqipëri sa i përket burimeve hidrike, bujqësisë dhe mjedisit.

Dy bashkëbiseduesit u ndalën ndër të tjera dhe tek gjendja e kredive të këqija në Shqipëri dhe me masat që po ndërmerren nga Qeveria dhe Parlamenti për të minimizuar efektet e tyre në ekonominë e vendit.

Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit, z. Meta u shpreh se është njohur me raportin e fundit “Doing business” të botuar nga Banka Botërore dhe se Qeveria e Shqipërisë po merr të gjitha masat për të adresuar problemet e evidentuara në të.

Palët diskutuan gjithashtu dhe mbi çështje si energjia dhe interkonektiviteti dhe mbi mundësinë e bashkëpunimit për të vënë në jetë projekte që lidhen me këto dy fusha e që do të kishin ndikim pozitiv në ekonominë jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

31.10.2015

Burimi: LSI

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.