Postuar me: 8:50 16-06-2015

MF: Efektet e shlyerjes së borxhit ndaj biznesit (Burimi: Gazeta Shekulli, www.shekulli.com.al)

lajm-shqip MFNisur nga disa shkrime në media, që akuzojnë se  shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve nuk ka dhënë efektet e pritura në ekonomi, Ministria e Financës në një njoftim për shtyp ka renditur një sërë faktorësh, që sipas saj tregojnë të kundërtën e atyre që shkruhen në media.

Në njoftimin për shtyp thuhet se nuk ka asnjë të vërtetë në komentet se shlyerja e detyrimeve të prapambetura nuk ka dhënë efekt në ekonomi, dhe se nga anketimi i kryer rezultoi se ndikimet kryesore të këtij procesi tek këto biznese kanë qenë në këto drejtime:

    1. Në shlyerjen e detyrimeve që kishin ndaj punonjësve të tyre (pagat) dhe firmave nënkontraktore, me të cilat kishin bashkëpunuar gjatë kryerjes së punimeve.

 

    1. Një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e detyrimeve janë përdorur nga bizneset për të shlyer detyrimet fiskale që kishin ndaj administratës tatimore dhe doganore. Ky ishte dhe një kusht i domosdoshëm i përcaktuar në strategjinë përkatëse, në mënyrë që subjektet të përfitonin nga shlyerja e këtyre detyrimeve.

 

    1. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fondeve janë përdorur nga bizneset për shlyerjen e kredive në bankat e nivelit të dytë. Kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e rritjes së kredive të këqija, dhe në një masë të caktuar në uljen e këtyre kredive.

 

    1. Deri në fund të vitit 2014, shuma totale e depozitave të rritura në bankat tregtare ishte 44 miliardë lekë, nga të cilat depozita të biznesit ishin 24 miliardë lekë më tepër se një vit më parë.

 

    1. Nga bizneset u vlerësua me nota pozitive fillimi dhe mbarëvajtja e këtij procesi duke ndikuar në këtë mënyrë në rritjen e besueshmërisë së biznesit ndaj Qeverisë.

Ministria e Financave thotë se pagesa e borxhit të krijuar në periudha të ndryshme është një detyrim për shtetin, dhe në këtë kontekst, qeveria shleu detyrimet e veta.

Sipas FM-së, për të  siguruar korrektësinë dhe transparencën për publikun, procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura iu nënshtrua dy proceseve audituese nga shoqëri ndërkombëtare.

Më konkretisht, auditimi i parë ka nisur në korrik të 2014 dhe i kryer nga kompania “Ernst & Young”, dhe i dyti në mars të këtij viti i ndërmarrë nga “BDO Albania shpk & BDO Croatia D.O.O.”, ku u auditua edhe procesi i rimbursimit të TVSh-së. Në fund të auditimev, që të dyja këto kompani nuk kanë gjetur anomali.

Në njoftimin për shtyp thuhet se, Ministria e Financave, si dhe të gjitha institucionet që janë pjesë e zbatimit të strategjisë së shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, në bashkëpunim të vazhdueshëm me FMN dhe Bankën Botërore, janë të angazhuar dhe po marrin masat e nevojshme për reflektimin dhe zbatimin në mënyrë sa më të drejtë të rekomandimeve të dhëna nga shoqëritë audituese në fjalë.

Në fund MF thotë se, është e hapur për vënien në dispozicion të të dhënave dhe informacioneve që lidhen me procesin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, për të interesuarit që mund t’i përdorin ato për studime më të thelluara lidhur me ndikimin që ky proçes solli në ekonominë shqiptare.

 

 

16.06.2015

Burimi: Gazeta Shekulli

Rreth Autorit

Komenti Juaj :

CAPTCHA *

All Rights Reserved 2016.